Bushi: Do ta mundim Spanjën U21, formula jonë është kompaktësia

Shqipëria U21 do të luajë nesër një ndeshje miqësore shumë të rëndësishme kundër Spanjës U21. Takimi do të zhvillohet në “Air Albania” me fillim nga ora 19:00. Për këtë përballje, hyrja në stadium do të jetë falas, ndërsa pritet një mbështetje e madhe nga tifozët për Shpresat kuqezi.

Kjo përballje vjen si një test i drejtpërdrejtë për ekipin kombëtar U21, i cili do të jetë pjesëmarrës vitin e ardhshëm në Kampionatin Europian që do të organizohet në Shqipëri dhe në Serbi. Përgatitja ndaj një rivali si Spanja, që konsiderohet ndër skuadrat me cilësi të larta në futbollin e moshave, shihet si një hap i rëndësishëm në rrugën e ekipit drejt objektivave të sezonit.

Trajneri Alban Bushi ka folur për mediat ditën e sotme rreth mënyrës sesi ekipi i tij do të tentojë të dalë me rezultat kundër spanjollëve. Ai ka theksuar se skuadra e tij do të japë maksimumin në fushë, me synimin për të arritur fitoren dhe me një mentalitet që nuk lejon dorëzimin. Sipas tij, ndeshja do të kërkojë disiplinë dhe ekzekutim në detaje, veçanërisht përballë një kundërshtari që zakonisht e kontrollon lojën.

“Spanja është një skuadër me potencial shumë të lartë teknik. Atyre u pëlqen ta zotërojnë topin dhe të bëjnë shumë vertikalizime. Kemi punuar dhe do të mundohemi që të mos i japim hapësira që ata të gjejnë vetveten e tyre në ato hapësira që ata kërkojnë. Është një ekip me shumë lojtarë cilësorë dhe me nivel shumë të lartë. Ekipi ynë është një ekip me shumë karakter dhe ka shumë disiplinë. Jemi shumë kompaktë në repartin e mbrojtjes”, ka deklaruar Alban Bushi.

Synimi: ta godasim Spanjën aty ku i hapet “defekti”

Trajneri i Shpresave ka vijuar më tej me planet për lojën, duke u ndalur te mënyra si ekipi do të përballet me ofensivën spanjolle. Ai ka theksuar se, ashtu si Spanja ka një repart ofensiv cilësor, edhe Shqipëria U21 ka të njëjtin nivel në aspektin defensiv. Për Bushin, çelësi qëndron te kontrolli i hapësirave dhe te tranzicionet, në mënyrë që skuadra të përfitojë kur kundërshtari lë terren në sulm.

“Do të mundohemi ta godasim Spanjën aty ku ajo ka defektin më të madh: hapësirat që lë kur është në sulm. Për tranzicionin pozitiv që do të bëjmë ne, kemi punuar shumë që ta kapim aty dhe besoj se do ta kapim. Nesër do të luftojmë me shumë shpirt dhe zemër për mos t’u dorëzuar dhe për ta mundur Spanjën. Ne jemi ekip shumë i fortë, por me publikun sa më të gjerë bëhemi akoma edhe më shumë të fortë”, ka thënë ai.

Bushi ka folur edhe për rolin e tifozëve në këtë ndeshje, duke theksuar se prania e publikut mund të rrisë më tej energjinë e skuadrës. Ai ka nënvizuar se hyrja falas krijon mundësinë që “Air Albania” të mbushet nga tifozë të shumtë, të cilët, sipas tij, kanë vite që e mbështesin ekipin kombëtar, përfshirë si ekipin A, ashtu edhe grupmoshat. “Publiku duhet ta kuptojë dhe besoj se ata e dinë se u bë shumë vite që e mbështesin ekipin kombëtar, sidomos atë A, por edhe moshat. Meqë hyrja është falas, besoj se nesër do të kemi shumë tifozë në ‘Air Albania’. Pa ata futbolli nuk është shumë i bukur. Me ata bëhet shumë i bukur dhe shumë rezultativ”, ka shtuar trajneri.

Botuar fillimisht në Sport Ekspres

Exit mobile version