Dinamo ka zhvilluar një ndeshje miqësore pasditen e sotme kundër Otrant Olympic, skuadrës shqiptare nga Ulqini që aktualisht kryeson kampionatin në Malin e Zi. Takimi u zhvillua në frymën e një miqësie vëllazërore dhe dhuroi një lojë të hapur e me shumë raste, teksa “Blutë” e trajnerit Ilir Daja treguan se po gjejnë ritmin e duhur në këtë fillim sezoni.
Trajneri Ilir Daja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kiri; Ismaili, Sembene, Alhassan, Lorran, Vila, Meta, Ajzeraj, Ruçi, Farruku, Mustapha. Qysh nga minutat e para, Dinamo mori kontrollin e lojës, duke qarkulluar topin dhe duke kërkuar vazhdimisht portën kundërshtare. Presioni i vendosur nga djemtë e Dajës solli hapësira në prapavijë të Otrant Olympic dhe epërsia erdhi shpejt.
Në minutën e 12-të, Farruku zhbllokoi rezultatin, duke finalizuar saktë një pasim fantastik të Ajzerajt. Dinamo vazhdoi të ruante ritmin dhe dominimin, ndërkohë që Otrant Olympic nuk qëndroi duarkryq. Skuadra ulqinake arriti të reagojë shpejt dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 16-të, duke e bërë ndeshjen edhe më të diskutueshme.
Farruku i vendos vulën Dinamos, 3 gola në miqësoren ndaj Otrant
Vetëm gjashtë minuta pas barazimit, Blutë kaluan sërish në avantazh. Këtë herë ishte Ruçi ai që realizoi golin e dytë për Dinamon, duke goditur bukur fluturimthi pas pasimit të marrë nga Skënder Meta. Në fundin e pjesës së parë, Dinamo arriti të shkonte edhe më larg, duke shënuar golin e tretë. Farruku u shfaq edhe njëherë protagonist, duke finalizuar pas një asisti perfekt të Ismailit, duke e dërguar skuadrën në pushim me rezultatin 3-1.
Pjesa e dytë nisi me tri zëvendësime për Blutë. Sali, Xhejms dhe Manellari morën vendet e Kirit, Ismailit dhe Vilës. Edhe pas kësaj faze, Dinamo vijoi të kontrollonte lojën dhe të krijonte raste për të rritur diferencën. Trajneri Daja bëri të tjera ndryshime në minutën e 65-të: largoi nga fusha Metën, Sembenen dhe Mustaphën, ndërsa aktivizoi Jonathan, Gudiabi dhe Nani. Kjo qasje e shoqëruar me rotacione ndikoi në intensitetin e lojës, por Dinamo mbeti aktive në sulm dhe e organizuar në fazën mbrojtëse.
Në minutën e 73-të erdhën zëvendësime të reja. Lorran, Ruçi dhe Ajzeraj lanë fushën, ndërsa në vendet e tyre u aktivizuan Rama, Bleta dhe Lushaku. Rezultati megjithatë nuk ndryshoi ritëm, sepse vetëm dy minuta më vonë, Farruku kompletoi tripletën personale. Në minutën e 75-të ai shënoi golin e tij të tretë të ndeshjes, duke shënuar edhe të katërtin për Dinamon. Pas këtij momenti, skuadra vazhdoi të menaxhonte avantazhin, ndërkohë që kundërshtari kërkonte të gjente përgjigje, por pa arritur të rrezikonte seriozisht portën e Blutë.
Në minutën e 77-të, trajneri Ilir Daja bëri edhe dy ndryshime të tjera. Biden, i cili aktivizohet me ekipin B të Dinamos, mori vendin e Farrukut, ndërsa Kruja u hodh në fushë në vend të Alhassan. Në minutat e mbetura rezultati nuk ndryshoi dhe takimi u mbyll me fitoren 4-1 të Dinamos ndaj Otrant Olympic. Për Dinamon, miqësorja shërbeu si një test i mirë për fazat e lojës dhe për konfirmimin e formës së sulmit, sidomos falë paraqitjes së Farrukut, i cili mbylli ndeshjen me tre gola.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
