Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar gjetjet nga inspektimi i zbatimit të urdhëresave të gjykatave nga zyrtarët policorë. Sipas raportit, komunikimi jo i rregullt dhe joefektiv i policisë me gjykatat është identifikuar si një nga problemet kryesore, ndërsa inspektimi është kryer në 11 stacione policore në vende të ndryshme të Kosovës.
Inspektorati ka vëzhguar punën e stacioneve policore në Dragash, Ferizaj, Graçanicë, Gjilan, Hani i Elezit, Kamenicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh Ranillug, Skënderaj, Viti dhe Vushtrri. Në këto stacione, janë analizuar mënyra se si trajtohen urdhëresat e gjykatave, si bëhet njoftimi përkatës dhe çfarë veprimesh ndërmerren deri në realizimin e kërkesave të institucioneve gjyqësore.
Në stacionin policor në Gjilan, inspektorati ka evidentuar raste ku koha nga data e lëshimit të urdhëresës gjyqësore deri në njoftimin zyrtar të gjykatës ka qenë jashtëzakonisht e gjatë. Në rastin më të gjatë, periudha tejkalon edhe plot 11 vjet, duke treguar se urdhëresat nuk po ekzekutohen brenda afateve të pritshme dhe komunikimi me gjykatën nuk po sigurohet në mënyrë të rregullt.
Vonesa dhe mangësitë në komunikim dalin në pah
Probleme të ngjashme janë identifikuar edhe në trajtimin e kërkesave urgjente të gjykatës. Në një rast, është konstatuar se përkundër kërkesës së gjykatës për ndërmarrje urgjente të veprimeve policore, ato janë realizuar vetëm pas dy (2) muajsh. Përveç kësaj, raporti thekson se ka pasur edhe mungesë të veprimeve dhe raportimit për periudha të gjata kohore, duke e lënë gjykatën pa informacion të mjaftueshëm për statusin e lëndës.
Një shembull i veçantë i përmendur në raport lidhet me Letër rreshtimi P.nr. 1591/13, e datës 22.01.2014. Sipas gjetjeve, gjykata është njoftuar brenda ditës, ndërsa për më shumë se dhjetë (10) vite nuk evidentohet ndonjë veprim tjetër për realizimin e tij, apo ndonjë njoftim i mëtejmë zyrtar për gjykatën. Po ashtu, urdhëresa në fjalë është parashkruar më 19.09.2024, duke e bërë edhe më të dukshme pasojën e vonesave dhe mosveprimeve të zgjatura.
Ndërsa në stacionin policor në Skënderaj, Inspektorati Policor i Kosovës ka ngritur dyshime mbi vërtetësinë e raporteve të bëra nga policia. Në disa dosje, janë gjetur raporte të pretenduara si raporte nga terreni, të cilat, sipas raportit, krijojnë dyshime për mënyrën se si janë realizuar veprimet e përshkruara. Pas verifikimit shtesë, është konstatuar se raportet e gjetura në dosjet policore nuk ekzistojnë në dosjet pranë gjykatave që kanë lëshuar ato.
Raporti shton se në 20 dosje janë gjetur 51 raporte policore dhe, njëkohësisht, 44 njoftime zyrtare për gjykatat. Në disa prej këtyre raporteve, veprimet e përshkruara hedhin dyshime mbi vërtetësinë e tyre, duke ngritur implikime serioze për besueshmërinë e dokumentacionit që shkon drejt gjykatave. Dyshime të tilla, theksohet se janë evidentuar edhe në stacione të tjera policore, në komunat që banohen kryesisht me serbë, ku raporti tregon se problematika nuk është e kufizuar vetëm në një vend.
Përtej gjetjeve për kohën e ekzekutimit dhe çështjet e vërtetësisë së raporteve, Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë edhe 11 rekomandime për stacionet policore. Rekomandimet, sipas raportit, synojnë përmirësime në ekzekutimin e urdhëresave të gjykatave gjatë viteve, me theks që të ndërmerren veprime në kohë dhe në vazhdimësi, si dhe të sigurohet komunikim i rregullt me Gjykatat. Këto masa synojnë të adresojnë mangësitë e evidentuara dhe të rrisin disiplinën procedurale në trajtimin e kërkesave gjyqësore.
Botuar fillimisht në Telegrafi
