Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kërkesave që vijnë nga partnerë ndërkombëtarë për rikthimin në punë të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të komunitetit serb. Ajo ka theksuar se këta persona nuk mund të rikthehen në pozita brenda sistemit të drejtësisë, sepse siç tha, këtë nuk e lejon ligji.
Haxhiu ka argumentuar se edhe në shtetet demokratike nuk pranohet një situatë ku gjyqtarë dhe prokurorë “dirigjohen” nga një shtet tjetër. Në këtë kuadër, ajo u është drejtuar partnerëve që, sipas saj, bëjnë presione mbi këshillat përkatëse, duke theksuar se askush nuk do të pranonte vendimmarrje që bie ndesh me legjislacionin e vendit ku ushtrojnë detyrën.
“Kush nga partnerë tanë ndërkombëtare që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kenë gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër. Kush nga partnerët ndërkombëtarë që ne na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorë që janë anëtarë të këshillave të vendoste diçka që është në kundërshtim me legjislacionin”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka ritheksuar se dorëheqjet e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve serbë kanë ardhur pas presionit të Serbisë dhe të presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Sipas saj, këto çështje lidhen me mënyrën se si sistemi i drejtësisë është ndikuar dhe me raportimet për pagesa që, sipas pretendimeve të saj, vijnë nga Serbia.
Pavarësia e drejtësisë, sipas Haxhiut, s’mund të pranojë “direktiva” nga jashtë
Haxhiu ka deklaruar se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët, si dhe stafi i tyre, kanë përfituar mjete financiare nga Serbia që prej vitit 2017. Ajo ka thënë se një pjesë dërrmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjete financiare në forma të ndryshme nga Serbia, duke përmendur periudhën nga viti 2017 e deri “tash”. Sipas saj, edhe gjatë kohës kur këta persona kanë ushtruar detyrat si prokurorë dhe gjyqtarë, pagesat i kanë marrë nga Serbia.
Në vijim, Haxhiu ka nënvizuar se, sipas të dhënave që thotë se i ka, “lojaliteti i dëshmuar për Serbinë” është shpërblyer me mjete financiare. Ajo e ka lidhur këtë me pritjen që mandatet e tyre të ushtrohen, siç shprehet ajo, “në dobi të qytetarëve në interes të Republikës së Kosovës”, duke e kundërshtuar idenë se tërheqjet dhe rolet e tyre kanë qenë të pavarura.
Haxhiu ka përmendur edhe pretendime për aktivitete të tjera të paligjshme të kryera nga një pjesë e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve, në shërbim të strukturave ilegale serbe në veri. Ajo ka thënë se këto veprime bien ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Në këtë drejtim, ajo ka përmendur “shumë raste” ku, sipas pretendimeve të saj, ish-gjyqtarët dhe prokurorët kanë marrë pjesë në takime në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane dhe janë ndërmarrë veprime, përfshirë bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës.
Sipas Haxhiut, ndërhyrjet nga Serbia kanë bërë që administrimi i drejtësisë në veri të dështojë në të kaluarën. Ajo ka thënë se ekzistojnë “dyshime të bazuara” që veprime të tilla kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe që ajo i lidh me krimin dhe pushtetin në Serbi. Në fund të deklaratës së saj, Haxhiu ka shprehur pritshmërinë që KGJK-ja të mos i japë mundësi rikthimit të këtyre personave, duke e lidhur këtë me pamundësinë ligjore për vendime të tilla.
Botuar fillimisht në Koha.net
