Gjermania siguron kualifikimin: Undav përmbys Bregun e Fildishtë

Gjermania e ka mbyllur mbrëmjen në BMO Field të Torontos me një sukses 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, në ndeshjen e dytë të Grupit E, duke siguruar kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026. Skuadra gjermane triumfoi pasi e gjeti veten në disavantazh, por reagoi në kohën e duhur dhe përmbysi rezultatin me një rol vendimtar nga Deniz Undav.

Takimi nisi me Bregun e Fildishtë që mori avantazhin e parë. Në minutën e 30-të, kapiteni i skuadrës ivoriane, Franck Kessie, shënoi golin që e dërgoi ekipin e tij në 1-0. Gjermania u detyrua të kërkonte baraspeshën, ndërsa loja e saj u rrit gradualisht në pjesën e dytë me synim për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Ndryshimi erdhi nga stoli. Deniz Undav u aktivizua në minutën e 60-të, duke i dhënë menjëherë një tjetër ritëm sulmit të Gjermanisë. Sulmuesi i Stuttgartit arriti të barazojë në minutën e 68-të, duke çuar rezultatin në 1-1 dhe duke i dhënë shpresë të re ekipit të tij për një kthesë të plotë.

Undav e vulos: Gjermania kalon më tej, me fokus tek Ekuadori

Pas barazimit, gjermanët nuk u mjaftuan vetëm me një pikë. Në minutën e katërt të kohës shtesë, Undav gjeti edhe golin e fitores, duke e çuar ndeshjen në 2-1 për Gjermaninë. Me këtë rezultat, Gjermania mori tri pikët e plota dhe siguroi kualifikimin në raundin tjetër të turneut.

Për Deniz Undav ky ishte një moment i veçantë edhe nga statistikat. Për sulmuesin, goli kundër Bregut të Fildishtë ishte i nënti në vetëm 11 paraqitje me fanellën e kombëtares gjermane. Shifra e tij tregon se sa shpejt po po kthehet në një element ndikues për ekipin, veçanërisht kur futet nga zëvendësimi dhe arrin të prodhojë gola në çaste kyçe.

Edhe pse fitorja ishte e qartë dhe e rëndësishme për kualifikimin, trajneri Julian Nagelsmann nuk lejoi që skuadra të zhytet në eufori. Pas ndeshjes, ai u pyet nëse ky sukses ndaj një kundërshtari të fortë si Bregu i Fildishtë sinjalizonte se Gjermania është rikthyer në nivelin e “klasit botëror”. Megjithatë, përzgjedhësi gjerman u tregua i kujdesshëm në përgjigjen e tij.

Nagelsmann theksoi se nuk ka vend për diskutime mbi perceptimet në këtë fazë dhe se gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt. Ai kujtoi se vetëm pak javë më parë atmosfera rreth kombëtares ishte krejtësisht ndryshe dhe se, sipas tij, një fitore nuk duhet ta ndryshojë menjëherë mënyrën se si shihet ekipi. “Nuk kemi nevojë të flasim tani nëse jemi apo jo të klasit botëror. Vetëm tre javë më parë gjithçka ishte në rrëmujë”, deklaroi ai.

Trajneri i Gjermanisë e mbajti theksin te puna e përditshme dhe te objektivi i radhës. Ai nënvizoi se fokusi i vetëm mbetet ndeshja e fundit e fazës së grupeve, kundër Ekuadorit. Sipas tij, skuadra duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj pa u shpërqendruar nga diskutimet e jashtme apo vlerësimet që po krijohen pas një fitoreje. Tashmë, Gjermania do të përballet me Ekuadorin në raundin e fundit të Grupit E, ndërsa Nagelsmann kërkon përqendrim maksimal përpara se të nisë faza me eliminim direkt.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version