Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Sejdi Bellanica, ka kritikuar qeverinë aktuale për mënyrën se si po trajtohet arsimi. Sipas tij, kjo fushë është lënë pa ndonjë hap të rëndësishëm që do të ndikonte drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë, pavarësisht premtimeve dhe diskutimeve publike.
Gjatë debatit “Zgjedhjet në Kohë”, ku u fol për arsimin, Bellanica ka theksuar se çerdhet e shumta të premtuara nga partia në pushtet nuk janë ndërtuar. Për këtë arsye, ai ka argumentuar se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë të plotë, pa u lënë sërish në nivel të premtimit apo iniciativave të pamjaftueshme.
“Cilësia po mbetet gjithmonë sfida kryesore sa i përket arsimit në Kosovë. U përmend edhe çështja e edukimit të hershëm në çerdhet të cilat nuk janë të ndërtuara por vetëm të premtuara, kjo duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Kosova është duke shkruar drejt një zhvillimi ndryshe nga ajo që ka qenë më përpara pasi pjesa më e madhe e banorëve qofshin gra po meshkuj janë të punësuar, kanë nevojë që fëmijët të mos edukohen brenda shtëpisë por të kenë një institucion ku mund të edukohen”, ka thënë Bellanica.
Arsimi nga parashkollori deri te universiteti, pa mbetur në premtime
Ndër argumentet që ai ka ngritur, Bellanica ka përmendur edhe tekstet shkollore dhe rezultatet në testin PISA si faktorë që tregojnë se sistemi arsimor është prapa në krahasim me pritshmëritë për cilësi. Sipas tij, këto të dhëna e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen dhe reformimin e qasjes, jo thjesht ndryshime sipërfaqësore.
Ai ka deklaruar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon një reformim të tërësishëm të sistemit arsimor, duke filluar nga cikli parashkollor e deri në universitet. Si pjesë e këtij koncepti, Bellanica ka përmendur se shkolla duhet të japë aftësi dhe jo vetëm nota, duke argumentuar se vlerësimi i njohurive duhet të lidhet më drejtpërdrejt me përgatitjen e nxënësve për jetën dhe sfidat reale.
“Si shtyllë e parë kemi thënë që shkolla duhet të jap aftësi dhe jo vetëm nota. Kjo mund të bëhet nga reformimi i tërësishëm; nga parashkollor deri në universitet, pastaj kurrikula duhet të zbatohet. Kurrikula i ka gjashtë kompetenca dhe nëse ne fokusiohemi në zbatimin e tyre atëherë ne i kemi bërë atë fëmijë të gatshëm për jetë. Asnjëherë nuk është bërë një vlerësim i zbatimit të këtyre njohurive që merren përmes zbatimit të kurrikulës”, ka thënë Bellanica.
Kandidati i AAK-së për deputet ka folur edhe për rolin e mësimdhënësve në sistem. Ai ka theksuar se, sipas tij, mësimdhënësit nuk duhet të testohen, por duhet të mbështeten. Bellanica ka ngritur pyetjen se çfarë testi do të ishte i nevojshëm për mësimdhënësit, siç ka përmendur qeveria e tanishme, duke e lidhur këtë me testimin e njohurive që, sipas diskutimeve, lidhen me një fakultet të caktuar.
“Mësimdhënësit janë mjaftueshëm me njohuri në vendin ku janë dhe ushtrojnë lëndën. Tjetra është dualizmi, u përmendën shkollat profesionale të cilat mendojnë që po lihen anash e tregu i punës është fokusuar pikërisht këtu”, ka shtuar Bellanica, duke e konsideruar se vëmendja ndaj shkollave profesionale duhet të jetë më e madhe dhe më e lidhur me nevojat e tregut të punës.
Botuar fillimisht në Koha.net







