Korenica po fiton besimin te FCSB pas golit ndaj Petrolulit

Meriton Korenica po e konsolidon gjithnjë e më shumë vendin e tij te FCSB. Paraqitja e tij e fundit dhe goli i shënuar në ndeshjen kundër Petrolulit kanë bërë që futbollisti kosovar të marrë vëmendje e vlerësime të shumta në Rumani, te skuadra kampione e kampionatit.

Korenica i është bashkuar FCSB-së gjatë afatit kalimtar të fundit, pasi më parë ishte pjesë e CFR Cluj. Edhe pse ai u prit me interes nga disa klube, kosovari ishte përfolur edhe si objektiv i Universitatea Craiova. Megjithatë, 29-vjeçari vendosi të zgjedhë projektin e FCSB-së nga Bukureshti, duke i dhënë menjëherë sinjale se synon të lërë gjurmë në skuadër.

Në lidhje me transferimin dhe pritshmëritë për lojtarin, zyrtari i FCSB-së, Mihai Stoica, foli hapur për arsyet pse beson se Korenica zgjodhi pikërisht klubin e tij. Stoica theksoi se e ka parë lojtarin edhe gjatë kohës te CFR Cluj dhe ka krijuar besim në cilësitë e tij. “Korenica është një lojtar shumë i mirë. Që kur e pashë te CFR Cluj, më është dukur shumë i mirë. Ai dhe Emerllahu më janë dukur lojtarët më të mirë. Për nga profili, ai më ngjan me Cisottin. Vitin e kaluar ishte shumë e vështirë ta blije nga CFR Cluj”, deklaroi Stoica.

Ai vazhdoi duke komentuar edhe konkurrencën me Universitatea Craiova. Sipas Stoica, këtë herë FCSB-ja shfrytëzoi edhe rrethanat që ndodhnin te klubi rival, por theksi kryesor u vendos te vendimi i vetë futbollistit. “Këtë herë shfrytëzuam edhe problemet që ishin atje. Është pak më e vështirë për një lojtar, nëse duhet të zgjedhë mes nesh dhe Craiovës, që të zgjedhë Craiovën. Ata e donin edhe Korenicën, por duket se ai e donte FCSB-në”, shtoi zyrtari rumun.

Stoica vlerësoi gjithashtu përshtatjen e Korenicës në ambientin e ri. Ai tha se beson që kosovari ndihet mirë dhe se do të ketë rol të rëndësishëm te skuadra për shkak të eksperiencës së tij. “Është e qartë se ai është një lojtar i mirë dhe mendoj se ndihet mirë. Ai ka luajtur kudo dhe do të luajë edhe për ne. Le të jetë i shëndetshëm”, u shpreh ai.

Gol ndaj Petrolulit e rrit besimin te Korenica për FCSB-në

Roli i Korenicës u shfaq konkretisht në ndeshjen kundër Petrolulit, ku ai shënoi golin e parë të FCSB-së në barazimin 2-2. Edhe pse goli i tij nuk mjaftoi që skuadra e Bukureshtit të siguronte fitoren, fakti që Korenica gjeti rrugën e rrjetës e rriti edhe më shumë vëmendjen rreth tij. Pas takimit, futbollisti kosovar e komentoi rezultatin dhe u shpreh se FCSB-ja meritonte më shumë sesa një barazim.

“Mendoj se nuk është e mjaftueshme, meritonim më shumë se një barazim. Duhet të jemi më agresivë në të ardhmen dhe të arrijmë më shumë. Patëm shumë raste, por ky është futbolli. Shpresoj që të jemi më të përgatitur për ndeshjen e ardhshme”, deklaroi Korenica. Ai foli edhe për momentin e tij personal në fushë, duke pranuar synimin që kishte para aksionit. “Duhej të shënoja, duhej ta kaloja portierin, por ajo që kisha në mendje ishte të shënoja. Duhet të mësojmë nga kjo ndeshje dhe të jemi gati për ndeshjen tjetër”.

Korenica shfaqi entuziazëm edhe për ambientin e ri te FCSB. Ai theksoi se ndihet mirë dhe se sheh cilësi në grup. “Kemi cilësi në ekip, është shumë mirë këtu dhe ndihem shumë mirë. Dua të jap 100 për qind në çdo ndeshje”, përfundoi lojtari i Kosovës.

Vlerësimi për paraqitjen e Korenicës erdhi edhe nga presidenti i klubit. Pronari i FCSB-së, Gigi Becali, e komentoi ndeshjen pas barazimit me Petrolulin dhe tha se pret rritje te Korenica, si dhe te disa lojtarë të tjerë. “Është mirë që mund të shohim rritje, që mund të shohim Muharin dhe Korenicën, dy lojtarë që do të jenë titullarë”, deklaroi Becali.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version