Botërori i vitit 2026 që u zhvillua në SHBA, Kanada dhe Meksikë ka ngjallur një debat të ri, pasi një raport i përgatitur nga një panel ndërkombëtar ekspertësh po hedh dyshime mbi atë që ka ndodhur në tregjet e basteve. FIFA, nga ana tjetër, ka dhënë një përgjigje zyrtare duke thënë se nuk ka gjetur prova konkrete për ndeshje të manipuluara dhe se gjithçka ka ecur sipas pritshmërive edhe jashtë fushës.
Lajmin e raportoi “Bild” të enjten, duke iu referuar punës së bërë nga rrjeti ndërkombëtar “Grupi i Kopenhagenit”. Ky rrjet është krijuar nga Këshilli i Evropës, me objektiv për të luftuar manipulimin e ndeshjeve, dhe ka analizuar sinjale që lidhen me bastet sportive gjatë Kupës së Botës. Sipas gjetjeve, gjatë monitorimit u identifikuan shtatë parregullsi të dyshuara, të cilat u përshkruan si “flamuj të verdhë”.
Në raportin e përmbledhur, theksohet se lajmi i mirë është se nuk u gjetën prova konkrete për ndeshje të manipuluara. Megjithatë, monitorimi i të gjitha 104 ndeshjeve të turneut solli shfaqjen e shtatë sinjaleve të paralajmërimit. “Flamuri i verdhë” përfaqëson fazën e parë të sinjalizimit dhe nënkupton se mund të ketë patur parregullsi të mundshme në një ndeshje të caktuar, pa qenë kjo automatikisht provë e manipulimit.
“Flamujt” në raport ndahen në disa nivele. Niveli tjetër është portokallia, e cila tregon dyshime konkrete, ndërsa niveli më i lartë është e kuqja, që lidhet me prova të qarta ose shumë të forta të manipulimit të ndeshjeve. Sipas raportit, asnjë nga këto nivele më të larta nuk ishte i nevojshëm gjatë Kupës së Botës. Kjo do të thotë se, megjithëse sinjalizimet nisën, ato nuk u zhvilluan në indikatorë që kërkonin verifikim të mëtejshëm në shkallën që lidhet me manipulim të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, FIFA nuk e sheh këtë situatë si arsye për shqetësim. Organi qeverisës botëror deklaroi të martën se, bazuar në të gjitha të dhënat e mbledhura dhe të analizuara, Grupi Punues i Integritetit i FIFA-s nuk kishte gjetur “as aktivitet të dyshimtë bastesh dhe as ndonjë tregues të manipulimit të ndeshjeve” në lidhje me asnjë ndeshje. FIFA, gjithashtu, tha se shtatë shenjat paralajmëruese nuk u përmendën në komunikimin e saj përfundimtar.
FIFA pranon monitorimin, por mohon manipulimin e ndeshjeve
Në deklaratën e FIFA-s theksohet se bashkëpunimi ka qenë i ngushtë brenda grupit të punës, i cili përfshinte edhe “Grupin e Kopenhagenit”. Sipas FIFA-s, “indikacionet e mundshme të manipulimit të ndesjeve dhe çdo masë e nevojshme” u vlerësuan me ekspertizë në mënyrë të koordinuar dhe të shpejtë. Kështu, organizatorët e turneut kanë komunikuar se kanë ndërmarrë veprime analitike të shpejta mbi sinjalet që u shfaqën gjatë monitorimit.
“Grupi i Kopenhagenit”, po ashtu, ka theksuar se Kampionati Botëror, i zgjeruar në 48 ekipe, kërkon monitorim më të gjerë. Në fokus janë tregjet e basteve, lëvizjet e probabiliteteve dhe heqja e ofertave të dyshimta të basteve. Sipas planifikimit, Kampionati Botëror i vitit 2030 mund të ketë 64 ekipe, çka do të thotë se do të duhet të monitorohen edhe më shumë ndeshje, për të minimizuar rrezikun dhe për të përmirësuar reagimin kur shfaqen sinjale të dyshimta.
Botuar fillimisht në Koha.net






