Dhimbja e barkut para nisjes për në shkollë është një ankesë që shumë prindër e dëgjojnë në mëngjes, shpesh kur dita ende s’ka nisur. Në disa raste, fëmija thotë: “Mami, më dhemb barku, nuk mund të shkoj në shkollë”, ndërsa prindërit përpiqen të menaxhojnë orarin, mëngjesin dhe përgatitjet. Reagimi i parë zakonisht është shqetësim i menjëhershëm: a është problem me tretjen, a ka ngrënë diçka të gabuar, apo mos po ndodh diçka që kërkon kontroll.
Megjithatë, dhimbja e barkut te fëmijët nuk është gjithmonë shenjë e një problemi fizik. Te shumë prej tyre, ankesa del si rrjedhojë e stresit, ankthit ose pasigurisë emocionale. Me fjalë të tjera, trupi mund të shfaqë shqetësime në formën e dhimbjes, ndërsa shkaku kryesor është gjendja emocionale që fëmija po përjeton. Kjo nuk do të thotë se fëmija e sajon dhimbjen apo po shtiret; lidhja mes emocioneve dhe ndjesive fizike është e njohur dhe e vërtetuar në mjekësi.
Howard Schubiner, profesor i mjekësisë klinike në Fakultetin e Mjekësisë të Michigan State University, shpjegon se kur një fëmijë ankohet për dhimbje barku para shkollës, shpesh ka më shumë gjasa të bëhet fjalë për një reagim ndaj stresit emocional sesa për një problem të tretjes. Në një podcast të publikuar së fundmi në YouTube, ai thekson se “kur një fëmijë ankohet për dhimbje barku para shkollës, ka shumë mundësi që të mos bëhet fjalë për një problem fizik”. Sipas tij, më e mundshme është që në jetën e fëmijës të ketë diçka që e bën të ndihet i pasigurt.
“Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se fëmija po e sajon dhimbjen ose po shtiret”, nënvizon Schubiner. Ai shton se mjekësia e ka të qartë lidhjen mes stresit dhe dhimbjes tek fëmijët. Për ta shpjeguar këtë, ai i referohet edhe të dhënave nga imazhet e trurit: “Kemi imazhe fMRI të trurit që tregojnë se stresi dhe emocionet janë ngushtë të lidhura me dhimbjen. Do të thosha se mjekësia është shumë e vetëdijshme se stresi te fëmijët mund të shkaktojë dhimbje”. Pra, dhimbja mund të jetë një mënyrë se si fëmija “përkthe” ankthin në sinjale fizike.
Dhimbja e barkut para shkollës shpesh është sinjal i stresit
Shkaqet e mundshme të stresit tek fëmijët ndryshojnë sipas moshës dhe mënyrës se si ata e përjetojnë ditën. Fëmijët më të vegjël shpesh nuk dinë t’i shprehin me fjalë shqetësimet që i kanë, prandaj ankthi mund të shfaqet përmes trupit. Nëse dhimbja e barkut përsëritet rregullisht, arsyeja mund të jetë ankthi lidhur me testet, detyrat e shtëpisë ose frika nga ndonjë mësues. Ndonjëherë fëmija e ndjen veten të vetmuar, ka vështirësi të krijojë shoqëri ose nuk ndihet i përfshirë mes fëmijëve të tjerë—gjë që sjell stres që nuk arrin ta shpjegojë.
Një tjetër faktor është presioni i brendshëm. Disa fëmijë frikësohen nga dështimi dhe vendosin vetes kërkesa shumë të larta. Ata shqetësohen se nuk janë “mjaftueshëm të mirë” dhe kjo frikë e vazhdueshme mund të reflektohet edhe në dhimbje barku. Përveç kësaj, dhimbjet e barkut mund të jenë edhe shenjë që fëmija po përjeton diçka të pakëndshme, si përvoja negative apo ngacmim, por ka frikë të flasë. Kur nuk i thotë dot arsyet, trupi mund të shfaqë një simptomë që i ndalon ose i vonon përgatitjet për në shkollë.
Për prindërit, hapi më i rëndësishëm është të mos e shpërfillin ankesën. Gabimi më i madh do të ishte të konsiderohej thjesht një “kapriço”, veçanërisht kur ankesat përsëriten. Vetë përsëritja e rregullt është një sinjal që duhet kërkuar shkaku i vërtetë i problemit. Edhe pse nuk duhet përjashtuar mundësia e shqetësimeve fizike, prindërit mund të nisin bisedën me fëmijën në mënyrë të qetë dhe të butë, pa e bërë të ndihet fajtor.
Në praktikë, është e dobishme t’i bëhen pyetje të thjeshta: nëse ka diçka që e shqetëson, apo nëse në shkollë ka ndodhur diçka e pakëndshme. Pyetja e drejtpërdrejtë mund ta ndihmojë fëmijën të hapet, sidomos nëse prindi e mban tonin empatik. Gjithashtu, kontakti me mësuesit mund të jetë i dobishëm, për të kuptuar më mirë se çfarë mund ta mundojë fëmijën gjatë ditës. Dhimbja e barkut para shkollës, pra, nuk është gjithmonë vetëm problem me barkun. Shpesh është një sinjal i heshtur që fëmija ka nevojë për mirëkuptim, mbështetje dhe ndihmë që t’i shprehin ndjenjat e veta.
Botuar fillimisht në Telegrafi







