Francа nuk e ka kthyer në alarm humbjen e befasishme 2:1 kundër Bregut të Fildishtë në një ndeshje përgatitore për Kupën e Botës, të entjen. Edhe pse rezultati nuk ishte ai që pritej, në kampin francez theksohet se kjo disfatë mund të shërbejë si kujtesë e dobishme dhe jo si arsye për shqetësim para se të nisë Botërori.
Skuadra e Didier Deschamps kaloi e para, duke u udhëhequr falë një goli të shkëlqyer nga Rayan Cherki. Megjithatë, “elefantët” e Bregut të Fildishtë arritën ta përmbysnin ndeshjen. Gueola Doue dhe Amad Diallo shënuan për fitoren e ekipit afrikan në Nantes, duke i dhënë fund planit të Francës për një provë pozitive para turneut.
Humbja shihet si paralajmërim para Botërorit
Dy mesazhe ishin të qarta te futbollistët: rezultati merret si pjesë e fazës së përgatitjeve, jo si sinjal për atë se çfarë do të ndodhë në Botëror. Mesfushori Aurelien Tchouameni, duke folur në prag të ndeshjes së parë të Francës në turne, e vendosi humbjen në kontekstin e punës që po bëhet. Ai tha se rezultati duhet të shihet si pjesë e përgatitjeve dhe jo si shenjë paralajmëruese.
“Është keq që kemi humbur, por jemi në fazën e përgatitjeve. Ne mbetemi me besimin e duhur”, ka deklaruar Tchouameni. Ai shtoi se nga kjo ndeshje nuk ka përfundime të menjëhershme, edhe nëse do të kishin fituar. Për të, qëllimi kryesor është të sigurohet gatishmëria për turneun: “Nuk ka asnjë përfundim për të nxjerrë nga kjo ndeshje, edhe nëse do të fitonim. Ne do të jemi gati”.
Në këtë periudhë, Franca nuk luajti me formacionin e saj më të fortë të mundshëm. Disa lojtarë të PSG-së, që fituan Championsin, u lanë të pushojnë. Po ashtu, Deschamps bëri ndryshime të shumta pas pjesës së parë, duke i dhënë hapësirë lojtarëve të tjerë në fushë. Edhe mbrojtësi Lucas Hernandez nuk i kushtoi peshë të madhe humbjes, duke e lidhur atë me faktin se po punohet në kuadër të përgatitjeve dhe me rotacionet e shumta gjatë takimit.
“Ne gjithmonë duam të fitojmë, por jemi në fazë përgatitore dhe pati shumë zëvendësime”, tha Hernandez. Ai u shpreh se përfaqësuesja është në disponim të mirë, duke e parë këtë ndeshje si pjesë të procesit për ta rritur qëndrueshmërinë dhe performancën. Selektori Didier Deschamps, megjithatë, pranoi se pas një pjese të parë që ishte inkurajuese, skuadra humbi kontrollin gjatë ndeshjes. Ai theksoi se kundërshtarët në SHBA do të kenë cilësi të ngjashme dhe ritëm të lartë, ndaj Franca do të duhet të përshtatet më mirë.
Deschamps paralajmëroi se humbja nuk është e këndshme, pavarësisht disa gjërave të mira që u shfaqën në pjesën e parë. Ai tha se në pjesën e dytë u bënë shumë ndryshime, por kjo nuk shërben si justifikim. Sipas tij, pas pushimit ekipi nuk ishte aq i mirë sa duhet dhe kundërshtarët sollën ritëm, që e vështirësoi lojën e Francës. Për të, ky është mësim që duhet të vlejë për sfidat e ardhshme: “Do të përballemi me skuadër të ngjashme më 16 qershor”, u shpreh ai.
Tekniku francez shtoi se rezultati mund të jetë i dobishëm, nëse ndikon që lojtarët të mos krijojnë vetëkënaqësi para Botërorit. “Është një paralajmërim, nëse kishim nevojë për atë, që të mos mendojmë se jemi më të mirë se sa jemi”. Po ashtu, edhe Cherki e trajtoi humbjen si sinjal për të ardhmen. Ai tha se në Botëror Franca nuk do të shkojë me bindjen se është favorite, por se do të përballet fort me çdo kundërshtar dhe do t’i “shtypin të gjithë”.
Franca e luan ndeshjen e parë në Botëror ndaj Senegalit në New York më 16 qershor. Në këtë garë, skuadra synon të jetë gati, duke i parë këto provat si hapa të nevojshëm drejt një botërori ku çdo detaj mund të vendosë fatet.
Botuar fillimisht në Koha.net
