Një raport i ri i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për parashikimin e popullsisë deri në vitin 2060 nxjerr në pah një skenar alarmues për vendin: tkurrje drastike e grupmoshës 15–64 vjeç, që zakonisht shihet si rezervuar kryesor i fuqisë punëtore. Sipas variantit të mesëm, i cili konsiderohet si skenari më i mundshëm nga ASK, kjo popullsi mund të bjerë nga rreth 1.08 milion persona në vitin bazë 2024 në afërsisht 580 mijë deri në vitin 2060.
Me fjalë të tjera, Kosova rrezikon të humbasë rreth gjysmë milioni banorë në moshë pune brenda pak më shumë se tri dekadave. Rënia parashikohet të jetë afërsisht 46 për qind, gati gjysma e bazës demografike prej së cilës sigurohen punëtorët, tatimpaguesit dhe kontribuuesit e ardhshëm në sistemet sociale. Ky paralajmërim nuk nënkupton automatikisht që pjesa e punëtorëve të punësuar do të përgjysmohet, sepse kategoria 15–64 vjeç përfshin gjithë popullsinë në moshë pune, jo vetëm ata që janë aktivë në tregun e punës. Megjithatë, pesha e parashikimit lidhet pikërisht me tkurrjen e rezervuarit nga ku del fuqia punëtore e ardhshme.
Procesi nuk pritet të ndodhë vetëm në fund të periudhës, por të jetë gradual dhe i vazhdueshëm. Tabelat e ASK-së tregojnë se popullsia 15–64 vjeç projektohet në rreth 1.06 milion më 2025, për të rënë në rreth 1.01 milion më 2030. Më pas trajektorja vazhdon me shifra gjithnjë e më të ulëta: deri në 2040 ajo pritet të zbresë në rreth 872 mijë, në vitin 2050 në afërsisht 725 mijë, ndërsa më 2060 parashihet të arrijë vetëm rreth 580 mijë persona.
Rënia e grupmoshës 15–64, sfida kryesore për tregun e punës
Ndërsa Kosova ka pasur për vite një imazh të popullsisë relativisht të re, ky parashikim sugjeron se ky avantazh mund të jetë vetëm i përkohshëm. Në vitin 2024, mosha mediane e popullsisë ishte 35.3 vjet, dukshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe më e ulët se shumica e vendeve të rajonit. Por deri në vitin 2060, mosha mediane pritet të rritet në rreth 49 vjet. Në të njëjtën kohë, numri i personave mbi 65 vjeç pritet të rritet ndjeshëm, ndërsa numri i fëmijëve dhe i të rinjve pritet të bjerë. Kjo do të thotë se vendi nuk pritet vetëm të ketë më pak banorë, por edhe një strukturë krejtësisht tjetër demografike.
Një nga shkaqet kryesore që lidhet me këtë tkurrje është madhësia më e vogël e gjeneratave të ardhshme. ASK-ja parashikon se numri i fëmijëve nën moshën 15 vjeç mund të bjerë nga rreth 353 mijë në vitin 2024 në më pak se 120 mijë deri në vitin 2060. Kjo nënkupton që në dekadat e ardhshme do të hyjnë gjithnjë e më pak të rinj nga sistemi arsimor drejt tregut të punës. Në të njëjtën linjë, fertiliteti pritet të vazhdojë rënien: në skenarin e mesëm, norma totale e fertilitetit supozohet të bie nga 1.92 lindje për grua në vitin 2024 në rreth 1.3 deri në vitin 2060. Për pasojë, numri vjetor i lindjeve pritet të ulet nga rreth 21.5 mijë në më pak se 7 mijë.
Ky trend lidhet me një efekt që nuk ndihet menjëherë, por për dekada. Më pak lindje sot nënkupton më pak nxënës pas disa vitesh, më pak studentë më vonë dhe, përfundimisht, më pak njerëz që hyjnë në tregun e punës. Në këtë kuptim, tkurrja e popullsisë në moshë pune nuk është vetëm problem i ekonomisë, pasi fillon më herët—te struktura e familjeve, te numri i lindjeve dhe te madhësia e brezave të rinj. Paralelisht, edhe migrimi luan rol në këtë tablo demografike.
Sipas raportit, Kosova pritet të vazhdojë të regjistrojë humbje neto nga migrimi gjatë gjithë periudhës deri në vitin 2060. Në variantin e mesëm, humbja neto vjetore pritet të bjerë nga rreth 21 mijë persona në vitin 2024 në më pak se 11 mijë më 2060. Edhe nëse ky numër zvogëlohet, raporti thekson se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se emigrimi do të pushojë së qeni problem. Një faktor është se popullsia e ekspozuar ndaj emigrimit do të jetë më e vogël dhe më e moshuar. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme për tregun e punës, sepse migrimi nuk prek të gjitha grupmoshat në mënyrë të njëjtë.
Kur largohen njerëz të rinj dhe në moshë aktive, vendi nuk humbet vetëm banorë. Humben potencial pune, aftësi profesionale, konsumatorë, tatimpagues dhe familje që mund të kishin fëmijë në Kosovë. Në këtë mënyrë, rënia e lindshmërisë dhe emigrimi mund të ushqejnë njëra-tjetrën, duke e bërë të vështirë ruajtjen e rezervuarit demografik që i nevojitet ekonomisë dhe sistemeve sociale në të ardhmen.
Botuar fillimisht në Gazeta Express



