Kosova po i afrohet sezonit dimëror 2026/2027 me sfida të mprehta në furnizimin me energji elektrike. Vendit i duhet të menaxhojë një situatë ku varësia nga importet është e lartë, kërkesa rritet ndjeshëm në muajt e ftohtë dhe kufizimet në kapacitetet prodhuese vendore e bëjnë më të vështirë mbajtjen e balancës së sistemit. Për më tepër, çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare rrisin koston që bartet nga zinxhiri i furnizimit.
Të dhënat e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) tregojnë se gjatë vitit 2025 Kosova importoi rreth 1.96 milionë megavat-orë energji elektrike. Kjo shifër është më e lartë se rreth 1.38 milionë megavat-orë të importuara në vitin 2024, duke nënkuptuar një rritje prej rreth 42 për qind brenda një viti. Në këtë kontekst, përveç sasisë së importit, rëndësi ka edhe çmimi me të cilin sigurohet energjia nga jashtë.
Sipas të dhënave të ZRRE-së, çmimi mesatar i importit përmes kontratave komerciale gjatë vitit 2025 ishte 121.56 euro për megavat-orë. Megjithatë, rregullatori ka theksuar se të dhënat që lidhen me kostot e lejuara në MAR (për periudhën 2016–2024) pasqyrojnë shpenzimet e planifikuara në kuadër rregullativ dhe nuk janë domosdoshmërisht të barabarta me pagesat faktike që bëhen për importin e energjisë.
Importet rritin koston, dimri kërkon koordinim të vazhdueshëm
Në prag të sezonit dimëror, ZRRE-ja ka bërë të ditur se përgatitjet kërkojnë angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë akterët e sektorit energjetik. Sipas përgjigjeve të rregullatorit, synohet koordinim i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe monitorim i afërt i prodhimit vendor, kërkesës, kapaciteteve të rrjetit dhe mundësive për sigurimin e energjisë nga tregu. Rregullatori vlerëson se institucionet dhe operatorët përkatës janë të angazhuar në marrjen e masave për të garantuar furnizimin gjatë periudhës së konsumit të lartë.
Përgatitjet, sipas ZRRE-së, përfshijnë optimizimin e kapaciteteve prodhuese vendore, mirëmbajtjen dhe përgatitjen e rrjetit, si dhe sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për import dhe balancim të sistemit. Në të njëjtën kohë, rregullatori ka sqaruar kufijtë e kompetencave: përgjegjësia për planifikimin dhe menaxhimin operativ të furnizimit nuk i takon drejtpërdrejt atij. ZRRE-ja, në kuadër të rolit të saj, monitoron përmbushjen e detyrimeve të operatorëve dhe furnizuesve të licencuar.
Përveç vitit 2025, kostoja e importit vazhdon të mbetet faktor i rëndësishëm edhe gjatë vitit 2026. Të dhënat e dërguara nga ZRRE-ja për Lajmi.net tregojnë se gjatë periudhës janar-shtator 2026 janë importuar 306 mijë e 660 megavat-orë energji elektrike me vlerë prej 37 milionë e 309 mijë e 865 eurosh, sipas të dhënave të KESCO/FSHU-së. Ndërkaq, të dhënat e KEDS-it për të njëjtën periudhë flasin për 329 mijë e 593.4 megavat-orë, me vlerë prej 39 milionë e 508 mijë e 59.71 eurosh. ZRRE-ja i ka paraqitur këto të dhëna veçmas për dy subjekte, prandaj ato nuk duhet të trajtohen si një shifër e vetme e importit pa sqaruar dallimet në raportim.
Në përgjigjet e saj lidhur me obligimet si furnizues i energjisë elektrike, KESCO ka theksuar se vepron në përputhje me legjislacionin dhe kërkesat rregullative në fuqi. Në njoftimin e KESCO-s për lajmi.net thuhet se kompania, si subjekt i rregulluar nga ZRRE-ja dhe kompani e licencuar, operon sipas obligimeve ligjore dhe rregullative, përfshirë raportimin dhe ofrimin e të dhënave pranë institucionit rregullator.
Sa i përket arsyeve pse Kosova vazhdon të blejë energji nga jashtë, ZRRE-ja e lidh problemin kryesisht me diferencën mes kërkesës për energji elektrike dhe energjisë që mund të sigurohet nga prodhimi vendor. Kjo nevojë, sipas rregullatorit, është veçanërisht e theksuar gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa rritet ndjeshëm. Një tjetër faktor i përmendur është disponueshmëria e njësive prodhuese vendore, përfshirë periudhat kur ato janë jashtë funksionit për shkak të mirëmbajtjes dhe rehabilitimit. ZRRE-ja ka përmendur edhe mospërputhjen ndërmjet orareve të prodhimit dhe konsumit, duke shpjeguar se nevoja për import mund të shfaqet edhe nga diferencat në orët e pikut, pavarësisht bilancit vjetor të energjisë.
Botuar fillimisht në Gazeta Express
