Numri i grave në listat e partive kryesore politike në vend vazhdon të jetë vetëm pak më i lartë se kuota gjinore prej 30 për qind, që përcaktohet me ligj. Për zgjedhjet e 7 qershorit, të dhënat tregojnë se përfaqësimi i grave në garë nuk ka bërë një hap të mjaftueshëm drejt barazisë reale, ndërsa shpërndarja nëpër lista shpesh mbetet në favor të kandidatëve meshkuj.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës po garojnë gjithsej 917 kandidatë. Prej tyre, 603 janë burra dhe 314 gra. Edhe pse kjo përqindje i afrohet kuotës ligjore, në tërësi vërehet se gratë mbeten në një pozicion të kufizuar brenda listave, sidomos sa i takon vendosjes në rangje të larta.
Sa i përket partive, Lëvizja Vetëvendosje del me përqindjen më të lartë të grave në listën zgjedhore të 7 qershorit. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës paraqitet me një trajektore të lehtë pozitive në rritje, por ende pa arritur të tejkalojë kufirin ligjor. Ndërkaq, Partia Demokratike shfaq nivelin më të ulët të përfaqësimit gjinor, duke sinjalizuar një regres në përfshirjen e grave në politikë.
Gratë përtej 30%: problemi mbetet tek renditja në lista
Vetëvendosje, një vit më parë, kishte 36.36% gra në listë, ndërsa këtë vit përqindja zbret pak në 33.64%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëvizje të vogël pozitive: nga 28.18% gra në 2025, ajo arrin 29.09% në 2026. Megjithatë, edhe ky nivel nuk e kalon pragun e kërkuar me ligj. Në të kundërt, Partia Demokratike raporton ndryshimin më të theksuar negativ: vitin e kaluar kishte 26.36% gra në listë, ndërsa këtë vit përqindja bie në 23.38, duke treguar një tërheqje nga përfshirja e grave në garën politike.
Përtej përqindjes, një nga sfidat kryesore për gratë në garë është pozicionimi i tyre brenda listave. Renditja vazhdon të dominohet nga meshkujt, duke bërë që zëri politik i grave të kufizohet edhe kur ato janë të pranishme numerikisht në listë. Në Vetëvendosje, vetëm katër gra figurojnë në mesin e dhjetë emrave kryesorë të listës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pesë gra në top dhjetëshen, kurse Partia Demokratike paraqet vetëm dy kandidate gra në këtë rang të parë.
Një tjetër element që lidhet me sfidat e garës është edhe kostoja e fushatës. Sipas të dhënave të përmendura nga Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, mesatarisht një kandidat shpenzon rreth 12 mijë euro për fushatën zgjedhore. Ky shpenzim, megjithatë, mund të shkojë deri në 30 mijë euro ose më shumë, për shkak të pranisë digjitale dhe prezencës në media, si dhe organizimeve si takimet me qytetarët. Përveç këtyre, Krasniqi thekson se shpenzimet për transport janë të larta dhe rriten nga dita në ditë, duke e bërë fushatën edhe më të kushtueshme.
Ndërsa gratë përpiqen të avancojnë në politikë, ato përballen edhe me një klimë të vështirë në hapësirën online. Raportohet se deputetet gra përballen me dhunë virtuale në nivel të lartë dhe me sulme që shoqërohen me gjuhë urrejtjeje dhe paragjykime seksiste. Kjo situatë përshkruhet si pjesë e një klime politike të tensionuar, ku gratë në skenën politike shpesh kthehen në ndër shënjestrat më të shpeshta të sulmeve të ndryshme. Në këtë kontekst, thuhet se një nga arsyet që gratë hezitojnë për të hyrë në gara politike lidhet pikërisht me këto përvoja.
Albert Krasniqi thekson se dhuna online krijon një mjedis “shumë toksik”, ndërsa në rrjet qarkullon edhe urrejtja që vjen me krahasime se si e shohin turmat një kandidat mashkull krahasuar me një kandidate femër. Kjo përforcon pabarazinë, jo vetëm në mënyrën si vendosen emrat në lista, por edhe në mënyrën se si perceptohet politika e grave në publik. Pavarësisht përparimeve të vogla në përfaqësim, mbetet sfidë strukturore që përtej numrave të mos zgjerohet barazia reale në garën zgjedhore.
Botuar fillimisht në Telegrafi
