FSHF nis instalimin e krioterapisë në Klinikën e Kombëtares

Federata Shqiptare e Futbollit vijon investimet për të përmirësuar kushtet e punës dhe shërbimet për ekipet kombëtare. Në “Shtëpinë e Futbollit”, Federata ka sjellë pajisjet më të reja të krioterapisë, një nga teknologjitë më të avancuara në mjekësinë sportive, me qëllim që sportistët të kenë në dispozicion mbështetje moderne për rikuperim.

Pajisjet e markës CTN, me origjinë nga Finlandë, kanë mbërritur tashmë në ambientet e FSHF-së. Menjëherë pas mbërritjes, ka nisur procesi i instalimit të tyre në Klinikën e Kombëtares, ku shumë shpejt pritet që pajisjet të vihen në funksion të futbollistëve të ekipeve kombëtare.

Ky investim lidhet drejtpërdrejt me një projekt të vazhdueshëm të FSHF-së për modernizimin e Klinikës së Kombëtares. Klinika, sot, paraqitet si një nga qendrat më të avancuara në vend në fushën e mjekësisë sportive, duke ofruar shërbime që mbulojnë diagnostikimin, rehabilitimin sportiv dhe mbështetjen në trajtimin e traumatologjisë dhe ortopedisë.

Aktualisht, FSHF ka ngritur tashmë një qendër të mirëfilltë diagnostikimi dhe rehabilitimi sportiv, ndërsa në vijim është duke zgjeruar vazhdimisht gamën e shërbimeve dhe teknologjive që janë në dispozicion të sportistëve. Me instalimin e pajisjeve të krioterapisë, Klinika e Kombëtares pasurohet edhe me një sistem modern rikuperimi, çka synon të krijojë mundësi më të mira për riaftësimin e futbollistëve pas dëmtimeve. Në të njëjtën kohë, kjo pajisje do të shërbejë edhe për rikuperimin optimal gjatë periudhave me ngarkesë të lartë stërvitore dhe konkurruese.

Krioterapia në Klinikën e Kombëtares, standard i ri rikuperimi

Krioterapia përfaqëson një nga metodat më moderne të rikuperimit sportiv. Teknologjia synon të ndihmojë në përshpejtimin e rikuperimit muskulor, reduktimin e inflamacionit, lehtësimin e lodhjes fizike dhe përmirësimin e performancës së sportistëve. Në këtë kuptim, integrimi i saj në klinikë vjen si një hap i rëndësishëm për ta bërë rikuperimin më të shpejtë dhe më të strukturuar, veçanërisht për futbollistët që përballen me cikle intensive stërvitore dhe ndeshje.

Përdorimi i krioterapisë është tashmë standard në qendrat më të avancuara sportive në Europë dhe në botë. Pikërisht për këtë arsye, Federata e shikon sjelljen e kësaj teknologjie si pjesë të përpjekjes së saj për të barazuar standardet e shërbimeve mjekësore sportive në Shqipëri me praktikat më të mira ndërkombëtare. Pajisjet CTN të sjella nga Finlanda dhe instalimi i tyre në Klinikën e Kombëtares synojnë të ofrojnë kushte të përshtatshme për trajtim, rikuperim dhe përgatitje të sportistëve.

Vendimi për investimin në këtë infrastrukturë moderne u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, pas një procesi të detajuar vlerësimi teknik dhe profesional. Përzgjedhja e pajisjeve nuk u mbështet vetëm në aspektet teknike, por edhe në analizën që u bë nga stafi mjekësor i ekipeve kombëtare. Ky staf ka shqyrtuar nga afër zgjidhjet teknologjike që ofroheshin nga prodhues të ndryshëm ndërkombëtarë, duke përzgjedhur modelin më të përshtatshëm për nevojat konkrete të klinikës dhe sportistëve.

Me këtë investim, FSHF konfirmon angazhimin e saj për të sjellë standardet më të larta të mjekësisë sportive në vend. Qëllimi është që futbollistët e ekipeve kombëtare të kenë në dispozicion të njëjtat kushte moderne për trajtim, rikuperim dhe performancë, si sportistët e elitës në qendrat më prestigjioze sportive europiane. Ndërsa procesi i instalimit vazhdon, Klinika e Kombëtares pritet të ofrojë një tjetër element modern në shërbimin e saj, duke i shtuar gamës së shërbimeve edhe krioterapinë, një teknologji kyçe për riaftësimin dhe menaxhimin e ngarkesës fizike.

Botuar fillimisht në Sport Ekspres

Exit mobile version