Trajneri i Shqipërisë U-19, Fatjon Tafaj, ka folur për futbollistin Alen Vukaj në një intervistë për median italiane “FcInterNews”, duke e vlerësuar maksimalisht për atë që po tregon te Interi. Vukaj është pjesë e skuadrës së të rinjve të Interit dhe, sipas Tafaj, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin italian për shkak të potencialit dhe mënyrës së lojës.
Në vlerësimet e tij, tekniku kuqezi ka theksuar se Vukaj nuk po shfaq vetëm cilësi individuale, por edhe inteligjencë taktike, duke u përshtatur në mënyrë të shpejtë me situatat që i kërkon loja në një mjedis konkurrues si Interi. Tafaj ka nënvizuar veçanërisht aftësinë e tij për të zgjidhur momente në duelin një kundër një dhe edhe në ato raste kur përballet me kundërshtarë në numër, pra “një kundër dy”.
Alen Vukaj po tërheq vëmendje: Tafaj e krahason me Musialan
Pjesa më interesante e intervistës vjen me krahasimin që Tafaj ka bërë. Ai e lidh stilin e lojës së Vukajt me atë të yllit të Bayern Munichut, Jamal Musiala. “Duke marrë parasysh nivelin e tij teknik, inteligjencën taktike dhe aftësinë për të zgjidhur situatat individuale, veçanërisht në duelet një kundër një dhe një kundër dy, mund të them se ka karakteristika të ngjashme me lojtarë si Jamal Musiala. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”, ka thënë trajneri.
Megjithatë, Tafaj ka sqaruar se në fillim nuk i kishte vënë menjëherë etiketën e plotë cilësive të Vukajt. Ai ka treguar se kishte pasur rezerva fillestare, pasi futbollisti vinte nga një dëmtim dhe nuk ishte në gjendjen më të mirë fizike. Sipas tij, kjo ka bërë që në nisje të mos shfaqej plotësisht forma e tij, duke e bërë trajnerin të ishte më i kujdesshëm në dhënien e minutave.
Ndryshimi, sipas Tafaj, ka ardhur pas ndeshjes së dytë. Në të parën, ai thotë se i ka dhënë pak hapësirë dhe Vukaj ka luajtur vetëm disa minuta. Ndërsa në ndeshjen e dytë, prania e tij në fushë ka pasur ndikim pozitiv. “Që nga ai moment, paraqitjet e tij kanë ardhur gjithmonë në rritje dhe sot mund të them se është një futbollist që ka fituar vlerësimin dhe besimin tim”, ka vijuar trajneri kuqezi.
Edhe shifrat me fanellën e Shqipërisë U-19 flasin për një kontribut të rëndësishëm. Në shtatë ndeshje, Alen Vukaj ka regjistruar katër asistime, duke dhënë një kontribut të dukshëm për skuadrën. Tafaj e konsideron atë si një nga futbollistët teknikisht më të fortë të grupit dhe vlerëson veçanërisht inteligjencën e tij në lojë, si element që e ndihmon të ndërhyjë në mënyrën e duhur në faza të ndryshme të ndeshjes.
Sa i përket së ardhmes, trajneri shprehet qartë për kënaqësinë që Vukaj është pjesë e Interit, një klub me histori dhe prestigj. “Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që Aleni është pjesë e një klubi kaq të madh si Interi. Është një mundësi fantastike për rritjen e tij, jo vetëm nga ana teknike dhe taktike, por edhe profesionale”, ka thënë Tafaj. Në këtë kuadër, ai sheh edhe një avantazh të mundshëm nëse Vukaj aktivizohet me skuadrën e dytë të Interit, që luan në Serinë C, sepse kjo do t’i jepte eksperiencë dhe do ta mbante më afër ekipit të parë. Tafaj ka nënvizuar gjithashtu se për të e rëndësishme nuk është vetëm emri i skuadrës, por “të bëjë hapin e duhur në momentin e duhur”.
Në mbyllje të intervistës, tekniku shqiptar ka folur edhe për objektivin afatgjatë që talenti një ditë të shfaqet me ekipin e parë të Interit. Ai ka theksuar se rruga drejt këtij niveli kërkon punë, sakrificë dhe vazhdimësi. Ndërkohë, Tafaj ka konfirmuar se është në komunikim të vazhdueshëm me trajnerin e Kombëtares A, Maran.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres








