Kaos para duelit për titullin IBF: Hrgović-Itauma përplasen

Atmosfera në prag të një prej dueleve më të mëdha për titull botëror në peshat e rënda u shndërrua në kaos gjatë ceremonisë së peshimit në Londër. Filip Hrgović dhe Moses Itauma, të cilët prej ditësh shkëmbenin deklarata dhe provokime, u përfshinë në një incident që ndërpreu momentin rutinë para përballjes së së shtunës në O2 Arena.

Skena nisi me dy boksierët që u panë ballë për ballë pas peshimit, teksa mes tyre u shkëmbyen disa fjalë të ashpra. Për një moment u duk se gjithçka mund të mbyllej me kaq, por situata u përshkallëzua kur kroati u largua dhe u kthye drejt fotografëve.

Pasi Hrgović u zhvendos, Itauma e shtyu atë nga pas, duke bërë që boksieri kroat të rrëzohej. Hrgović u ngrit menjëherë dhe iu kthye kundërshtarit, të cilin e goditi në fytyrë me pëllëmbë të hapur. Të dy boksierët kishin kryer më herët detyrimin e peshimit, duke respektuar procedurat para duelit për titullin.

Një goditje dhe një shtytje prishin ceremoninë para titullit IBF

Rezultatet e peshimit ishin: Filip Hrgović 107.1 kilogramë dhe Moses Itauma 109.6 kilogramë. Ndërkohë, përplasja fizike në sallë u bë kulmi i tensioneve që kanë shoqëruar përballjen gjatë gjithë javës, ndërsa të dy luftëtarët kishin dërguar paralajmërime në mënyra të ndryshme para se të vinin në ring.

Hrgović ka qenë ai që ka provokuar vazhdimisht 21-vjeçarin Itauma. Kroati e ka quajtur atë “fëmijë” dhe ka pretenduar se britaniku nuk është ende gati për nivelin më të lartë të boksit. Në një nga konferencat për shtyp, Hrgović tha se “Do ta rrah djalin të shtunën dhe do ta kthej në shkollë të mesme”, duke e zhvendosur përballjen jo vetëm në sport, por edhe në një betejë që sipas tij kërkon pjekuri më të madhe.

Nga ana tjetër, Itauma ka reaguar duke bërë të ditur se provokimet e kroatit e kanë nisur ta bezdisin dhe e kanë tensionuar situatën. Në ceremoninë e peshimit në Londër, mesazhet e ditëve të fundit u shndërruan në një moment që u zhvillua live para publikut, me një përplasje që u pa qartë nga të pranishmit dhe që prishi çdo pritshmëri për një përballje pa incidente.

Të shtunën, dy boksierët do të sfidohen për titullin vakant të IBF-së në peshat e rënda. Për Hrgović-in, kjo përballje konsiderohet dueli më i madh i karrierës së tij profesionale. Ai hyn në ring si boksier 34-vjeçar me një rekord prej 20 fitoresh dhe vetëm një humbjeje. Itauma, 21-vjeç, vjen si një nga talentet më të mëdha të momentit, me 14 fitore në 14 ndeshje dhe 12 prej tyre të mbyllura me nokaut.

Një fitore për Itauma-s do ta vendoste 21-vjeçarin mes kampionëve më të rinj në historinë e peshave të rënda, ndërsa Hrgović synon të shkruajë histori duke u bërë boksieri i parë kroat që fiton një titull botëror profesionist në këtë kategori. Të gjitha këto synime tani mbërrijnë me tension të shtuar, pas incidentit në ceremoninë e peshimit, i cili e bëri edhe më të fortë pritshmërinë për atë që pritet të ndodhë në O2 Arena.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version