Gonxhja: Lehtësi fiskale deri në 30% për sponsorët e kulturës e sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi sot në Kuvend projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, që synon të krijojë mekanizma të rinj për mobilizimin e kapitalit privat në mbështetje të kulturës, artit, sportit dhe fushave të tjera me interes publik.

Gjatë fjalës së tij, Gonxhja tha se nisma vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, si dhe nevojës për instrumente moderne financimi. Ai theksoi se vendi nuk është më në të njëjtën fazë si tri dekadat e para apo si një dekadë më parë, duke theksuar rritjen e sektorëve të turizmit, kulturës dhe sportit, që i ka kthyer këto fusha në një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

Projektligji, sipas ministrit, krijon një instrument të ri për financimin e kulturës, artit dhe sportit përmes përfshirjes më të madhe të sektorit privat. Një element kyç i mekanizmit lidhet me lehtësinë fiskale për subjektet që sponsorizojnë aktivitete në këto fusha. Gonxhja bëri të ditur se në vitin 2024 financimi total në sport ishte rreth 448 milionë lekë, nga të cilat vetëm 50 milionë lekë, ose 11,2%, vinin nga sponsorizimet private.

Lehtësia fiskale deri në 30% për sponsorët e kulturës, artit dhe sportit

Ministri shpjegoi se projektligji parashikon një mekanizëm lehtësues për subjektet që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport. Në këtë mënyrë, atyre u mundësohet njohja si zbritje e një vlere deri në 30% të tatimit mbi fitimin e paguar në vitin paraardhës. Kjo lehtësi do të ketë një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit.

Një risi tjetër e përmendur nga Gonxhja lidhet me mbështetjen e drejtpërdrejtë të sportistëve dhe artistëve që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare. Ai argumentoi se, përtej ndikimit të drejtpërdrejtë te përfituesit, mekanizmi sjell edhe përfitim të madh fiskal për shtetin dhe funksionon si një incentivë për formalizimin e ekonomisë.

Sipas ministrit, një tjetër shtyllë e projektligjit është zgjerimi i fushave që mund të përfitojnë nga donacionet dhe sponsorizimet. Gonxhja theksoi se për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, thelbi i këtij projektligji lidhet me bindjen se kultura dhe sporti nuk duhen parë më si thjesht një faturë shpenzimesh buxhetore, por si investime strategjike me një vlerë të trefishtë: ekonomike, shëndetësore dhe shoqërore. Ai shtoi se aktivitetet kulturore dhe sportive ndikojnë edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, pasi eventet ndërkombëtare aktivizojnë zinxhirin e shërbimeve, duke përfshirë strukturat akomoduese, gastronominë, transportin, tregtinë dhe kompanitë vendase.

Në këtë kontekst, ministri solli shembuj konkretë: zhvillimin e tri etapave të Giro d’Italia në Shqipëri në vitin 2025, ku 42% e spektatorëve qëndruan të paktën një natë në vend, si dhe koncertin e YE në Tiranë, i cili mblodhi rreth 60 mijë spektatorë, prej të cilëve 27 mijë ishin vizitorë të huaj nga 88 shtete. Ai tha se përmes projektligjit synohet të ulet presioni mbi buxhetin e shtetit, të ndahet kostoja e organizimit me sektorin privat dhe të krijohen mundësi që eventet të rrisin cilësinë dhe konkurrueshmërinë në tregun ndërkombëtar.

Shtylla e tretë, sipas Gonxhjas, parashikon vendosjen e standardeve të reja të transparencës, gjurmueshmërisë dhe kontrollit financiar. Ministri theksoi se të gjitha donacionet dhe sponsorizimet do të kryhen vetëm përmes transfertave bankare, duke përjashtuar transaksionet me para në dorë. Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Sponsorizimeve, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i integruar me platformën “e-Albania”. Kontratat do të regjistrohen brenda 60 ditëve, ndërsa sponsori dhe përfituesi do të kenë detyrimin të raportojnë mbi përdorimin e fondeve dhe realizimin e projektit. Për institucionet publike parashikohet detyrimi i publikimit të kontratave brenda 10 ditëve, si dhe marrja e miratimit paraprak me shkrim për donacionet dhe sponsorizimet nga burime të huaja, në rastet e përcaktuara nga ligji.

Gonxhja nënvizoi se projektligji nuk synon të zëvendësojë përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të shtetit për financimin e kulturës, sportit, arsimit apo shëndetësisë, por ta plotësojë dhe shumëfishojë atë. Ai tha se nisma synon të krijojë mundësi të reja financimi për artistët, sportistët, federatat dhe organizatat kulturore, të nxisë formalizimin e ekonomisë dhe të forcojë lidhjen mes kulturës, sportit, turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Ministri shtoi se zhvillimi i Shqipërisë në këtë fazë të re kërkon jo vetëm politika publike dhe investime shtetërore, por edhe angazhim të strukturuar të sipërmarrjes private, duke e kthyer mbështetjen për interesin publik në një përgjegjësi dhe mundësi të përbashkët për të gjithë.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version