Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur një sërë shqetësimesh pas lëvizjeve të fundit politike, duke thënë se janë duke u bërë shkelje kushtetuese. Në një reagim lidhur me situatën në Kuvend dhe proceset institucionale, IKD ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit, si dhe përfundimin e ushtrimit të pozitave ministrore nga deputetët. Po ashtu, instituti kërkon respektimin e kufijve kushtetues për ushtrimin e detyrës së presidentes.
Reagimi i IKD-së vjen pas vendimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili caktoi për të shtunën vazhdimin e seancës. Sipas IKD-së, institucionet nuk mund të funksionojnë mbi bazën e interpretimeve politike apo mungesës së sanksioneve të qarta, kur në lojë janë detyrime që rrjedhin nga Kushtetuta dhe rregullat e brendshme të Kuvendit.
IKD-ja ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit përbën shkelje kushtetuese. Këtë e lidh me faktin se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin brenda një afati të përcaktuar, duke filluar nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Instituti thekson se afati tridhjetëditor ka nisur më 8 korrik, ditën kur janë certifikuar rezultatet, dhe brenda këtij afati Kuvendi duhet të përfundojë seancën konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Afati kushtetues s’duhet të zëvendësohet nga negociata politike
Sipas IKD-së, seanca e 6 gushtit u ndërpre pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit. Por IKD ka argumentuar se zgjedhja e Presidentit është proces i veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit. Instituti nënvizon se në seancën konstituive nuk zhvillohet debat, ndërsa negociatat politike duhet të zhvillohen jashtë saj. Në këtë logjikë, negociatat nuk mund ta pezullojnë përmbushjen e një detyrimi kushtetues.
IKD-ja ka adresuar edhe çështjen e pasojave të shkeljes së afatit. Instituti thotë se edhe pse afati është shkelur, Kushtetuta nuk përcakton shpërndarjen automatike të Kuvendit, as përsëritjen e zgjedhjeve, e as ndonjë pasojë të drejtpërdrejtë për kryesuesin e seancës. Përkundër kësaj, IKD thekson se mungesa e sanksionit nuk e ligjëron shkeljen, por as nuk e pamundëson vazhdimin e procesit që kërkohet nga institucionet.
Në vijim, IKD-ja u ka bërë thirrje deputetëve që ta përfundojnë konstituimin pa vonesa të tjera. Instituti thotë se deputetët e të gjitha partive duhet të marrin pjesë në seancë, të votojnë për Kryetarin dhe nënkryetarët dhe ta përfundojnë konstituimin pa bllokime të reja. Sipas reagimit, shkelja e afatit nuk duhet të përdoret si arsyetim për bojkot ose për bllokadë shtesë. IKD-ja gjithashtu thekson se nëse deputetët konsiderojnë se ndërprerja e seancës dhe kalimi i afatit kanë cenuar Kushtetutën, çështja duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Një tjetër aspekt që IKD-ja e cilëson problem serioz lidhet me ushtrimin e funksioneve ministrore nga deputetët e zgjedhur. Instituti referon një aktgjykim të Gjykatës Supreme, ku është thënë se nga momenti i certifikimit të rezultateve, personi i zgjedhur nuk duhet të ushtrojë funksione që bien ndesh me kufijtë kushtetues. IKD e trajton këtë si pjesë të kërkesës së saj për respektim të normave, duke kërkuar përfundimin e ushtrimit të pozitave ministrore nga deputetët dhe duke i kërkuar institucioneve të veprojnë brenda kornizës së përcaktuar nga Kushtetuta.
Botuar fillimisht në Koha.net






