IHMK: Parashikimi i motit 13–17 korrik 2026

Java e ardhshme, nga 13 deri më 17 korrik 2026, pritet të jetë kryesisht e qëndrueshme, me alternime mes intervaleve me diell dhe vranësirave. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në fillim të periudhës temperaturat do të qëndrojnë pranë mesatareve klimatike për këtë kohë të vitit, ndërsa nga mesi i javës pritet rritje graduale e tyre, duke e bërë motin më të ngrohtë.

E hëna, 13.07.2026, parashikohet të sjellë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 12°C dhe 15°C, ndërsa maksimalet mes 24°C dhe 27°C. Era parashikohet të fryjë nga veriperëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar.

E martë, 14.07.2026, parashikon kushte të ngjashme: mot kryesisht me diell, me kalime të pakta vranësirash. Në këtë ditë, temperaturat minimale pritet të jenë ndërmjet 10°C dhe 13°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 26°C deri në 30°C. Era parashikohet nga perëndimi dhe veriperëndimi, me intensitet të dobët deri mesatar.

E mërkurë, 15.07.2026, parashihet të jetë më e ngrohtë. Paradite pritet mot me diell, ndërsa pasditja sjell shtim të vranësirave. Gjatë kësaj dite, vende-vende parashihen riga shiu, shtrëngata lokale dhe mundësi për shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 14°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë deri në 28°C–32°C. Era parashikohet nga jugperëndimi, por gjatë zhvillimit të shtrëngatave mund të ketë përforcime të përkohshme.

Nga e mërkura vranësirat sjellin shtrëngata

E enjte, 16.07.2026, pritet të jetë pjesërisht i vranët, me intervale me diell. Në disa zona parashikohen ende riga lokale shiu, të shoqëruara me shkarkime rrufesh, kryesisht gjatë orëve të pasdites. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 16°C, ndërsa maksimalet pritet të qëndrojnë mes 26°C dhe 30°C. Era parashikohet nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar.

E premte, 17.07.2026, parashikohet stabilizim gradual i motit. Do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, me ulje të gjasave për reshje. Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 15°C, ndërsa maksimalet sërish pritet të arrijnë nga 28°C deri në 32°C. Era parashikohet nga veriperëndimi, me intensitet të dobët deri mesatar.

Përveç parashikimit të motit, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dhënë edhe të dhëna për kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike. Sipas njoftimit, kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Temperaturat e ngrohta dhe intervalet me diell pritet të mundësojnë zhvillimin normal të proceseve fiziologjike të bimëve. Reshjet e pritshme nga e mërkura deri të enjten pritet të përmirësojnë përmbajtjen e lagështisë në shtresën sipërfaqësore të tokës, duke lehtësuar stresin hidrik te kulturat pranverore dhe perimet.

Megjithatë, në zonat ku shtrëngatat mund të kenë intensitet më të lartë, mund të ketë lokalisht rrjedhje sipërfaqësore të ujit dhe ndërprerje të përkohshme të punimeve bujqësore. Fermerëve u rekomandohet që spërkatjet me preparate fitosanitare t’i planifikojnë jashtë periudhave me reshje. Sa i përket kushteve biometeorologjike, ato parashikohen të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës, por me një kujdes të veçantë gjatë ditëve me temperatura më të larta—sidomos të mërkurën dhe të premten—gjatë orëve të mesditës. Rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur ndaj rrezeve direkte të diellit, konsumimi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike intensive në ambiente të hapura. Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët duhet të tregojnë kujdes më të shtuar kur temperaturat rriten, ndërsa gjatë shtrëngatave të mundshme me shkarkime elektrike rekomandohet shmangia e qëndrimit në hapësira të ekspozuara.

Botuar fillimisht në Gazeta Express

Exit mobile version