Kryetari dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se me PDK-në në qeveri asnjë qytet nuk do të përballet me mungesë të energjisë elektrike. Ai e ka bërë këtë paralajmërim gjatë një konference për media, ku ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç e cilësoi, futjen e vendit në krizë të thellë energjetike.
Sipas Hamzës, Kosova po përballet jo vetëm me problemin e energjisë, por edhe me një krizë më të gjerë ekonomike, sociale, politike dhe të shpresës. Duke iu referuar situatës aktuale, ai tha se “sot nuk kemi rrymë”, ndërsa theksoi se PDK-ja po flet pikërisht për rrymën dhe për investimet infrastrukturore që, sipas tij, mungojnë tash e gjashtë vjet.
Hamza argumentoi se qeverisja e ardhshme do të sjellë ndryshim të drejtpërdrejtë për qytetarët. Ai tha se me PDK-në në pushtet, qytetarët do të kenë çmime më të përballueshme të energjisë, si dhe do të kenë një qeverisje e cila, sipas tij, planifikon për të ardhmen. Në të njëjtën linjë, ai paralajmëroi se krizave do t’u jepet fund, duke e lidhur këtë me planifikim dhe përgjegjësi institucionale.
PDK premton zgjidhje: s’ka qytet pa rrymë
“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime”, tha Hamza.
Gjatë konferencës, kandidati i PDK-së ka prezantuar edhe pikën e dytë të programit të tij qeverisës, që lidhet me investimet në energji, infrastrukturë moderne dhe teknologji të reja. Ai e paraqiti energjinë si bazë mbi të cilën, sipas tij, ndërtohet një ekonomi moderne. Pa furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, Hamza tha se nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende pune dhe nuk mund të ketë mirëqenie për familjet.
Në kuadër të programit, Hamza u zotua se qeveria që do të drejtonte PDK-ja do të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, duke e cilësuar atë si nevojë bazike dhe jo si “mirë luksi”. Sipas tij, heqja e TVSH-së do të ulë menjëherë faturat e energjisë, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të kontribuojë në stabilitet social. Ai e vendosi këtë masë si pjesë të qasjes për të adresuar pasojat e krizës energjetike te familjet.
Hamza bëri të ditur se, programi i PDK-së përfshin modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, si dhe ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 MW. Sipas tij, parashihet edhe ndërtimi i sistemeve të ngrohjes qendrore në së paku pesë qytete të Kosovës. Në plan janë përfshirë po ashtu investime në energjinë diellore, zhvillimi i infrastrukturës së gazit dhe realizimi i lidhjes energjetike Kosovë–Shqipëri.
Gjatë së shtunës, PDK-ja ka mbajtur tubime të tjera edhe në Lipjan dhe Shtime, duke vijuar aktivitetet e fushatës për zgjedhjet 2026. Konferenca e së shtunës u përdor si moment për të shpalosur vizionin e PDK-së për energjinë, me theks të veçantë tek garantimi i furnizimit dhe investimet infrastrukturore për të përmirësuar situatën në terren.
Botuar fillimisht në Koha.net
