Franca ka siguruar një vend në raundin e 16-të të Kupës së Botës pasi mposhti bindshëm Suedinë me rezultat 3-0 në stadiumin “MetLife”. Ekipi francez e dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke mos i dhënë Suedisë hapësira reale për t’u rikthyer në lojë.
Njeriu i ndeshjes ishte Kylian Mbappe, i cili shënoi dy gola. Ai e nisi rrugëtimin e golave për Francën me saktësi në pjesën e parë dhe më pas e vulosi fitoren në pjesën e dytë. Ndërkohë, një tjetër gol për “Gjelat” u shënua nga Bradley Barcola, i cili u përfshi vazhdimisht në aksionet sulmuese dhe ndikoi te rezultatet.
Ndërkohë, Suedia e nisi më mirë takimin dhe kërkoi menjëherë të krijonte rrezik. Rasti i parë erdhi në minutën e tretë, kur Alexander Isak provoi nga afër, por Mike Maignan ishte i vëmendshëm dhe e mbajti portën të paprekur. Edhe pse Suedia u shfaq më e mprehtë në momentet e para, pjesa tjetër e fraksionit të parë iu kthye tërësisht francezëve.
Pas minutës së tretë, presioni i Francës u rrit ndjeshëm. Në minutën e 20-të Mbappe dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Pak çaste më parë, Bradley Barcola kishte humbur një mundësi të artë, duke e treguar se ritmi dhe këmbëngulja e skuadrës franceze po sillnin raste njëri pas tjetrit. Adrien Rabiot, po ashtu, u ndal nga portieri Zetterström, ndërsa në minutën e 32-të Mbappe goditi shtyllën, duke e afruar edhe më shumë golin.
Dominimi i “Gjelave” u shpërblye në minutën e 45-të. Ousmane Dembele shërbeu për Mbappen dhe sulmuesi kaloi portierin suedez, duke e dërguar topin në rrjetë me një goditje të fuqishme për të kaluar Francën në avantazh 1-0. Para përfundimit të pjesës së parë, Suedia pati një shans të mirë për barazim gjatë kohës shtesë, por Stroud nuk arriti të gjente kuadratin, duke e dërguar topin mbi traversë.
Franca vendos “klasën” dhe siguron raundin e 16-të
Franca e nisi me qetësi pjesën e dytë, pa e ulur intensitetin. Vetëm në minutën e 53-të erdhi dyfishimi i epërsisë. Aurelien Tchouameni gjeti Olisen, i cili dërgoi një top perfekt në hapësirë për Bradley Barcolan dhe sulmuesi francez nuk gaboi, duke e çuar rezultatin në 2-0. Olise vazhdoi të ishte një kërcënim konstant për mbrojtjen suedeze dhe krijoi disa situata të rrezikshme, ndërsa Zetterström u tregua i vendosur në disa raste të mira.
Edhe pse gjithçka po i shkonte Francës në drejtimin e duhur, pati momente kur ekipi nuk arriti ta shfrytëzonte maksimalisht avantazhin. Në minutën e 71-të, mesfushori francez humbi një mundësi ideale pas një kundërsulmi të shpejtë. Megjithatë, fitorja u mbyll përfundimisht në minutën e 74-të. Përsëri në skenë doli Olise, i cili me një pasim fantastik nxori Mbappen përballë portës dhe kapiteni francez shënoi golin e dytë personal, duke e vendosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Deri në fund të takimit, të dy trajnerët kryen disa zëvendësime. Barcola dhe Viktor Gyokeres patën edhe raste të tjera për ta çuar rezultatin edhe më lart, por ndeshja u mbyll pa ndryshime të mëtejshme në shifrat e rezultatit. Me këtë fitore bindëse, Franca vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës dhe në fazën e 1/8 së finales do të synojë të kalojë edhe pengesën e quajtur Paraguai, i cili një ditë më parë eliminoi Gjermaninë pas ekzekutimit të penalltive.
Botuar fillimisht në Telegrafi








