Injeksionet GLP-1 ulin rrezikun e kancerit të gjirit

Injeksionet që përdoren për dobësim mund të kenë edhe një efekt shtesë, duke ulur rrezikun e kancerit të gjirit. Këtë e sugjeron një studim i ri, i cili shkon përtej lidhjes së zakonshme mes peshës dhe sëmundjeve onkologjike, duke ngritur pyetjen nëse barnat e klasës GLP-1 mund të ofrojnë mbrojtje edhe përtej uljes së peshës.

Obeziteti është lidhur me të paktën 13 lloje të ndryshme kanceri, përfshirë kancerin e gjirit, të zorrëve dhe të pankreasit. Duke pasur parasysh këtë, humbja e peshës konsiderohet prej kohësh një hap që ndihmon në uljen e rrezikut. Por ndërkohë që ekspertët kanë nisur të shqyrtojnë më thellë rolin e ilaçeve të dobësimit, në qendër të vëmendjes janë barna të njohura si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, të cilat bëjnë pjesë në familjen e GLP-1.

Studiuesit analizuan të dhëna shëndetësore të 94,827 grave të moshës 45 deri në 80 vjeç. Sipas rezultateve, ato që kishin përdorur barna të klasës GLP-1 kishin rreth 30 për qind më pak gjasa që të diagnostikoheshin me kancer gjiri, krahasuar me gratë që nuk i kishin përdorur këto barna kurrë.

Studimet tregojnë lidhje të mundshme: GLP-1 dhe më pak kancer gjiri

Një analizë e dytë, e paraqitur gjithashtu në kuadër të kërkimit, sugjeroi se futja e këtyre barnave në trajtimin standard për kancerin e gjirit mund të ulë rrezikun e vdekjes nga sëmundja me gati një të tretën. Gjetjet nënvizojnë se përfitimi i mundshëm nuk ka të bëjë vetëm me parandalimin, por mund të ketë edhe implikime për ecurinë e sëmundjes tek pacientet.

Autorja kryesore e studimit është profesoresha Elizabeth McDonald. Ajo tha se nëse lidhja mes barnave GLP-1 dhe parandalimit të kancerit të gjirit provohet si shkakësore, kjo do të ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm në mjekësi. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të vërtetuar nëse këto barna e ulin drejtpërdrejt rrezikun, apo nëse përfitimi lidhet kryesisht me humbjen e peshës, e cila tashmë dihet se ndikon në rrezikun e shumë sëmundjeve.

Për të shmangur ndikimin e faktorëve të tjerë, si mosha, raca, diabeti dhe dendësia e gjirit, gratë që kishin përdorur GLP-1 u krahasuan me gra me profil të ngjashëm shëndetësor që nuk i kishin përdorur këto ilaçe. Gjatë periudhës së studimit, u përfshinë gra në SHBA që ishin në moshë për kontrolle të gjirit, kishin indeks të masës trupore 25 ose më shumë dhe kishin kryer të paktën një kontroll mamografie. Në total, 2,314 gra u diagnostikuan me kancer gjiri.

Shifrat konkrete treguan një diferencë: nga 15,107 gra që kishin përdorur barna GLP-1 para kontrollit, rreth 1.7 për qind zhvilluan kancer gjiri. Tek gratë që nuk kishin përdorur këto barna, kjo shifër ishte 2.6 për qind. Studiuesit thonë se edhe pasi u llogaritën faktorë të njohur rreziku, duke përfshirë diabetin e tipit 2, obezitetin dhe dendësinë e gjirit, përdorimi i barnave GLP-1 mund të lidhet me një efekt mbrojtës ndaj kancerit të gjirit.

Rezultatet u prezantuan në konferencën e Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago. Profesoresha McDonald nënvizon se ulja e rrezikut nga humbja e peshës është biologjikisht e besueshme, por rritet interesi shkencor për të kuptuar nëse GLP-1 mund të kenë edhe efekte më të drejtpërdrejta, si ulja e inflamacionit. Ekipi nga Universiteti i Pensilvanisë po kërkon tashmë financim për një provë të madhe klinike që synon të verifikojë më qartë këto rezultate.

Në të njëjtën konferencë u prezantua edhe një studim tjetër: pacientët që nisën përdorimin e injeksioneve GLP-1 pasi u diagnostikuan me kancer mund të kenë pasur ngadalësim të përhapjes së sëmundjes. Efekti u pa më qartë tek pacientët me kancer të mushkërive dhe mëlçisë, por u vërejt edhe te tumoret e gjirit dhe zorrëve. Edhe këtu, ekspertët paralajmërojnë se ende nuk dihet nëse këto përfitime lidhen vetëm me humbjen e peshës apo nëse vetë barnat kanë mekanizma të tjerë të mundshëm kundër kancerit.

Obeziteti po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një nga faktorët kryesorë të rrezikut të parandalueshëm për disa lloje kanceri. Për kancerin e gjirit, ai mbetet kanceri më i zakonshëm tek gratë në Britani, me rreth 59 mijë raste të reja çdo vit. Ndërkaq, në SHBA, kanceri i gjirit përbën rreth një në tre diagnoza të reja të kancerit tek gratë.

Botuar fillimisht në Gazeta Express

Exit mobile version