Arijon Ibrahimoviqi, futbollist 20-vjeçar me prejardhje nga Kosova, pritet të ketë një plan të pazakontë brenda sulmit të Augsburgut. Ai që më parë ishte pjesë e Bayern Munichut si huazim, tani i është bashkuar sërish ekipit të Augsburgut dhe pritet që në ndeshjen e së dielës ndaj Eintracht Frankfurtit, në udhëtim, nga ora 17:30, të ketë dy role gjatë fazës së sulmit.
Lëvizja e tij ndodhi pak para mbylljes së afatit kalimtar veror. Ibrahimoviqi fillimisht u huazua te Augsburg, pasi më parë ishte kthyer nga huazimi që e kishte te Heidenheimi. Ai kishte plane që të qëndronte në skuadrën e parë të bavarezëve si zëvendësues i Luis Diazit në krah, por rrugëtimi i tij në këtë sezon mori një tjetër drejtim.
Edhe pse huazimi u realizua sërish, klubi i ka vendosur një afat të gjatë bashkëpunimit. Augsburg e vazhdoi kontratën e tij deri në vitin 2028, pavarësisht se bëhet fjalë për një huazim. Kjo tregon që Augsburg nuk po e trajton vetëm si zgjidhje afatshkurtër, por si një lojtar me rol të rëndësishëm në planet afatmesme.
Në verë, për Ibrahimoviqin kishte interes edhe nga Union Berlini dhe Ëerder Bremen. Megjithatë, ishte Augsburg ai që arriti ta bindte sulmuesin të bashkohej me ta. Për sa i përket paraqitjeve, deri tashmë ai ka luajtur vetëm me grupmoshat e Gjermanisë, ndërsa karriera e tij ndërkombëtare po mbetet një temë që vazhdon të tërheqë vëmendje.
Trajneri Manuel Baum e ka shpjeguar mënyrën se si planifikon ta përdorë Ibrahimoviqin në ndeshje. Në konferencën për shtyp të së premtes, Baum ka thënë se, kur flet për Arin, e sheh si një lojtar me tipare të numrit 10 në fushë, i cili ka aftësi të luajë edhe si numër 9. Ai e ka krahasuar fleksibilitetin e tij me atë të lojtarëve si Anton Kade dhe Uchenna Ogundu, duke vendosur kështu një pritshmëri të qartë për dy role në sulm.
Ibrahimoviqi synon dy role në sulm për Augsburgun
Kjo do të thotë se në planin taktik të Augsburgut, Ibrahimoviqi pritet të jetë më shumë me topin, në mënyrë që të organizojë dhe të krijojë aksione në zonat përpara. Në të njëjtën kohë, ai do të ruajë edhe fleksibilitetin për të lëvizur në qendër kur të kërkohet, duke u shndërruar në një alternativë për mbylljen e aksioneve. Po të shihen paralelizmat e bëra nga stafi, ky model përdoret për të krijuar kombinime të ndryshme në sulm dhe për t’i dhënë ekipit mundësi të reagojë sipas situatës në fushë.
Futbollisti kosovar mund të jetë titullar në debutimin e tij te Augsburg pikërisht në ndeshjen ndaj Frankfurtit. Megjithatë, një faktor tjetër lidhet me gjendjen e Anton Kades. Paraqitja e tij është vënë në dyshim: ai shkëlqeu ndaj Schalkes, por nuk e kompletoi stërvitjen e së mërkurës. Baum ka sinjalizuar se situata nuk po shkon mirë për të, duke e bërë edhe më të mundshme rolin e Ibrahimoviqit në formacion.
Përveç Ibrahimoviqit dhe Kades, Augsburg ka edhe disa opsione të tjera në pozitat sulmuese. Trajneri Baum ka përmendur se Mert Komur, Alexis Claude-Maurice dhe Robin Fellhauer janë lojtarë që i klasifikon si numra 10 në skuadër. Por sipas tij, ky “trio” ka më shumë gjasë të luajë në pozitën e numrit 8, çka e plotëson mozaikun taktik të ekipit. Baum ka theksuar se fleksibiliteti i tillë i ndihmon skuadrës, pasi ekipi ka dy lloje lojtarësh në këto role: një grup që synon të shpërthejë më shpejt para dhe një tjetër që është më i tërhequr. Për Augsburgun, ky kombinim pritet të jetë i rëndësishëm në ndeshjen e së dielës, ku Ibrahimoviqi shihet si një element që mund të sjellë ndryshim jo vetëm me lëvizjet, por edhe me mënyrën se si ndërton fazën e sulmit.
Botuar fillimisht në Koha.net
