Aktorët Ben Affleck dhe Matt Damon po përballen me një padi për shpifje të ngritur nga dy policë të Miami-Dade. Çështja lidhet me filmin e tyre të ri, “The Rip”, i cili sipas paditësve ka dëmtuar reputacionin e tyre personal dhe profesional. Padi është paraqitur në emër të oficerëve që pretendojnë se filmi dhe reklamat përkatëse krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me një operacion real policor ku ata kanë qenë të përfshirë.
Sipas raportimit të Entertainment Weekly, padia është ngritur nga oficerët Jason Smith dhe Jonathan Santana kundër kompanisë “Artists Equity”. Në dokumentet gjyqësore të çështjes thuhet se edhe pse emrat e personazheve nuk dalin të shënuar drejtpërdrejt në film, publiku, për shkak të ngjashmërive mes ngjarjeve të treguara dhe rastit real, krijon përshtypjen se bëhet fjalë pikërisht për oficerët paditës.
Oficerët pretendojnë se filmi “The Rip” dhe materialet promovuese të tij “nënkuptojnë sjellje të pahijshme, gjykim të dobët dhe veprime joetike” në lidhje me një operacion të vërtetë policor. Në thelb, pretendimi është se mënyra si janë ndërtuar personazhet dhe si paraqiten veprimet e tyre i ekspozon paditësit ndaj kritikave dhe dyshimeve, edhe pse ata nuk figurojnë me emër në produksion.
Padia, përveç “Artists Equity”, akuzon edhe kompaninë “Falco Productions” për shpifje dhe shkaktim të qëllimshëm të stresit emocional. Ndërkohë, platforma transmetuese “Netflix”, e cila publikoi filmin, nuk është përfshirë në padi dhe thuhet se ka refuzuar të komentojë. Kjo e pozicionon Netflix-in në mënyrë të veçantë brenda çështjes, ndërsa konflikti ligjor mbetet mes palëve prodhuese dhe atyre që e konsiderojnë veten të dëmtuar.
Padi për shpifje: “The Rip” sjell akuzat ndaj Affleckut e Damonit
Filmi “The Rip” e vendos narrativën te dy policë, të luajtur nga Damon dhe Affleck, të cilët zbulojnë 20 milionë dollarë para të lidhura me një kartel droge. Sipas përshkrimit të historisë, dy figurat kryesore vendosin të ekspozojnë korrupsionin brenda policisë së Miami-Dade, duke e transformuar rastin në një linjë më të gjerë skenike rreth devijimeve brenda sistemit. Për oficerët paditës, ky pozicionim në ekran ka pasoja konkrete në reputacion, pikërisht për shkak të ngjashmërisë me një ngjarje që ata e kanë trajtuar në jetën reale.
Në padi thuhet se filmi është frymëzuar nga një rast real i vitit 2016. Konkretisht, më 29 qershor 2016, Smith dhe Santana kanë sekuestruar më shumë se 21 milionë dollarë gjatë një operacioni antidrogë. Avokatët e oficerëve argumentojnë se përdorimi i detajeve specifike nga ky operacion, bashkë me vendndodhjen në Miami-Dade dhe përfshirjen e një njësie antidrogë, krijojnë bindjen se personazhet në film bazohen pikërisht te dy policët. Për ta, ngjashmëritë nuk janë thjesht rastësi narrative, por përfshirje e elementeve identifikuese që e bëjnë publikun të lidhë filmin me personat realë.
Padia përmend edhe disa skena ku, sipas pretendimeve, personazhet shkelin rregullat policore. Një shembull që del në dosje është një moment ku personazhi i luajtur nga Affleck vret një agjent të “Drug Enforcement Administration” (DEA). Në logjikën e paditësve, këto paraqitje nuk e trajtojnë rastin thjesht si fiction, por e vendosin narrativën në territor që mund të konsiderohet i dëmshëm për reputacionin e personave që lidhen me ngjarjen origjinale. Padi thekson se, ndërsa rasti real ka ndodhur, elementet e filmit dhe mënyra si janë vënë në skenë krijojnë një imazh të caktuar për oficerët, i cili nuk përputhet me atë që ata pretendojnë se ka ndodhur në fakt.
Botuar fillimisht në Koha.net
