Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për “Top Channel” në një intervistë me gazetarin Endi Tufa, ku ka ndalur te zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, ecuria e ekipeve Kombëtare dhe sfidat që e presin sportin në vend. Në fokus të bisedës ka qenë edhe projektligji për sponsorizimet dhe donacionet, i cilësuar nga Duka si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e sportit, por që, sipas tij, duhet të përmirësohet që të funksionojë në mënyrë të vërtetë për klubet dhe strukturat e futbollit.
Ndërsa vlerëson idenë e mbështetjes përmes sponsorizimeve dhe donacioneve, Presidenti i FSHF-së kërkon që ky kuadër të jetë më praktik dhe më i qartë për bizneset që investojnë në sport. Ai shprehet se nevojitet ulje e burokracisë, rritje e sigurisë për kompanitë dhe një mekanizëm që të krijojë mbështetje të qëndrueshme. Sipas tij, mbështetja duhet të arrijë në mënyrë reale te klubet, akademitë dhe infrastruktura sportive, duke i dhënë futbollit një bazë më të fortë për planifikim afatgjatë.
Sponsorizimi duhet të jetë funksional për sportin
Në intervistë, Duka ka folur edhe për rezultatet e muajit nëntor, duke e lidhur ecurinë pozitive me punën e ekipit dhe angazhimin e futbollistëve. Ai i referohet vendit të parë të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, duke e quajtur arritje të rëndësishme, që në fakt përputhej me objektivin e vendosur. Presidenti i FSHF-së shpjegon se synimi i federatës ishte pikërisht renditja në vendin e parë dhe se, për këtë, duhen punë dhe përkushtim nga të gjithë.
Duka ka kërkuar që vëmendja të ndahet edhe te roli i tifozëve, të cilët, sipas tij, kanë dhënë mbështetjen e tyre edhe kur kompeticioni nuk ishte ndjekur shumë më parë dhe kur ndeshjet në Shqipëri shiheshin si jo shumë të rëndësishme. Ai rikujton shembullin e ndeshjes me San Marinon, ku pritshmëria mund të ishte më e ulët për shkak të lojës dhe rezultatit, por tifozët, pavarësisht dyshimeve, e kanë mbështetur ekipin deri në fund, derisa erdhi rezultati.
Një tjetër pjesë e intervistës lidhet me trajnerët dhe me procesin e zgjedhjes së stafit, duke nisur nga Silvinjo dhe më pas te Maran. Presidenti i FSHF-së thotë se emërimi i trajnerit aktual, Maran, fillimisht nuk u prit domosdoshmërisht me entuziazëm. Sipas tij, dy ndeshjet e para miqësore krijuan pikëpyetje, jo vetëm për të, por edhe për ata që i ndoqën takimet, madje edhe për vetë trajnerin, lidhur me aftësinë për ta çuar projektin përpara. Megjithatë, me nisjen e ndeshjeve zyrtare, situata ndryshoi: ekipi pati paraqitje më të mirë dhe tregoi një futboll më cilësor.
Duka thekson se bindja e tij ka qenë që trajneri nuk u zgjodh rastësisht. Ai shprehet se, pavarësisht se rezultati nuk vjen gjithmonë, me këtë trajner ekipi po tregon një futboll të bukur, me një Shqipëri më agresive dhe më sulmuese. Si shembull, ai përmend edhe ndeshjen në Finlandë, ku, edhe pse rezultati ishte i vështirë, skuadra ka pasur një paraqitje të mirë për minuta të tëra. Presidenti i FSHF-së shton se edhe pas kartonit të kuq ekipi vazhdoi të luante mirë, por në atë rast rezultati e penalizoi.
Në fund, Duka flet për rëndësinë e tranzicionit në Kombëtare dhe për nevojën për afrimin e futbollistëve të rinj. Ai pranon se ndoshta futbollistët e rinj mund të ishin aktivizuar më shumë, duke theksuar se ka cilësi te skuadrat kombëtare të moshave, si U21 ashtu edhe U19. Presidenti i FSHF-së përmend se këta të fundit kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në kualifikueset e Europianit në Qipro, duke marrë dy fitore 4-0, dhe sugjeron që disa nga këta emra të afroheshin më herët për të pasur më shumë alternativa për të ardhmen. Në të njëjtën linjë, ai thekson edhe rëndësinë që trajneri të fusë lojtarë të rinj në një moment kur një pjesë e atyre që më parë kanë qenë liderë po i afrohet një moshe më të avancuar.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
