Etika dhe verifikimi në kronikën e zezë: si raporton gazetari

Gazetaria, sidomos kur përballet me situata të rënda, nuk matet vetëm me shpejtësinë e publikimit. Në kohë krizash, kur publiku kërkon përgjigje dhe pret informacione të menjëhershme, roli i gazetarit bëhet edhe më i ndjeshëm. Siç theksohet në traditën profesionale të raportimit, llogaridhënia nuk përfundon me konstatimin se “diçka ka ndodhur”, por nis me detyrimin për të kuptuar rrethanat, për të verifikuar faktet dhe për të shmangur çdo formë sensacionalizmi.

Në kronikën e zezë dhe në ngjarjet me ndjeshmëri të lartë shoqërore, sfida nuk qëndron vetëm te marrja e informacionit, por te mënyra si ai prezantohet. Etika duhet të jetë busulla që orientojnë çdo hap: kufiri mes interesit publik dhe cenimit të dinjitetit njerëzor, kufiri mes informimit dhe shtytjes drejt titujve tronditës pa bazë, dhe kufiri mes së drejtës për të ditur dhe përgjegjësisë për të mos dëmtuar. Pa këto rregulla të brendshme, gazetaria rrezikon besueshmërinë, ndërsa pa verifikim të rreptë rrezikon vetë të vërtetën.

Gazetaria ka një kompleksitet që nuk krahasohet lehtë me profesionet e tjera. Një thënie e gazetarit britanik David Randall e përmbledh këtë realitet: kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuajë flakët, ndërsa gazetari duhet t’u tregojë një milion njerëzve se kush e ndezi shkrepësen dhe pse. Kjo ide shpjegon pse puna e gazetarit nuk mbyllet me faktin e thjeshtë të ngjarjes, por kërkon qasje të plotë, të kujdesshme dhe të mbështetur te fakte të verifikuara.

Verifikimi dhe etika: thelbi kur raportojmë në kohë krize

Në momentet kur shoqëria është nën presion, përgjigjet bëhen kërkesë e përditshme. Qytetarët duan të dinë çfarë ka ndodhur, kush është i përfshirë, cilat janë pasojat dhe çfarë po bëjnë institucionet kompetente. Këtu mediat dhe gazetarët marrin rol të rëndësishëm jo vetëm në informimin e publikut, por edhe në transparencën institucionale dhe llogaridhënien. Megjithatë, pikërisht kur publiku pret informacion “tani”, gazetari duhet të tregojë se nuk është rob i presionit të afatit, i garës mediatike apo i logjikës së klikimeve.

Gazetaria profesionale nuk është garë për të publikuar e para një fotografi, një emër, një pretendim apo një informacion të pakonfirmuar. Nuk është garë për tituj tronditës dhe interpretime të pambështetura. Përkundrazi, gazetari duhet të përgatitet fizikisht, psikologjikisht, emocionalisht dhe intelektualisht. Ai duhet të jetë vigjilent, këmbëngulës, i pranishëm në terren dhe i aftë të komunikojë me maturi me të gjithë: institucionet, dëshmitarët dhe familjarët e viktimave. Në terren, situatat mund të jenë të paparashikueshme, por përgjegjësia mbetet konstante.

Një pjesë e kësaj përgatitjeje lidhet drejtpërdrejt me njohuritë juridike. Raportimi për vrasje, vrasje të rënda, plagosje, dhunë në familje, dhunime, grabitje, trafikim, korrupsion dhe forma të tjera të kriminalitetit nuk mund të trajtohet me të njëjtat terma si lajmet e zakonshme. Gazetari duhet t’i njohë dallimet mes personit të dyshuar, të ndaluarit, të arrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit, sepse këto nuk janë sinonime dhe nuk duhen përdorur pa kujdes vetëm për të bërë titullin më të “fortë”. Një person i dyshuar nuk është person i dënuar; një aktakuzë nuk është aktgjykim; një arrestim nuk dëshmon fajësi dhe një deklaratë e dhënë në polici nuk përbën domosdoshmërisht një përfundim të pakontestueshëm të një procedure penale.

Po ashtu, një parim që nuk duhet të negociohet është prezumimi i pafajësisë. Një nga gabimet më të shpeshta në raportimet për kronikën e zezë është shpallja e parakohshme e fajësisë përmes titujve, formulimeve dhe interpretimeve. Kur termat përzihen ose kur procesi gjyqësor paraqitet sikur të kishte përfunduar, rrezikohet të krijohet dezinformim dhe të cenohet reputacioni i individëve. Prandaj, njohja e terminologjisë juridike nuk duhet të shihet si privilegj i atyre që mbulojnë vetëm gjykatat, por si pjesë bazë e përgatitjes së çdo gazetari që trajton çështje kriminale. Vetëm kështu ruhet saktësia, paanshmëria dhe qasja profesionale që kërkon shoqëria në kohë krizash.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version