Një zbulim i pazakontë arkeologjik është bërë në Azerbajxhan, ku studiuesit kanë gjetur një topuz prej guri në një tumë që daton rreth 3.600 vjet më parë. Objekti, i njohur më shumë si “koka e topuzit”, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për materialin dhe përpunimin, por edhe për rolin e mundshëm simbolik që mund të ketë pasur në atë kohë.
Sipas arkeologëve, kokat e topuzëve të përpunuara në këtë mënyrë nuk ishin domosdoshmërisht të lidhura vetëm me një përdorim praktik. Për studiuesit, ato mund të funksiononin edhe si shenjë pushteti dhe statusi të lartë, duke treguar përkatësinë e personit të varrosur me elitën ushtarake, udhëheqjen fisnore ose shtresën komanduese të komunitetit ku jetonte.
Zbulimi vjen pas kërkimeve në një tumë tre mijë e 600 vjet të vjetër, në territorin e rezervatit Keshikchidag. Aty, në luginën e Kurganit, arkeologët kanë gjetur kokën e një topuzi të gdhendur, e shoqëruar me një copë bronzi dhe një numër të madh majash shigjetash prej stralli. Kombinimi i këtyre objekteve, sipas studiuesve që drejtojnë punën në terren, tregon se varri i takon një personi me pozitë të lartë shoqërore dhe ushtarake.
Topuzi prej guri mund të ketë qenë simbol i autoritetit ushtarak
Artefaktet lidhen me një varr të datuar në shekujt XVII–XVI para erës sonë, pra rreth tre mijë e 600 vjet më parë. Në tumanë ku u kryen gërmimet, objekti u gjet brenda kontekstit të një varrimi të organizuar, ku ishin vendosur edhe sende të tjera që lidhen me armët. Kjo e bën zbulimin të rëndësishëm për rindërtimin e mënyrës si varroseshin individët e rangut të lartë dhe çfarë mesazhesh përcillnin përmes inventarit të varrit.
Përshkrimi i tumes tregon përmasat e saj: tuma numër 4 ndodhet në zonën Sariyokhush, brenda luginës së Kurganit. Ajo është e mbuluar me gurë, ka një diametër prej rreth 12 metrash dhe lartësia e ruajtur mbi terrenin përreth është rreth 80 centimetra. Dhoma e varrit është gjetur në një thellësi afërsisht 1–1,2 metra, çka i ka lejuar arkeologët të zbulojnë në mënyrë të plotë objektet e vendosura brenda.
Brenda tumes u gjet edhe një thikë bronzi, e cila, sipas arkeologëve, mund të jetë përdorur si armë për luftime në distancë të afërt. Studiuesit theksojnë se gjetje të tilla shërbejnë si tregues i rëndësishëm për statusin luftarak të personit të varrosur. Megjithatë, elementi që ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të veçantë mbetet koka e topuzit, e punuar nga guri i dioritit.
Koka e topuzit prej guri i dioritit peshon rreth 400–500 gramë. Objekti është përpunuar dhe lëmuar me kujdes, duke sugjeruar se nuk bëhet fjalë për një send të zakonshëm. Arkeologët shpjegojnë se një përpunim i tillë dhe kombinimi me armë të tjera, përforcon idenë se në këtë tumë ishte varrosur një individ i rangut të lartë, ku topuzi mund të kishte lidhje jo vetëm me luftimin, por edhe me shenjimin e autoritetit dhe statusit.
Kërkimet zhvillohen në kuadër të projektit “Scientific Archaeological Excavations and Summer School 6 in Keshikchidagh”. Projekti organizohet nga Instituti i Arkeologjisë dhe Antropologjisë i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit (ANAS) dhe nga Shërbimi Shtetëror për Mbrojtjen, Zhvillimin dhe Restaurimin e Trashëgimisë Kulturore të Azerbajxhanit. Gërmimet udhëhiqen nga Vagif Asadov, studiues kryesor në Institutin e Arkeologjisë dhe Antropologjisë të ANAS-it.
Botuar fillimisht në Koha.net
