Edhe pse pandemia Covid-19 i detyroi autoritetet të investonin në logjistikën spitalore dhe në Urgjencën Kombëtare, Shqipëria ende përballet me boshllëqe që mund ta vështirësojnë përgjigjen ndaj një krize të re shëndetësore. Pabarazitë gjeografike dhe nënfinancimi kronik vazhdojnë të jenë pengesa serioze, ndërsa mungesa kritike e mjekëve, e nxitur edhe nga emigracioni, rrezikon të çojë në përgjigje të vonuara. Për më tepër, një problem i përsëritur mbetet varësia e laboratorëve nga importet, çka e bën sistemin më të brishtë pikërisht në momentet kur nevojiten reagime të shpejta.
Bota e sotme i ka bërë sëmundjet ngjitëse të lëvizin më shpejt nga një kontinent në tjetrin. Lëvizja e lirë ka rritur numrin e udhëtimeve, ndërsa modernizimi i transportit ka lehtësuar përhapjen si të njerëzve, ashtu edhe të viruseve. Pas një periudhe ku pandemia Covid-19 paralizoi botën në vitin 2020, tashmë kanë kaluar gjashtë vite. Shqetësimi vjen edhe nga trauma që ende mbetet e freskët dhe nga vala të reja infektive që kanë nisur të ngrenë alarme në rajone si Afrika dhe Azia, pas rasteve të raportuara me Hantavirus dhe Ebola.
Rreziku që ngrehet është i drejtpërdrejtë: a është Shqipëria gati përballë një pandemie të re me përmasa të ngjashme me Covid-19, pa e përjetuar dramën e vitit 2020? Ekspertët e shëndetësisë dhe mjekët thonë se sistemi sot është më i sprovuar dhe më i koordinuar se në vitin kur nisën urgjencat masive, por sfidat nuk janë zhdukur. Sipas tyre, mbeten probleme të lidhura me mungesën e infrastrukturës në shërbimin parësor dhe me burimet njerëzore përgjatë gjithë zinxhirit të shëndetësisë.
Planifikimi i rezervave dhe forcat rajonale: çelësi për t’u përballur me pandemitë
Në vlerësimin e ndikimit që pati Covid-19, Shqipëria shfaqet në pozita alarmante. Sipas të dhënave të publikuara nga “Health Data”, një institut amerikan për vlerësimin e shëndetit, Shqipëria u rendit e katërta në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë. Në total, për periudhën mars 2020 deri në maj 2021, vendi regjistroi 529 vdekje për 100 mijë banorë. Kjo e renditi Shqipërinë në vendin e katërt ndër 20 vendet me vdekjet reale më të larta nga Covid-19.
Në të njëjtën kohë, ka elementë që tregojnë një kurs drejt përgatitjeve më të strukturuara për dekadën e ardhshme. Plani 2030 përmendet si kuadri ku po forcohen kapacitetet shëndetësore për pandemitë. Alban Ylli, ekspert i politikave të shëndetit publik, thekson se sistemi i shëndetit publik në Shqipëri ka shënuar progres, ku dy nga pikat më të forta janë konsolidimi i Urgjencës Kombëtare dhe digjitalizimi i plotë i sistemeve të survejancës për agjentët infektivë. Ai nënvizon se vëmendja e politikave shëndetësore në këtë dekadë po përqendrohet në disa drejtime jetike: rritja e kapaciteteve laboratorike, trajnimi i ekspertëve dhe ndërtimi i një mekanizmi të integruar për reagimin ndaj emergjencave.
Ylli pohon se rritja e kapaciteteve laboratorike do të marrë hov të ri vitin e ardhshëm, me fillimin e punës së Qendrës së re të Referencës Kombëtare. Gjithashtu, po investohet me përparësi në trajnimin e ekspertëve, mjekëve, epidemiologëve, infermierëve dhe stafit mbështetës, me qëllim garantimin e hetimit epidemiologjik dhe komunikimit të riskut gjatë krizave shëndetësore. Në këtë kuadër, Ministria e Shëndetësisë po punon për një sistem kapilar përmes programit “Solidar”, ku po përgatiten strukturat e kujdesit parësor me plane dhe mekanizma ndërsektorialë për të reaguar në kohë emergjence. Sipas tij, arkitektura synon të funksionojë si një trup i vetëm, duke integruar dhe standardizuar shkëmbimin e të dhënave klinike, laboratorike dhe mjedisore në të gjitha platformat digjitale.
Nëse një pandemi e re do të godiste sot, Shqipëria, sipas vlerësimeve, nuk do të ishte në befasi si në marsin e vitit 2020, pasi mekanizmat e reagimit emergjent janë krijuar dhe testuar. Megjithatë, mjeku pneumolog Luan Dyrmishi, i cili ka punuar në front të pandemisë Covid-19, thekson se qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit varet nga shpejtësia e përhapjes së virusit dhe nga aftësia për të mbajtur dhe për të motivuar stafin mjekësor ekzistues. Përvoja e Covid-19 shërbeu si precedent, duke e detyruar sistemin të ndërtonte pothuajse nga e para një strukturë logjistike dhe menaxhuese për emergjencat e mëdha. Në rast të një krize tjetër, Shqipëria do të mbështetej në asetet dhe përvojat konkrete të krijuara gjatë asaj periudhe; operacionalisht kjo pritet të jetë më e lehtë, por vendit i nevojiten ende investime në kapacitete dhe logjistikë, në mjekë, në mjedise spitalore dhe në survejancë.
Një faktor kyç mbetet mungesa e stafit mjekësor. Gazment Koduzi, mjek dhe ekspert me përvojë në politikat shëndetësore, e cilëson si problem madhor për të siguruar shërbime dinjitoze në kohë normale, ndërsa në pandemi bëhet faktor i rëndësishëm për shpëtimin e jetëve. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, gjatë periudhës së pandemisë Shqipëria kishte 1.9 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është mbi 3.5 mjekë për 1000 banorë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e vendos pragun minimal të fuqisë punëtore shëndetësore rreth 2.3–2.5 mjekë për funksion bazë të sistemit shëndetësor në kohë normale, por ky nivel nuk mjafton për pandemi. Përvoja e Covid-19 tregoi se vendet që arritën ta menaxhojnë më mirë presionin mbi spitalet kishin zakonisht densitet më të lartë mjekësh, shpesh mbi 3.5 deri në 5 mjekë për 1000 banorë, duke e bërë stafin një element vendimtar për kapacitetin e përgjigjes.
Botuar fillimisht në Bota Sot



