Botërori 2026: faktorët jashtë fushës që mund të vendosin

Kupa e Botës 2026, më e madhja në historinë e futbollit, nis këtë javë me 48 kombëtare që do të luftojnë për trofeun më prestigjioz. Turneu do të kulmojë me finalen më 19 korrik, në stadiumin MetLife në East Rutherford, New Jersey, ku do të kurorëzohet kampioni i ri i botës. Për muaj të tërë, mediat sportive kanë analizuar formën e skuadrave, gjendjen e lojtarëve dhe aspektet taktike që mund të përcaktojnë fituesin. Por në këtë edicion duket se rëndësi të madhe mund të kenë edhe faktorët jashtë fushës së lojës.

Një nga sfidat kryesore për shumë kombëtare do të jetë përshtatja me diferencat e mëdha kohore. Ekipet që vijnë nga Evropa, Azia apo Afrika do të duhet të përballen me ndryshime të mëdha në ritmin biologjik, diçka që mund të ndikojë në gjumë, rikuperim dhe performancë fizike. Studime të ndryshme shkencore kanë treguar se “jet lag”-u rrit rrezikun e lodhjes dhe lëndimeve, sidomos në ditët e para pas mbërritjes. Për më tepër, turneu zhvillohet në territore që përfshijnë disa zona të ndryshme kohore, duke i detyruar skuadrat të përshtaten vazhdimisht gjatë garës.

Klima, udhëtimet dhe lartësia mund të vendosin edhe ndeshjet më të forta

Një tjetër faktor që pritet të ndikojë ndjeshëm është klima. Sipas ekspertëve, shumica e qyteteve pritëse mund të kenë temperatura të larta dhe lagështi të konsiderueshme gjatë periudhës së turneut. Nxehtësia nuk ndikon vetëm në zhvillimin e ndeshjeve, por edhe në stërvitje, rikuperim, hidratim dhe cilësinë e gjumit. Paralajmërimet janë të qarta: kushtet ekstreme mund të ngadalësojnë ritmin e lojës dhe të ndikojnë në aftësinë e futbollistëve për të ruajtur intensitetin gjatë 90 minutave.

Pikërisht për këtë arsye, disa kombëtare kanë nisur të rishikojnë mënyrën e përgatitjes. Në disa raste është diskutuar edhe mundësia që lojtarët rezervë të qëndrojnë në ambiente të freskëta, për të shmangur ekspozimin e tepërt ndaj temperaturave të larta. Në një turne ku çdo detaj mund të vlejë, menaxhimi i energjisë dhe i trupit pritet të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe qasja taktike në fushë.

Edhe lartësia mbidetare mund të sjellë sfida të veçanta. Disa ndeshje do të zhvillohen në Meksikë, ku stadiumet ndodhen në lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit. Qyteti i Meksikos, për shembull, gjendet mbi 2.200 metra lartësi. Kjo është një rrethanë që tradicionalisht u jep avantazh skuadrave të mësuara me kushte të tilla. Për kombëtaret që nuk janë të ambientuara me ajrin e rrallë, pritet vështirësi, veçanërisht në fazat e fundit të ndeshjeve, kur kërkesat fizike rriten.

Përveç klimës dhe lartësisë, udhëtimet e gjata dhe moti i paparashikueshëm mund të ndryshojnë rrjedhën e turneut. Me zgjerimin e Kupës së Botës në 48 ekipe dhe 104 ndeshje, distancat që do të përshkojnë skuadrat janë më të mëdha se kurrë më parë. Disa kombëtare do të duhet të udhëtojnë mijëra kilometra nga ndeshja në ndeshje, duke kaluar nga temperatura më të ftohta në kushte shumë më të ngrohta brenda pak ditësh. Për më tepër, organizatorët duhet të llogarisin edhe mundësinë e ndërprerjes së ndeshjeve për shkak të stuhive dhe rrufeve, sipas protokolleve të sigurisë që aplikohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtyre sfidave u shtohet edhe një element i rëndësishëm: gjykimi dhe rregullat e reja. Kupa e Botës 2026 do të ketë numrin më të madh të arbitrave në histori. FIFA ka zgjedhur 52 gjyqtarë kryesorë, 88 asistentë dhe 30 gjyqtarë të VAR. Përveç rritjes së numrit të gjyqtarëve, janë futur edhe protokolle të reja që i japin VAR-it më shumë kompetenca për të korrigjuar vendime të caktuara. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kriteret e arbitrimit do të jenë të njëjta në të gjitha ndeshjet dhe sa do të ndikojnë këto ndryshime në mënyrën se si zhvillohet turneu.

Në total, Kupa e Botës 2026 premton të jetë një turne i paparashikueshëm. Përtej cilësisë së skuadrave dhe talentit individual, faktorë si klima, diferencat kohore, lartësia mbidetare, udhëtimet e gjata dhe arbitrimi mund të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e kampionit. Në një event kaq të madh dhe të shpërndarë në një territor të gjerë, përshtatja me kushtet jashtë fushës mund të jetë po aq e rëndësishme sa performanca brenda fushës.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version