Kepi i Gjelbër vjen si befasia më e madhe e këtij Botërori dhe tashmë është gati të përballet me një sfidë të jashtëzakonshme në fazën me eliminim direkt. Pas një ecurie të pamposhtur në grup, ku i mbajti në balancë Spanjën, Uruguajin dhe Arabinë Saudite, skuadra afrikane do të ndeshet me Argjentinën në ndeshjen vendimtare për të kaluar më tej.
Edhe pse përballë do të ketë kampionët në fuqi të botës dhe një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, te Kepi i Gjelbër nuk flitet për frikë. Trajneri Pedro Leito Brito ka folur në konferencë për shtyp, duke theksuar se qasja e skuadrës do të jetë e qartë: do të luajnë për të fituar dhe për të siguruar kualifikimin.
“Kemi besim dhe bindje dhe kjo është shumë e dobishme. Do të jemi të guximshëm dhe do të luftojmë për kualifikimin. Duam që lojtarët ta shijojnë ndeshjen, por të jenë të përqendruar dhe të bëjnë gjithçka për të kaluar në fazën tjetër. Sigurisht që besojmë. Besojmë te vetja dhe te pikat tona të forta, te lojtarët tanë dhe te skuadra jonë. E dimë që kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por mund ta dëmtojmë kundërshtarin. Jemi të guximshëm dhe ambiciozë dhe do të luajmë për të fituar”, ka thënë Pedro Leito Brito.
Strategjia e Kepit të Gjelbër: jo vetëm “ndalim” i Mesit, por lojë kundër të gjithë ekipit
Trajneri ka bërë një ndarje të qartë mes idesë për të fokusuar vetëm te një lojtar dhe mënyrës si e shohin ekipin në tërësi. Sipas tij, strategjia nuk është e ndërtuar vetëm për të ndalur Lionel Mesin, por për t’u përballur me kombinimin e lojtarëve dhe mënyrën si luan e gjithë Argjentina.
“Ne si ekip kemi strategjinë tonë, jo vetëm kundër Mesit, por kundër të gjithë ekipit. Ata janë kampionët aktualë të botës dhe një nga ekipet më të mira në turne. Do të luajmë kundër të gjithë ekipit. E dimë që Mesi është një nga lojtarët më të mirë në botë, por ne luajmë kundër të gjithë ekipit”, ka vijuar trajneri, duke e nënvizuar se rreziku vjen nga tërësia e grupit.
Në analizën e tij përpara ndeshjes, Pedro Leito Brito ka sjellë edhe një mesazh që ka të bëjë me dinamikën e këtij Botërori: “Të ashtuquajturat ekipe të vogla kanë treguar se mund të konkurrojnë në të njëjtin nivel loje me të ashtuquajturat ekipe superiore. Kjo tregon vetëm se edhe ekipet e vogla mund të përballen me ndeshjet më sfiduese”. Ai e sheh Argjentinën si një rival sfidues, por kërkon që Kepi i Gjelbër të jetë po aq i rrezikshëm edhe për kundërshtarin.
Trajneri ka argumentuar se skuadra e tij ka fituar besim për shkak të rezultateve të fundit. “Në tre ndeshjet e fundit kemi treguar se mund të konkurrojmë në një nivel të lartë. Ne e dimë cilësinë e kundërshtarit tonë, por kemi edhe ëndrrën tonë”, përfundon Pedro Leito Brito, duke e vendosur theksin te meritësia që i ka çuar te kjo fazë e turneut. Kepi i Gjelbër tashmë e ka gjetur ritmin dhe e ka të qartë se përballë një ekipi kampion do të duhet të luajë si një skuadër e bashkuar, me ambicie për ta çuar ndeshjen drejt kualifikimit.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
