Bayern “goditet” në Norvegji: 3-3 me Viking

Bayern Munich është ndalur në një barazim spektakolar 3-3 në udhëtim te Vikingu në Norvegji, në një ndeshje që prodhoi gjashtë gola, përmbysje të njëpasnjëshme dhe një karton të kuq për gjigantin gjerman. Takimi u zhvillua në një atmosferë dramatike, ku vendasit nisën furishëm dhe e morën epërsinë qysh në minutat e para, ndërsa mysafirët u kthyen në lojë me dy gola të shpejtë dhe më pas u detyruan ta shihnin rezultatin të barazohej sërish në fund.

Vikingu e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë. Gianni Stensness realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi dhe e befasoi Bayern Munich. Reagimi i skuadrës së Vincent Kompany-t nuk mungoi, por portieri Arild Ostbo u tregua vendimtar gjatë periudhës së parë. Në minutën e 14-të, ai ndali një goditje të rrezikshme të Luis Diaz, ndërsa pak më vonë, në minutën e 34-t, pengoi edhe tentativën me kokë të Harry Kane.

Ndërsa Bayern po mundohej të gjente rrugën drejt rrjetës, vendasit e rritën epërsinë. Në minutën e 38-të, Peter Christiansen realizoi pas një aksioni individual dhe e çoi rezultatin në 2-0 për Vikingun. Kështu, skuadrat shkuan në pushim me epërsi të qartë për norvegjezët, ndërsa Kompany dhe lojtarët e tij kishin shumë punë për të bërë në pjesën e dytë.

VAR, penalltia dhe përmbysja: Bayern nuk e mbyll dot fitore

Pas pushimit, Vincent Kompany bëri tri zëvendësime, me qëllim për të ndryshuar ritmin e lojës dhe për të rifutur Bayern në garë. Mysafirët u kthyen fuqishëm dhe në minutën e 54-t, pas rishikimit të situatës me VAR, gjyqtari akordoi penallti për Bayern. Harry Kane e shndërroi menjëherë në gol, duke e ngushtuar rezultatin në 2-1 një minutë më pas.

Vetëm pesë minuta pas këtij goli, Kane shënoi sërish. Këtë herë realizimi erdhi me kokë pas një krosimi, duke e barazuar shifrat në 2-2. Bayern mendoi se kishte kaluar në avantazh definitiv në minutën e 61-të, kur Luis Diaz dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Megjithatë, nuk u desh shumë që anglezi dhe bashkëlojtarët të provonin sërish rrugën drejt golit.

Në minutën e 71-të, Luis Diaz realizoi përsëri dhe e ktheu Byron në avantazh, duke e çuar rezultatin në 3-2. Konrad Laimer e shërbeu për gol, dhe sulmuesi nuk pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë përballë portës së zbrazët. Por ndeshja nuk u mbyll këtu: në minutën e 73-të, Michael Olise u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për protesta dhe u përjashtua nga loja. Me një lojtar më pak, Bayern nuk arriti ta ruante epërsinë deri në fund.

Barazimi erdhi në minutat shtesë të kohës së rregullt. Në minutën e 90-të, Herman Johan Haugen shënoi me kokë pas një krosimi të saktë dhe vendosi shifrat përfundimtare 3-3. Me këtë gol, Vikingu siguroi një pikë të rëndësishme në një përballje spektakolare ndaj kampionit gjerman, ndërsa Bayern doli nga fusha e norvegjezëve pa arritur ta ruante epërsinë e krijuar gjatë pjesës së dytë. Rezultati i fundit e kthen ndeshjen në një nga ato që mbahen gjatë në kujtesën e tifozëve për dramën, kthesat dhe golat e shumtë.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version