Fëmija që s’pranon “jo”: çfarë fshihet pas sjelljes së tij

Kur një fëmijë qan me ngulm, zemërohet kur i ndalohet diçka ose kërkon vëmendje në çdo moment, reagimi i parë i shumë prindërve është i njëjtë: “Është i llastuar!”. Por psikologjia tregon se këto sjellje nuk janë gjithmonë shenjë e llastimit. Në shumë raste, pas tyre fshihen arsye më të thjeshta dhe më konkrete që lidhen me moshën, gjendjen emocionale, lodhjen apo vështirësinë për të përballuar zhgënjimin.

Vëzhgoni fillimisht situatën: a qan sepse është i lodhur, i uritur apo i shqetësuar? A i ka kuptuar realisht fëmijës çfarë po i kërkohet prej tij? Ka fëmijë që kanë nevojë për afërsi emocionale dhe e shprehin këtë nevojë pikërisht kur nuk marrin atë që duan. Po ashtu, disa reagime vijnë sepse fëmija po mëson të menaxhojë emocionet e veta: kur dëgjon “jo”, ndjen zhgënjim dhe, për një moshë të caktuar, nuk di ende si të reagojë me qetësi.

Është e rëndësishme të kuptohet se shprehja “fëmijë i llastuar” përdoret shpesh në përditshmëri, por nuk është diagnozë psikologjike. Zakonisht përdoret për fëmijët që kërkojnë vazhdimisht diçka, reagojnë ashpër ndaj refuzimit ose presin që dëshirat t’u plotësohen menjëherë. Megjithatë, ky etiketim nuk i përgjigjet pyetjes më thelbësore: pse po ndodh kjo sjellje? Një fëmijë i vogël është duke mësuar të presë, të ndajë gjërat dhe të përballojë zhgënjimin; prandaj reagimet e tij nuk mund të gjykohen me të njëjtën logjikë si te një fëmijë më i madh.

Kufijtë ndihmojnë fëmijën të pranojë “jo” pa u thyer

Vendosja e kufijve nuk do të thotë mungesë dashurie. Përkundrazi, fëmijët kanë nevojë si për ngrohtësi emocionale, ashtu edhe për rregulla të qarta që i ndihmojnë të zhvillojnë vetëkontrollin. Kur rregullat janë të qarta dhe zbatohen vazhdimisht, fëmija ndihet më i sigurt, sepse e kupton se çfarë pritet prej tij dhe çfarë ndodh nëse nuk respekton një rregull.

Në të njëjtën kohë, edhe kur prindi vendos kufij drejt dhe me qartësi, zhgënjimi mund të shfaqet prapë. Zemërimi dhe pakënaqësia janë reagime të natyrshme kur fëmija nuk merr diçka që dëshiron. Roli i prindit është të pranojë emocionin pa ndryshuar vendimin. Për shembull, në vend që të përshkallëzohet debati, mund të thuhet: “E kuptoj që je i mërzitur sepse sot nuk mund ta blejmë këtë lodër”. Kjo fjali i tregon fëmijës se ndjenjat e tij dëgjohen, por kërkesa nuk plotësohet.

Për ta menaxhuar më lehtë situatën, këshillohet të ruhet qetësia, të jepen shpjegime të shkurtra dhe të shmangen diskutimet e gjata gjatë një shpërthimi emocional. Një element tjetër që shpesh anashkalohet është se fëmijët mësojnë edhe nga reagimet e të rriturve. Nëse prindërit reagojnë vetëm kur fëmija bërtet, ndërsa sjelljet e qeta kalojnë pa vëmendje, fëmija mund ta përdorë gjithnjë e më shpesh mënyrën e bërtitjes për të tërhequr vëmendje. Prandaj, është e rëndësishme të vlerësohen sjelljet pozitive. Qëllimi nuk është një lavdërim i përgjithshëm si “Bravo!”, por vlerësim i saktë për atë që ka ndodhur: “Faleminderit që prite derisa e përfundova bisedën”. Po ashtu, koha e përbashkët nuk duhet të lidhet vetëm me “shpërblime” pas sjelljeve problematike; edhe disa minuta lojë, bisedë ose vëmendje e pandërprerë çdo ditë ndihmojnë në forcimin e lidhjes emocionale.

Si të vendosen rregulla pa e poshtëruar fëmijën? Fillimi duhet të jetë me rregulla të thjeshta, të përshtatshme për moshën, që i dinë të gjithë të rriturit në familje. Fëmija duhet ta dijë paraprakisht çfarë pritet prej tij dhe cilat janë pasojat e arsyeshme nëse nuk respekton një rregull. Ndëshkimi fizik, kërcënimet dhe poshtërimi nuk janë mënyra të përshtatshme për të mësuar disiplinën. Programet e edukimit prindëror tregojnë se mënyrat e reagimit ndaj sjelljeve problematike mund të mësohen dhe përmirësohen, ndërsa synimi nuk është që fëmija të mos kundërshtojë kurrë, por të mësojë gradualisht t’i menaxhojë emocionet dhe të respektojë kufijtë.

Një këshillë tjetër lidhet me krahasimet. Fjalitë si “Shiko sa mirë sillet vëllai yt!” ose “Fëmijët e tjerë nuk bëjnë kështu!” mund të shkaktojnë turp dhe ndjenjë pamjaftueshmërie. Më e dobishme është t’i flitet fëmijës qartë për atë që pritet prej tij dhe të matet përparimi duke krahasuar sjelljen aktuale me atë të mëparshme. Edhe nëse fëmija ende zemërohet kur dëgjon “jo”, është e rëndësishme të vlerësohen ndryshimet: mund të qetësohet më shpejt, të arrijë ta shprehë pakënaqësinë me fjalë ose të ulë intensitetin e shpërthimeve. Këto janë hapa të rëndësishëm drejt vetëkontrollit.

Kur duhet kërkuar ndihma e psikologut? Nëse shpërthimet emocionale janë shumë të shpeshta, zgjasin gjatë ose ndikojnë seriozisht në jetën familjare, në kopsht apo në shkollë, këshillimi profesional mund të jetë i nevojshëm. E njëjta vlen kur fëmija lëndon veten apo të tjerët, ose kur vërehen ndryshime të papritura në sjellje. Ndonjëherë, pas asaj që quhet “llastim” fshihen vështirësi në komunikim, gjumë, vëmendje ose rregullim emocional. Në fund të fundit, fëmija mund të jetë shumë i dashur dhe të njëjtën kohë të dëgjojë fjalën “jo”. Dashuria i jep siguri, ndërsa kufijtë i ndihmojnë të zhvillojë durimin, përgjegjësinë dhe pavarësinë. Prandaj, më e dobishme se etiketa “i llastuar” është të kuptohet çfarë po përpiqet të tregojë fëmija përmes sjelljes së tij.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version