Një studim i ri sugjeron se ushqyerja me pak ushqime që nxisin inflamacionin mund të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës. Efekti u vu re edhe te personat që kishin shenja të hershme biologjike të sëmundjes së Alzheimerit, duke hapur hapësira të reja për mënyrën se si njerëzit e trajtojnë shëndetin përpara se sëmundja të shfaqet qartë.
Rezultatet vijnë nga një hulumtim i publikuar në revistën shkencore “JAMA Network Open”. Studiuesit ndoqën më shumë se 1.800 persona mbi 60 vjeç në Suedi, të cilët në fillim të studimit nuk kishin shenja të demencës. Gjatë një periudhe deri në 15 vjet, 240 prej këtyre pjesëmarrësve u diagnostikuan me demencë.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me mënyrën e të ushqyerit: personat që ndiqnin një regjim ushqimor me potencial më të ulët inflamator kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë. Kjo është shpjeguar nga ekspertja e CNN për shëndetin, mjekja Leana Wen, e cila ka theksuar se studiuesit zbuluan një lidhje të qartë mes dietës dhe rrezikut për zhvillimin e demencës.
te personat me nivele të larta të biomarkerit p-tau217, i lidhur me sëmundjen e Alzheimerit, ndjekja e një diete anti-inflamatore u shoqërua me një rrezik 29 për qind më të ulët për zhvillimin e demencës. Ky detaj e bën studimin veçanërisht të rëndësishëm, sepse tregon se dieta mund të ketë vlerë edhe te individët që kanë shenja paraprake biologjike.
Dieta anti-inflamatore: më pak inflamacion, rrezik më i ulët për demencë
Wen ka sqaruar se nuk ekziston një dietë zyrtare e quajtur “anti-inflamatore”. Në fakt, ky term i referohet një mënyre ushqyerjeje që ndihmon në uljen e inflamacionit kronik në organizëm. Theksi bie te zgjedhjet e përditshme ushqimore dhe jo te një dietë e vetme me emër specifik.
Sipas mjekes, një qasje e tillë përfshin rritjen e konsumit të perimeve dhe frutave, si dhe të bishtajoreve, arrave dhe farave. Po ashtu, rekomandohet përfshirja e drithërave të plota në vaktet ditore. Për balancim, ushqimet e përpunuara, pijet me shumë sheqer dhe mishi i kuq duhen kufizuar.
Wen ka theksuar se kjo mënyrë ushqyerjeje është shumë e ngjashme me dietën mesdhetare. Dieta mesdhetare njihet për kombinimin e produkteve bimore, yndyrnave të shëndetshme dhe drithërave të plota, ndërsa përpiqet të reduktojë produktet e përpunuara dhe përbërësit që lidhen me rritjen e inflamacionit në organizëm.
Në shpjegimin e saj, mjekja ka sqaruar edhe arsyen pse inflamacioni mund të lidhet me shëndetin e trurit. Inflamacioni është një reagim normal i organizmit ndaj infeksioneve ose dëmtimeve. Megjithatë, kur ai vazhdon për vite me radhë, mund të dëmtojë enët e gjakut dhe qelizat nervore të trurit, duke kontribuar në rënien e kujtesës dhe funksioneve njohëse.
Edhe pse gjetjet janë inkurajuese, Wen ka dhënë një paralajmërim të rëndësishëm: studimi nuk provon se dieta parandalon demencën. Ajo theksoi se kjo ishte një analizë vëzhguese, prandaj nuk mund të thuhet me siguri se ushqyerja e pengoi sëmundjen. Megjithatë, studimi ofron një sinjal të qartë se rregullimi i dietës, sidomos në drejtim të uljes së potencialit inflamator, mund të ketë lidhje me uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës.
Botuar fillimisht në Koha.net






