Viti 2026 po shihet si një prej atyre viteve që mund të hyjnë në histori për shkak të një episodi shumë të fortë të El Niños, fenomen ky natyror klimatik që lidhet me ndryshimet e temperaturës në Oqeanin Paqësor. Ndërsa bota po përgatitet për valë të mundshme moti ekstrem, institucionet ndërkombëtare theksojnë se intensiteti i këtij El Niños ka nisur të rritet dhe se pritet të ndikojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.
El Niño shfaqet në mënyrë të parregullt, zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet, kur temperaturat e sipërfaqes së detit në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor rriten në mënyrë të pazakontë. Ekspertët paralajmëruan që në fillim të vitit për mundësinë e formimit të një episodi të fuqishëm, duke u mbështetur në sasinë e madhe të nxehtësisë së akumuluar në shtresat e poshtme të oqeanit dhe në dobësimin e pritshëm të erërave tregtare.
Në javën e parë të qershorit, Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) konfirmoi zyrtarisht se kushtet e El Niños kishin filluar. Më pas, nga fundi i verës, paralajmërimet u bënë edhe më serioze: fenomeni mund të bëhej më i fuqishmi që nga shekulli XIX. Për këtë arsye, në raportime u përdor edhe nofka “El Niño Godzilla” ose “Super El Niño”, duke sinjalizuar rrezikun e kushteve më ekstreme se në epizodet e zakonshme.
Kur pritet kulmi: El Niño në dhjetor, ndikimet deri në 2027
Sipas OBM-së, temperaturat e sipërfaqes së detit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit tropikal pritet të arrijnë nivele rekord gjatë tetorit, nëntorit dhe dhjetorit. Për matjen e këtyre ndryshimeve përdoret indeksi Niño 3.4, i cili në qershor 2026 u rrit nga një mesatare prej 1.6 gradësh Celsius mbi normalen, duke arritur në 2.5 gradë mbi normalen në gusht. Për periudhën tetor–dhjetor, parashikimet tregojnë se anomalia mesatare mund të arrijë rreth 3.7 gradë Celsius mbi normalen.
Kjo vlerë, nëse realizohet, do të ishte më e larta që nga fillimi i matjeve dhe do të tejkalonte rekordin e mëparshëm prej 2.6 gradësh, të regjistruar gjatë periudhës nëntor 2015–janar 2016. OBM thekson se episodet e mëparshme të El Niños kanë lënë gjurmë në forma të ndryshme: nga temperatura rekord dhe thatësira të zgjatura, deri te përmbytjet e menjëhershme dhe zjarret shkatërruese në pjesë të ndryshme të botës.
Ndikimet e fenomenit ndihen kryesisht në zonat tropikale, por edhe Evropa mund të përjetojë dimra më të butë dhe më të lagësht. Kulmi i El Niños pritet të ndikojë edhe në vorbullën polare, duke rritur mundësinë e episodeve të motit të ftohtë. Në të kaluarën, Amerika e Jugut, jugu i Shteteve të Bashkuara, Afrika Lindore dhe Azia Qendrore kanë pasur rrezik më të madh për përmbytje gjatë episodeve të mëparshme, ndërsa në pjesë të mëdha të Australisë, në veri të Amerikës së Jugut dhe në disa vende aziatike, si Indonezia, rriten rreziqet nga thatësirat dhe zjarret.
Përveç motit, El Niño mund të sjellë pasoja edhe për furnizimin me ushqime në disa rajone të tjera. Instituti IHE Delft për Edukimin mbi Ujin në Holandë paralajmëron se disa produkte bujqësore që Evropa importon mund të preken. Në Nikaragua, për shembull, të korrat e misrit dhe fasuleve mund të dështojnë në zonat tashmë të cenueshme, duke rritur pasigurinë ushqimore dhe duke sjellë humbje të të ardhurave. Në Kolumbi, Brazilin verilindor dhe Indi, mungesa e reshjeve dhe ulja e prurjeve të lumenjve mund të kufizojnë ujitjen e kulturave bujqësore, duke rritur varësinë nga ujërat nëntokësore dhe duke çuar potencialisht në mungesa në eksportet bujqësore.
Sa i përket kohëzgjatjes, OBM-ja vlerëson se El Niño pritet të arrijë kulmin në dhjetor dhe të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Sekretarja e përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo, tha se fenomeni është vendosur plotësisht dhe po forcohet me shpejtësi, ndërsa parashikimet e organizatës tregojnë një probabilitet pothuajse 100 për qind që El Niño të zgjasë deri në shkurt të vitit 2027. Sipas saj, kjo periudhë do ta bënte episodin potencialisht një nga më të fuqishmit që nga viti 1950. OBM-ja thekson se ky parashikim nuk mbështetet në një model të vetëm klimatik: të dhënat vijnë nga bojat matëse në oqean, satelitët dhe instrumentet meteorologjike të 13 qendrave kombëtare dhe ndërkombëtare. El Niño nuk pritet të përfundojë para pranverës së vitit 2027, ndërsa ndikimet mund të vazhdojnë edhe më gjatë.
Gjatë kësaj periudhe, rritja e temperaturave globale është një tjetër element që i shton peshën parashikimeve. Shumica e episodeve të El Niños rrisin temperaturën mesatare globale me rreth 0.2 gradë Celsius. Edhe pse kjo mund të nxisë kushte ekstreme të motit, është më e vogël krahasuar me ngrohjen e shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Ngrohja globale nga aktivitetet njerëzore ka rritur temperaturën mesatare të sipërfaqes së Tokës me rreth 1.3 deri në 1.4 gradë Celsius krahasuar me periudhën para industrializimit. Kjo është shoqëruar me verëra përvëluese, thatësira të zgjatura dhe zjarre shkatërruese që kanë prekur Evropën dhe rajone të tjera. Në një planet tashmë më të ngrohtë, ndikimet e El Niños mund të intensifikohen, duke rritur gjasat që viti i ardhshëm të shënojë rekorde të reja të temperaturave globale. Për kontekst, viti 2025 ishte viti i tretë më i ngrohtë.
Botuar fillimisht në Telegrafi






