Sulmuesi irakian Aymen Hussein ka arritur të realizojë ëndrrën e tij në mënyrën më të fortë të mundshme: me gol në debutimin e tij në Kupën e Botës. Edhe pse rruga drejt turneut nuk ishte e lehtë dhe pati dyshime nëse do të mund të garonte, 30-vjeçari e ka shndërruar menjëherë pjesëmarrjen në skenë globale në një moment që do të mbahet mend.
Më herët gjatë muajit, nuk ishte e qartë nëse Hussein do të kishte mundësi të udhëtonte dhe të regjistrohej për Botërorin. Ai dhe një anëtar tjetër i delegacionit të Irakut u ndalën për disa orë gjatë kalimit të doganave amerikane në Chicago. Pas intervistimit që zgjati shtatë orë, Hussein u lejua të hynte në SHBA, ndërsa jo edhe fotografi i përfaqësueses.
Të mërkurën në mëngjes, Hussein doli në fushë dhe shënoi golin e dytë në historinë e Kupës së Botës për Irakun. Ai realizoi golin e vetëm të irakianëve në humbjen 4:1 ndaj Norvegjisë, në një ndeshje ku ekipi i tij nuk arriti të merrte pikë, por sulmuesi gjeti rrugën e rrjetës.
Iraku kthehet pas 40 vjetësh dhe Aymen Hussein lë gjurmë me gol
Përtej shifrave të ndeshjes, trajneri i Irakut, Graham Arnold, ka folur për aspekte pozitive të paraqitjes së Husseinit. Arnold u ndal te ndikimi i lojtarit në lojë dhe te fakti se ai kishte pasur edhe probleme fizike gjatë edicionit. “Do të preferoja të kujtoja paraqitjen e tij dhe mënyrën se si ka luajtur. Ai ka pasur disa lëndime gjatë edicionit. Është lojtar që vështirë kontrollohet në zonë. Jam shumë krenar për të”, ka thënë trajneri.
Iraku po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të parë pas plot 40 vjetësh, ndërsa Hussein e udhëheq këtë rikthim me një histori që shkon shumë përtej futbollit. Sulmuesi irakian është rritur në një periudhë kur futbolli, pavarësisht rrethanave të vështira, përfaqësonte momente bashkimi mes trazirave në vend. Në atë rrugë, ai përballoi edhe tragjedi personale që e kanë shënuar jetën.
Në moshën 12-vjeçare, babai i tij u qëllua për vdekje nga “Al-Qaeda” teksa po blinte materiale për ndërtimin e shtëpisë. Babai i Husseinit ishte ushtar në ushtrinë irakiane. Disa vite më pas, vëllai i madh i futbollistit u rrëmbye dhe nuk është parë më që prej asaj kohe. Në një intervistë të tijën, Hussein ka treguar se në një moment ka menduar të hiqte dorë nga futbolli për t’u kujdesur për familjen, por nëna e tij nuk e pranoi këtë vendim dhe këmbënguli që ai të ndiqte ëndrrën.
Edhe pse Botërori për të është realizim i ëndrrës, rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Hussein ka qenë lojtari më i mirë i Irakut gjatë fushatës së gjatë të kualifikimeve për Kupën e Botës, duke shënuar plot 12 gola. Ai realizoi golin e fitores ndaj Bolivisë në mars, një fitore që i dha Irakut edhe biletën për në Botëror. Në karrierën e tij, ai kryesisht ka luajtur në skuadra të Irakut, por ka pasur edhe eksperienca jashtë vendit, si në Tunizi, Katar dhe Marok. Për Irakun, deri më tani, ai mban 34 gola në 96 paraqitje.
Debutimi me gol ndaj Norvegjisë i jep një tjetër peshë këtij rikthimi historik të Irakut në Kupën e Botës. Edhe pse ndeshja përfundoi me rezultat 4:1 në favor të norvegjezëve, momenti i Husseinit është i qartë: 30-vjeçari nuk u shfaq vetëm në turne, por e nisi atë me ndikim, duke i sjellë ekipit të tij shenjën e parë në historinë e këtij edicioni.
Botuar fillimisht në Koha.net
