Avokati Arianit Koci ka kërkuar angazhim më të madh institucional nga autoritetet e Kosovës për mbrojtjen e shtetasve të Kosovës që arrestohen në Serbi. Ai thotë se, nga përvojat e tij ndër vite, institucionet duhet të koordinohen më seriozisht dhe të rrisin praninë e tyre kur shfaqen raste të tilla.
Koci thekson se arrestimet shpesh ndodhin në periudha kur në Kosovë dalin në pah dëshmi të reja për krimet e kryera nga forcat serbe. Sipas tij, kjo krijon një përshtypje se reagimi i Serbisë përkon me momentet kur autoritetet dhe hetuesit në Kosovë sjellin informacione të reja, duke çuar më pas në arrestime të shtetasve të Kosovës.
“Shteti duhet dhe mundemi me bë shumë më tepër. Sa herë në Kosovë zbulohet një varrezë masive apo dalin prova të reja për krimet e forcave serbe, Serbia reagon edhe me arrestime të shtetasve tanë”, ka shkruar Koci. Ai shton se përmes këtyre rasteve synohet të ndërtohet një narrativë ku krimet shihen si të kryera nga të dyja palët, edhe pse theksi vendoset te rrethanat që lidhen me veprimet e forcave serbe.
Avokati ka thënë se edhe vetë është përballur me pengesa nga autoritetet serbe për shkak të angazhimit të tij në këto raste. Ai ka deklaruar se “tri herë” është ndaluar edhe gjatë kohës që po udhëtonte me veturë diplomatike, në praninë e shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd. Sipas Kocit, autoritetet serbe po i pengojnë angazhimet e tij dhe, megjithëse ai thotë se nuk ka frikë, thekson se ky angazhim duhet domosdoshmërisht të koordinohet me shtetin e Kosovës.
Ai ka sqaruar se, edhe pse si avokat nga Kosova nuk mund ta ushtrojë profesionin në Serbi, ai mund të koordinojë mbrojtjen, të këshillojë avokatët atje dhe të ndihmojë me prova e argumente. Koci ka shtuar se në shumë raste, personat e arrestuar janë liruar, gjë që, sipas tij, tregon se angazhimi juridik mund të japë rezultate kur mbështetet siç duhet.
Një pjesë e rëndësishme e kërkesës së tij lidhet me qasjen ndaj institucioneve. Koci ka deklaruar se Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka ofruar shërbimet e tij falas dhe ka paraqitur propozime konkrete për mbrojtjen juridike të të arrestuarve. Megjithatë, ai thotë se në vend të koordinimit ka hasur në neglizhencë, mungesë interesi dhe bartje të përgjegjësisë.
Koordinimi i shtetit mungon, ndërsa arrestimet rriten
Sipas Kocit, edhe propozimet e tij janë refuzuar në mënyrë joformale “si pa bazë juridike”, nga persona që ai i përmend si të mos jenë fare juristë. Ai ka kritikuar edhe deklaratat publike të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, lidhur me personat e arrestuar. Koci pretendon se në këto raste bëhen deklarime para se të vendosë gjykata, gjë që, sipas tij, cenon prezumimin e pafajësisë, ushtron presion mbi drejtësinë dhe mund të rrezikojë sigurinë e shqiptarëve të arrestuar në burgjet serbe.
Avokati ka përmendur edhe raportin me familjet e të arrestuarve, duke thënë se shpesh kërkohet të shkruhet ose të shkohet disa herë në institucionet përkatëse. Ai thekson se kur bëhet presion përmes mediave, interesimi institucional rritet. “Ministri duhet me i pritë, me ua dëgju hallin dhe me ua tregu çka po bën shteti”, ka shkruar Koci, duke kërkuar një qasje më të drejtpërdrejtë ndaj familjeve, pa pasur nevojë për presion publik.
Në këtë kontekst, Koci ka veçuar shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jasharin. Ai ka thënë se Jashari po bën “punë të madhe me mundësi të kufizuara”, duke shtuar se ai është i vetëm në atë zyrë, ndërsa marrëveshja parasheh dy diplomatë. Koci ka përmendur edhe infrastrukturën e zyrës, duke thënë se vetura zyrtare ka rreth 700 mijë kilometra. “Kjo është një prej pikave tona diplomatike më të vështira dhe më të rëndësishme. Prandaj, kjo neglizhencë ndaj asaj zyre, nuk duhet të ndodhë”, ka deklaruar ai.
Në përmbyllje, avokati thekson se çështja që ai po ngre është më e gjerë sesa fati i një qytetari të vetëm të arrestuar. Ai ka përfunduar se “krejt kjo situatë është më e madhe se fati i një qytetari të arrestuar”.
Botuar fillimisht në Telegrafi
