Alma Hilaj pritet të ketë një rol të rëndësishëm te Shqipëria e femrave në përballjen e madhe ndaj Uellsit në “play-off”-in kualifikues për Kupën e Botës 2027. Lojtarja e lindur në Shkodër në vitin 2000 do të luajë një sfidë të veçantë pikërisht në qytetin ku nisi rrugëtimin e saj, pasi më 9 tetor Shqipëria do të presë Uellsin në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndeshja vlen për gjysmëfinalen e “play-off”-it evropian dhe për kombëtaren shqiptare është një mundësi e madhe për të bërë një hap tjetër drejt objektivit të ëndërruar: pjesëmarrjes në Botëror.
Hilaj është një futbolliste që mund të përshtatet në disa pozicione, çka e bën atë të vlefshme për trajnerin në varësi të nevojave të lojës. Me fanellën e Kombëtares shqiptare, ajo aktivizohet kryesisht si qendërmbrojtëse. Ndërsa në ekipin e saj të klubit, Genoa në Serie B Femminile, ajo luan në mesfushë, përpara repartit difensiv. Ky ndryshim pozicioni i jep asaj më shumë kontakt me topin dhe e ndihmon të organizojë lojën, duke sjellë lidhje më të mirë mes mbrojtjes dhe aksioneve të ekipit.
Ndërsa vëmendja përqendrohet te dy ndeshjet e “play-off”-it, objektivat për Hilajn janë të qarta. Ajo synon të ndihmojë Genoan për rikthim në Serie A, por njëkohësisht fokusohet edhe në ndeshjet me Shqipërinë. Për kuqezinjtë, përballja me Uellsin është momenti ku duhet të jepet maksimumi si në fazën e parë në Shkodër, ashtu edhe në takimin e kthimit. Pas ndeshjes në “Loro Boriçi”, sfida e radhës do të luhet më 13 tetor në Llanelli. Fituesja e çiftit do të kalojë më tej në finale, ku do të përballet me Norvegjinë ose Rumaninë në muajin dhjetor.
Në një intervistë të dhënë në FIFA, Alma Hilaj foli edhe për mënyrën se si e menaxhon emocionalisht këtë fazë të rëndësishme. Para ndeshjes kundër Uellsit, ajo shprehet se është një “arritje e madhe” për skuadrën, pasi ekipi ndodhet në një fazë që nuk e kishte arritur më parë. Sipas saj, momenti kërkon qetësi dhe gëzim: të shijojnë rrugëtimin që i ka çuar këtu, pasi është realizuar objektivi minimal dhe tani mbetet vetëm të jepen të gjitha mundësitë në dy ndeshjet vendimtare.
Botërori i femrave është “kulmi”, Hilaj e sheh ëndrrën drejt realitetit
Hilaj ndalet edhe te rruga e Shqipërisë në fazën kualifikuese, ku ekipi mundi Malin e Zi dhe barazoi me Republikën Çeke. Ajo e quan grupin një “ekip vërtet i mirë”, duke theksuar se lojtaret luajnë së bashku prej disa vitesh dhe e njohin njëra-tjetrën shumë mirë. Në këtë këndvështrim, cilësia e ekipit është një element kyç, edhe pse ka pasur edhe disa dobësi. Në ndeshjet përballë këtyre kundërshtarëve, Hilaj thotë se janë zhvilluar momente të mira, veçanërisht ndaj Malit të Zi. Ndërkohë, ajo shton se kundër Republikës Çeke mund të ishin bërë pak më shumë, sepse ka ndeshje ku, edhe kur ke cilësi, nuk arrin të shfaqësh nivelin tëndin më të lartë.
Kur pyetet për mësimet nga dy ndeshjet e mëparshme kundër Uellsit në eliminatoret e Europianit, Hilaj thekson se diferenca mes skuadrave është e qartë. Ajo flet për një ndryshim jo vetëm në nivelin e kombëtareve, por edhe në aspektet e grupit dhe mënyrës së lojës. Sipas saj, në takimin e parë në Uells situata shkoi keq, duke e cilësuar si një “katastrofë”, ndërsa në ndeshjen e dytë ekipi arriti të performojë më mirë. Edhe pse rezultati nuk ndryshoi, ajo thotë se ndikuan edhe mungesa të disa lojtareve për shkak dëmtimesh dhe arsye të tjera. Hilaj përmend se një nga faktorët që mund të kishte ndikuar është edhe fakti që nuk ishin me formacion të plotë.
Në analizën e shortit dhe pritshmërive, ajo nënvizon se Uellsi është një skuadër e fortë dhe se ka pasur përmirësim të ndjeshëm ndër vite. Kur doli shorti, nuk ishte e lehtë të kuptohej saktë se çfarë të pritej, pasi në garë kishte edhe skuadra të tjera të forta, si Portugalia. Megjithatë, Hilaj mendon se fakti që janë përballur me Uellsin më herët dhe e kanë testuar veten kundër tyre, është një avantazh. Në anën tjetër, ajo flet edhe për raportin me trajnerin Armir Grimaj, i cili drejton kombëtaren e femrave që nga viti 2016. Sipas Hilajt, njihen prej shumë vitesh dhe Grimaj është personi që e njeh më mirë, që kur ajo ishte 16 vjeçe. Ajo thotë se vijnë nga i njëjti qytet dhe se trajneri ka pasur gjithmonë besim te grupi dhe te ajo në veçanti, edhe në periudhat kur nuk luante aq shumë për klubin ose kur gjërat nuk shkonin mirë.
Për Hilajn, kualifikimi në Kupën e Botës për femra do të kishte peshë të madhe. Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë në Botëror për këtë kategori, ndërsa arritja atje do të nënkuptonte një ëndërr të bërë realitet për ekipin. Hilaj thotë se ky kualifikim përfaqëson kulmin e karrierës së çdo lojtareje dhe se për federatën do të ishte një hap përpara për gjithë sportin. Ajo sjell shembull rritjen e futbollit të femrave në nivel global pas edicioneve të fundit të Kupës së Botës, duke përmendur se është parë edhe te kombëtarja italiane. Në fund, Hilaj e lidh këtë synim edhe me rrugën e saj në futbollin italian, ku prej disa vitesh ka vijuar të punojë për zhvillimin si lojtare.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
