Arqipeshkvi Peragine: Qeveria të marrë përgjegjësi për dialogun

Arqipeshkëvi i Shkodrës, Imzot Angelo Peragine, ka reaguar për protestat në Shqipëri dhe për situatën politike e shoqërore që ka shënuar javët e fundit. Në deklaratën e tij, ai ka mbështetur dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare, duke kërkuar që autoritetet të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë pa vonesë.

Peragine e ka lidhur reagimin e tij me atë që e ka quajtur pakënaqësi të thellë shoqërore. Ai thekson se për katër muaj një numër i konsiderueshëm qytetarësh ka protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që, sipas tij, favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë. Sipas arqipeshkvit, zëri i protestuesve nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura nga institucionet.

Arqipeshkëvi ka vlerësuar se pakënaqësia shoqërore nuk mund të anashkalohet, ndërsa njëkohësisht ka nënvizuar se kjo nuk e justifikon dhunën. Ai tha se dhuna duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por duke theksuar se thelbësor mbetet përgjegjësia e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar shkaqet që kanë sjellë pakënaqësinë.

Vetëm drejtësia, barazia dhe dialogu sjellin zgjidhje

Në vijim të deklaratës, Imzot Peragine ka argumentuar se zgjidhja mund të ndërtohet përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë. Ai ka thënë se një shoqëri e drejtë kërkon që askush të mos ndihet i përjashtuar dhe që e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi interesat personale. Arqipeshkëvi ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete që u japin përgjigje shqetësimeve të qytetarëve.

Sipas arqipeshkvit të Shkodrës, asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk duhet ta zëvendësojë detyrimin për t’u përgjigjur ndaj qytetarëve. Ai paralajmëroi se kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, madje edhe kur përballja kërkon vendime të vështira, nëse kjo kërkohet nga e mira e vendit. Në përfundim të kësaj pjesë të qëndrimit të tij, ai tha se Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës.

Peragine ka dhënë edhe një mesazh të veçantë për qytetin e Shkodrës. Ai tha se Shkodra nuk është vetëm qendra, por edhe periferitë, dhe se qyteti është një e mirë e përbashkët që u përket të gjithëve. Sipas tij, qyteti i Shkodrës nuk u përket vetëm institucioneve të tij, as vetëm atyre që mbajnë përgjegjësi publike, as vetëm atyre që zotërojnë pasuri. Arqipeshkëvi theksoi se Shkodra u përket të gjithë qytetarëve dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt.

Ai shtoi më tej se qyteti nuk ndërtohet vetëm në tryezat e zyrave publike. Përkundrazi, tha ai, ndërtimi i qytetit bëhet çdo ditë në familje, në shkolla, në vendet e punës, në shoqata, në bashkësitë fetare dhe në organizatat e shoqërisë civile. Peragine përmendi se qyteti formësohet përmes mënyrës se si njerëzit e pranojnë njëri-tjetrin, se si respektohen hapësirat e përbashkëta dhe se si edukohen fëmijët. Ai u ndal edhe te “gjestet e vogla” të ndershmërisë, vëmendjes dhe solidaritetit, duke theksuar se askush nuk duhet t’ua kalojë të tjerëve përgjegjësitë e veta.

Ngjarjet gjatë protestës së sotme kanë shënuar edhe tension në terren. Një pjesë e godinës së Gjykatës së Lartë u përfshi nga flakët, ndërsa zjarri përfshiu edhe një automjet të parkuar pranë godinës, i cili u shkrumbua plotësisht. Në ditët e protestave, raportohen përplasje mes protestuesve dhe policisë, me plagosje nga ana e të dy palëve, si dhe momente kur situata ka kaluar në përleshje të forta, përpara se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” të kalojë në qetësi pas ndërhyrjes së ekipeve të pastrimit.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version