Një studim i publikuar në revistën BMJ Global Health ka nxjerrë në pah se shumica e fëmijëve në botë nuk konsumojnë sasinë e rekomanduar të pemëve, perimeve, bishtajoreve, arrave dhe farave. Të dhënat e reja tregojnë se, edhe pse gjatë viteve ka pasur përmirësime në disa vende, modeli i të ushqyerit të fëmijëve vazhdon të mbetet larg standardeve që synojnë të sigurojnë një dietë të shëndetshme.
Sipas analizës së studiuesve, hulumtimi u bazua në më shumë se 1.200 anketa ushqimore të zhvilluara në 185 vende. Rezultatet tregojnë se numri i fëmijëve që marrin mjaftueshëm produkte bimore nuk është i mjaftueshëm, duke sugjeruar se dieta e tyre shpesh dominohet nga ushqime me vlera të ulëta ushqyese, ndërsa ato me bazë bimore nuk zënë vendin që u duhet.
Gjatë shpjegimeve për rëndësinë e ushqimeve të pasura me fibra, vitamina dhe minerale, mjekja amerikane Leana Wen ka theksuar se pemët dhe perimet janë thelbësore për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Ajo ka vënë në dukje se këto ushqime ofrojnë elementë të nevojshëm për organizmin dhe ndihmojnë në krijimin e një themeli të mirë shëndetësor.
Wen ka theksuar gjithashtu një aspekt që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e shëndetit: fëmijët që krijojnë zakone të shëndetshme ushqimore që në moshë të vogël kanë më shumë gjasa t’i ruajnë ato edhe si të rritur. Kjo, sipas saj, ndihmon në uljen e rrezikut për sëmundje kronike, përfshirë diabetin, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri.
Si të rritet pranimi i pemëve dhe perimeve tek fëmijët
Studimi vë në dukje se në SHBA foshnjat dhe fëmijët nën dy vjeç konsumojnë relativisht më shumë pemë dhe perime. Por me rritjen e moshës, ky konsum bie ndjeshëm. Studiuesit e lidhin këtë rënie me disa faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, si ndikimi i ushqimeve të përpunuara, reklamave dhe zakoneve që fëmijët krijojnë jashtë shtëpisë.
Në këtë kontekst, mjekja Leana Wen ka dhënë një këshillë të drejtpërdrejtë për prindërit: është normale që fëmijët të jenë zgjedhës në ushqim. Ajo u ka rekomanduar prindërve të mos dorëzohen dhe të mos e interpretojnë refuzimin e parë si përfundimtar. Sipas saj, mos e hiqni dorë nga një ushqim vetëm sepse fëmija e refuzoi një herë; përkundrazi, prindërit duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë rregullisht pemë dhe perime, pa i detyruar.
Wen ka nënvizuar se sa më shumë herë fëmijët i ekspozohen produkteve bimore, aq më shumë rriten gjasat që t’i pranojnë. Një tjetër këshillë e saj është përfshirja e fëmijëve në proces: fëmijët të marrin pjesë në blerinë dhe në përgatitjen e ushqimit, sepse kjo rrit interesin e tyre për të provuar ushqime të reja.
Studimi u publikua në të njëjtën periudhë kur autoritetet shëndetësore në SHBA po hetojnë një shpërthim të infeksionit Cyclospora, një parazit që mund të shkaktojë diarre dhe probleme të traktit tretës. Edhe pse ky lajm ka bërë që disa familje të tregohen më të kujdesshme, Wen ka theksuar se kjo nuk duhet të çojë në heqjen dorë nga konsumimi i pemëve dhe perimeve. Përfitimet shëndetësore që lidhen me dietën me bazë bimore janë shumë më të mëdha se shqetësimet, teksa prindërit inkurajohen të ruajnë praktika të sigurta dhe të vazhdojnë të krijojnë zakone të mira ushqimore.
Botuar fillimisht në Koha.net





