Kostot e punës në Gjermani u rritën gjatë vitit 2025, edhe pse rritja ishte më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian. Përllogaritjet tregojnë se, që nga viti 2020, kostoja për një orë pune është rritur me më shumë se një të pestën, ndërsa paralelisht kompanitë po intensifikojnë planet për të shkurtuar vende pune.
Në një krahasim të drejtpërdrejtë, një orë pune në sektorin e prodhimit dhe të shërbimeve ka kushtuar mesatarisht 45 euro. Të dhënat bëjnë të ditur gjithashtu se, krahasuar me një vit më parë, kostot e punës u rritën për 3.6 për qind. Shifrat janë pak më poshtë se mesatarja e BE-së, e cila arriti 4.1 për qind.
Struktura e kostove të punës përfshin dy pjesë kryesore: pagat bruto dhe kostot shtesë të lidhura me pagat. Tek pagat bruto futet pagesa për orët e punuara, bonuset, planet e kursimeve të punonjësve si dhe kompensimi për ditët e papunuara, përfshirë ditët e pushimit. Nga ana tjetër, kostot shtesë mbështeten në kontributet e paguara nga punëdhënësi për sigurimet shoqërore dhe në shpenzimet për trajnim.
Kostot e punës në Gjermani mbeten mes më të lartat në BE
Në nivel evropian, Gjermania renditet ndër vendet me shpenzimet më të larta për punë. Krahasuar me mesataren e BE-së prej 34.90 eurosh, kompanitë gjermane paguajnë rreth 29 për qind më shumë për një orë pune. Në vitin 2025, vendi u rendit me një nivel që e vendos në krye të listave për kostot e punës në Evropë.
Vetëm disa vende rezultuan edhe më të shtrenjta se Gjermania. Në krye renditen Luksemburgu me 56.80 euro për orë, Danimarka me 51.70 euro, Holanda me 47.90 euro dhe Austria me 46.30 euro. Ndërkohë, për Belgjikën nuk kishte ende të dhëna të disponueshme, edhe pse ajo ishte renditur e treta një vit më parë. Ndërsa shifrat tregojnë diferencë të qartë, vendet me kostot më të ulëta në BE gjatë vitit 2025 ishin Bullgaria me 12 euro për orë, Rumania me 13.60 euro dhe Hungaria me 15.20 euro.
Pavarësisht rritjes së vitit 2025, pozicioni konkurrues i Gjermanisë nuk ka ndryshuar ndjeshëm në një periudhë afatmesme. Zyra Federale e Statistikave njoftoi se kostoja për një orë pune në Gjermani është rritur për 22.3 për qind që nga viti 2020. Rritja më e madhe, prej 30 për qind, është vërejtur në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë. Për ekspertë dhe institucione që ndjekin tregun e punës, kjo do të thotë se hendeku me mesataren e BE-së ka qëndruar relativisht i ngushtë: në vitin 2020, kostot e punës në Gjermani ishin 30 për qind mbi mesataren e BE-së, ndërsa në vitin 2025 ishin 29 për qind më të larta.
Ndërkohë, përpjekjet për uljen e kostove po shoqërohen me planifikime për shkurtime vendesh pune. Sipas Institutit ifo, në kushtet e krizës globale kompanitë në Gjermani planifikojnë të shkurtojnë më shumë vende pune në të gjithë sektorët. Barometri përkatës për punësimin ra në mars në nivelin më të ulët në pothuajse gjashtë vjet. Klaus Wohlrabe, drejtues i anketave në institutin ifo, theksoi se pasiguria gjeopolitike po ndikon në planifikimin e personelit, duke bërë që të shkurtohen më shumë vende pune sesa të krijohen. Instituti për Kërkime në Punësim (IAB) kishte dhënë më herët një vlerësim pesimist, ndërsa sipas ifo, pothuajse asnjë sektor nuk po i shpëton humbjes së vendeve të punës.
Treguesi për situatën në tregun e punës ka rënë në sektorin e prodhimit, si dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Te ofruesit e shërbimeve, treguesi përkatës ka zbritur në nivelin më të ulët që nga fillimi i krizës së koronavirusit. Sektori i logjistikës po përballet me rritje të kostove, ndërsa humbje të vendeve të punës po regjistrohen edhe në sektorin e turizmit. Përkeqësimi i situatës lidhet edhe me tensionet ndërkombëtare: konflikti i pazgjidhur në Lindjen e Mesme po rëndon ndjeshëm ekonominë globale, ndërsa përfundimi i bllokadës pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit, e rëndësishme për furnizimin me naftë, nuk duket në horizont. Si pasojë, çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm dhe zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë.
Botuar fillimisht në Telegrafi








