Jurgen Uldedaj mbron titullin botëror në “Wembley Arena”

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka dëshmuar edhe një herë se është një nga emrat më të fortë të boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare, teksa ka mbrojtur me sukses titullin botëror në versionin IBO në një nga impiantet më prestigjioze në botë, “Wembley Arena” në Londër.

Me atë që u shndërrua në një duel të vërtetë për t’u mbajtur mend, Uldedaj regjistroi një fitore pas 12 raundesh, duke triumfuar ndaj boksierit britanik Austine Nnamdi. Ndeshja u mbyll me vendim të gjyqtarëve, një konfirmim i qartë i statusit të tij si kampion dhe i formës së treguar gjatë gjithë përballjes.

Atmosfera në Londër ishte elektrizuese, ndërsa vetë boksieri shqiptar hyri në ring me besim dhe synim të qartë. Raundet e para folën në favor të tij, pasi Uldedaj u shfaq më dominues në shkëmbime, duke krijuar presion dhe duke e mbajtur ritmin sipas planit të tij në ring.

Nga raundi i katërt përballja u bë edhe më e ashpër. Të dy boksierët nisën të shkëmbenin goditje me intensitet të lartë dhe pa kursyer asgjë, duke e çuar ndeshjen në një fazë ku çdo veprim kishte peshë. Uldedaj arriti të ruante stabilitetin, ndërsa Nnamdi reagoi me forcë, duke e bërë të vështirë kontrollin e meçit.

Edhe në raundin e pestë dhe të gjashtë, lufta vazhdoi me ritëm të lartë. Uldedaj dhe rivali i tij treguan guxim dhe rezistencë të madhe, ndërsa shkëmbimet u shpeshtuan. Përballja mbeti e balancuar në disa momente, por kampioni arriti të ruajë qasjen e duhur, duke mos lejuar që sfidanti të fitonte plotësisht terren.

Uldedaj e mbyll me pjekuri dhe ruan titullin IBO

Në raundin e shtatë, kampioni shqiptar pati një moment të vështirë. Austine Nnamdi arriti të godasë disa herë Uldedajn, duke e vënë atë nën presion. Megjithatë, Jurgen Uldedaj reagoi fuqishëm: pas atij sekondi të vështirë, ai riktheu kontrollin me kundërsulme të forta, duke e shuar rrezikun dhe duke e kthyer sërish përballjen në favor të tij.

Raundi i tetë karakterizoi një rivalitet të madh dhe një ritëm të lartë. Edhe pse Uldedaj pësoi disa goditje gjatë kësaj faze, ai qëndroi i fortë dhe nuk e humbi durimin në ring. Në raundin e nëntë, britaniku u shfaq më rrezikshëm dhe tentoi të marrë kontrollin e meçit, por boksieri shqiptar vazhdoi të luftojë me qartësi, duke ruajtur ekuilibrin deri në momentet vendimtare.

Në raundin e dhjetë, të dy boksierët u treguan më të kujdesshëm dhe taktizuan më shumë, duke ruajtur energjitë për fundin e ndeshjes. Dy raundet e fundit sollën sërish luftë të fortë: shkëmbime të shumta goditjesh dhe një Uldedaj që tregoi pjekuri deri në fund. Në përfundim, vendimi i gjyqtarëve vulosi fitoren e tij dhe mbrojtjen e suksesshme të titullit botëror IBO.

I lindur në Lezhë, Jurgen Uldedaj vazhdon të mbrojë me krenari ngjyrat kuqezi në arenat ndërkombëtare. Në karrierën e tij profesionale, ai ka zhvilluar 22 meçe, duke regjistruar vetëm një humbje, ndërsa tetë fitore i ka siguruar me nokaut. Me këtë triumf në Londër, “tigri shqiptar” konfirmon edhe një herë dominimin e tij dhe mban kurorën në versionin IBO.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version