Punëtorët në Ballkan dhe në vendet e rajonit të Mesdheut kanë më shumë gjasa të punojnë edhe gjatë fundjavës, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës. Për shumë njerëz, e shtuna dhe e diela nuk janë automatikisht ditë pushimi, por ditë pune që shoqërojnë një pjesë të rutinës së përditshme.
Të dhënat më të fundit të Eurostat-it tregojnë se qindra mijëra persona në të gjithë kontinentin nuk e kanë fundjavën si kohë pushimi. Në nivel europian, më shumë se një në pesë punëtorë – saktësisht 21.3 për qind – punojnë rregullisht të shtunave dhe të dielave.
Në disa vende, kjo përqindje rritet ndjeshëm. Greqia kryeson me 41 për qind të të punësuarve dhe të vetëpunësuarve që janë aktivë gjatë fundjavës. Pas saj renditet Bosnja dhe Hercegovina me 33 për qind. Në Maltë, Qipro dhe Maqedoninë e Veriut, shifra arrin në 32 për qind.
Në anën tjetër, veriu dhe lindja e Europës shfaqin nivele shumë më të ulëta të punës gjatë fundjavës. Në Lituani, vetëm 4 për qind e punëtorëve punojnë në fundjavë. Në Hungari kjo shifër është 7 për qind, ndërsa në Poloni 7.5 për qind.
Ndërkohë, ka edhe një dallim të qartë mes punonjësve dhe pronarëve të bizneseve. Në raport me punonjësit, pronarët kanë më pak fundjava të lira: 46 për qind e tyre detyrohen të punojnë gjatë fundjavës, krahasuar me 18.5 për qind të punonjësve. Kur shihen vetëm punonjësit, Greqia, Qiproja dhe Maqedonia e Veriut mbeten në krye, me më shumë se 30 për qind të tyre që punojnë gjatë fundjavës. Pas tyre renditen Zvicra dhe Malta, me rreth 29 për qind.
Edhe kur ka fundjavë, sërish një pjesë e madhe e Europës punon
Në kategorinë e të vetëpunësuarve dhe punëdhënësve, Greqia shënon shifra edhe më të larta: 75 për qind. Më pas vijnë Belgjika me 66 për qind dhe Franca me 60 për qind. Por fakti që shumë njerëz punojnë gjatë fundjavave nuk nënkupton domosdoshmërisht se ata kanë orare më të gjata totale pune. Në rastin e Greqisë, të dhënat përputhen edhe me statistika të tjera të Eurostat-it që tregojnë se grekët punojnë mesatarisht më shumë orë se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian.
Edhe sektorët e punës ndikojnë drejtpërdrejt në modelin e punës gjatë fundjavës. Ndërrimet ndryshojnë shumë në varësi të profesionit. Për shembull, pothuajse gjysma e punëtorëve në shërbime dhe shitje – 47.6 për qind – punojnë rregullisht gjatë fundjavave. Një përqindje shumë e ngjashme vërehet edhe në bujqësi, pylltari dhe peshkim, ku 47.2 për qind e të punësuarve janë aktivë në fundjavë.
Kjo prirje shfaqet edhe te “profesionet elementare”, që përfshijnë punë manuale rutinë dhe shpesh fizikisht të lodhshme. Në këtë grup, rreth 25.7 për qind e punëtorëve punojnë gjatë fundjavës. Paralelisht, një trend tjetër po zhvillohet në Europë: disa vende po testojnë modele ku javën e punës e shkurtojnë në katër ditë.
Trendi aktual në Europë po shkon më shumë drejt uljes së javës së punës, jo drejt zgjatjes së saj. Një shembull i fundit vjen nga Polonia, e cila ka një ekonomi me rritje të shpejtë, por që po përballet gjithnjë e më shumë me lodhjen e punëtorëve dhe fenomenin e “burnout”-it. Në verën e vitit 2025, Polonia nisi një projekt pilot që synon uljen e javës së punës nga 39 në 35 orë, pa ulje page.
Gjatë pilotit, punonjësit mund të zgjedhin mes tre opsioneve: të punojnë gjashtë orë në ditë, të kenë një fundjavë tre-ditore ose të përfitojnë ditë shtesë pushimi. Eksperimenti u nis nga Ministria e Punës në 90 vende pune, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, duke përfshirë rreth 5,000 punonjës. Rezultatet pritet të vlerësohen në vitin 2027. Për çdo vend pune pjesëmarrës, kompensimi është deri në 210 mijë euro, për të mbuluar vështirësitë organizative që mund të sjellë ulja e orarit të punës. Ndërkohë, edhe vende të tjera evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Portugalia, Islanda, Franca dhe Spanja kanë testuar modele të javës katërditore të punës.
Botuar fillimisht në Telegrafi





