Kombëtarja e futbollit për persona me aftësi të kufizuara intelektuale do të përfaqësojë Shqipërinë në “Genuine Cup 2026”, një kompeticion ndërkombëtar që do të zhvillohet në Houston, Texas, SHBA. Aktiviteti është parashikuar nga 26 korriku deri më 2 gusht, duke shënuar pjesëmarrjen e parë të vendit tonë në një garë me përmasa të tilla ndërkombëtare.
FSHF e ka ndërtuar këtë përfaqësim me një skuadër të përbërë nga 12 futbollistë. Përpara nisjes, ekipi po kalon përgatitjet e fundit dhe vijon stërvitjen në “Shtëpinë e Futbollit”. Federata e sheh këtë si një hap të rëndësishëm jo vetëm në planin sportiv, por edhe si mundësi për t’u dhënë të rinjve një skenë ku të shprehen përmes futbollit.
Genuine Cup 2026, futboll gjithëpërfshirës për Shqipërinë
Prej disa muajsh, Federata Shqiptare e Futbollit ka punuar në bashkëpunim me organizatën Klubi Kombëtar i Prindërve të fëmijëve me CSA&P.A.K /Autizmi Flet për të përgatitur pjesëmarrjen e të rinjve me aftësi të kufizuara intelektuale në “Genuine Cup 2026”. Përgatitjet janë realizuar në mënyrë të vazhdueshme, me fokus te organizimi i ekipit dhe përfshirja e sportistëve në një program stërvitor që t’i përgatisë për garën në SHBA.
Në seancën e radhës stërvitore ishin të pranishëm Zv.presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu, si dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala. Prania e tyre erdhi si mbështetje e drejtpërdrejtë për procesin përgatitor dhe përfaqësimin që Shqipëria do të realizojë në arenën ndërkombëtare.
Në një prononcim për fshf.org, Evis Sala nënvizoi rolin e përfshirjes sociale dhe mënyrën se si futbolli mund të kontribuojë në këtë drejtim. Ministrja tha se është një arritje e madhe që, për herë të parë, një ekip shqiptar merr pjesë në “Genuine Cup 2026”. Ajo shtoi gjithashtu se Ministria ka kaluar nga mbështetja ekonomike në një përfshirje sociale të vërtetë, duke e shtrirë fokusin te sporti, kultura, arsimi dhe jeta e përditshme.
Edhe Geri Çipi theksoi impaktin e futbollit në krijimin e mundësive që personat me aftësi të kufizuara të zhvillojnë aktivitete në mënyrë të afërt me atë që bëjnë të tjerët. Zv.presidenti i FSHF-së e cilësoi këtë përfaqësim si rezultat të bashkëpunimit dhe angazhimit të Federatës me shoqatën përkatëse. Ai nënvizoi se mesazhi që përcjell futbolli është gjithëpërfshirës: të gjithë të ndihen njësoj dhe të kenë mundësinë për të zhvilluar një aktivitet normal.
Ndërkaq, Blendi Fevziu falënderoi të gjitha strukturat që bënë të mundur këtë përfaqësim dhe vlerësoi shembullin që jep skuadra në tejkalimin e sfidave. Duke iu referuar momentit të veçantë kur përfaqësia e Shqipërisë do të luajë në Houston, ai u shpreh se ky është një sinjal që në jetë nuk ka pamundësi dhe se futbolli është gjithëpërfshirës për ata që stërviten çdo ditë në futbollin profesionist, për amatorët dhe edhe për të rinjtë që kërkojnë ta tejkalojnë vështirësinë përmes sportit. Në këtë kuadër, Fevziu i drejtoi falënderime shoqatave, Ministres dhe përfaqësuesve të Federatës, që sipas tij kanë arritur t’i përfshijnë dhe t’i angazhojnë këta të rinj në strukturat e FSHF-së.
Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” vjen si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet FSHF-së dhe shoqatës. Përmes këtij angazhimi janë bërë të mundura krijimi, zhvillimi dhe mbështetja e ekipit, duke i dhënë personave me aftësi të kufizuara intelektuale mundësinë të jenë pjesë aktive e futbollit dhe të përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare. Projekti reflekton angazhimin për një futboll ku secili ka të drejtë të luajë, të zhvillohet dhe të ndjehet pjesë e komunitetit, pa dallime dhe pa kufizime.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres