Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, ka reaguar pas raportimeve për vdekjen e një pacienteje me kancer të avancuar të gjirit. Reagimi i tij vjen pasi organizata “Renesansa” pretendoi se pacientja kishte mbetur për rreth katër muaj pa terapinë me medikamentin Palbociclib.
Kurtishi ka mohuar pretendimet se pacientët kanë qenë pa këtë terapi për periudhën katërmujore, duke theksuar se furnizimi me Palbociclib ka vazhduar sipas dinamikës së paraparë. Ai e ka lidhur çështjen drejtpërdrejt me mënyrën e planifikimit dhe shpërndarjes së barnave brenda Klinikës së Onkologjisë, duke thënë se nuk bëhet fjalë për një mungesë që do të kishte shkaktuar ndërprerje të trajtimit.
“Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib, siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë”, ka deklaruar drejtori Kurtishi.
Palbociclibi s’është ndërprerë: Kurtishi sqaron dinamikën e furnizimit
Reagimi i Kurtishit vjen pasi “Renesansa” bëri të ditur se një paciente me kancer të avancuar të gjirit kishte humbur jetën, duke pretenduar se ndërprerja e terapisë për rreth katër muaj ishte pasuar me shfaqjen e metastazave të reja në tru. Sipas organizatës, pacientja nuk kishte mundësi ta siguronte vetë medikamentin, çmimi i të cilit arrin deri në 1 mijë e 800 euro.
Ndërsa iu përgjigj këtyre pretendimeve, drejtori i Klinikës së Onkologjisë ka theksuar se kanceri metastatik i gjirit është sëmundje komplekse dhe agresive. Ai ka shpjeguar se trajtimet, përfshirë Palbocicibin, synojnë ngadalësimin e përparimit të sëmundjes, por nuk garantojnë ndalimin e plotë të saj. Kurtishi ka vënë në pah se në disa raste, për shkak të specifikave biologjike individuale të tumorit, sëmundja mund të zhvillojë rezistencë dhe të shfaqë metastaza të reja, përfshirë ato në tru, edhe atëherë kur pacienti është nën terapi të rregullt.
Sipas Kurtishit, ndërlidhja e drejtpërdrejtë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore me një faktor të vetëm, pa u analizuar historia e plotë mjekësore e pacientes, është e pasaktë nga pikëpamja mjekësore. Ai ka vlerësuar se për të arritur në një përfundim të tillë duhen të dhëna të plota dhe vlerësim i hollësishëm i rastit, sidomos kur flitet për progresion të sëmundjes dhe zhvillim metastatik.
Drejtori ka bërë të ditur se QKUK-ja ka kontaktuar organizatën “Renesansa” pas reagimit publik. Ai ka thënë se përfaqësuesit e organizatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej për herë të dytë me sëmundjen, në një stad të avancuar dhe me metastaza. Në këtë kuadër, Kurtishi ka paralajmëruar se të enjten do të publikohen edhe të dhëna nga historia mjekësore e pacientes, duke respektuar dispozitat ligjore për konfidencialitetin.
“Nesër do të publikojmë edhe historinë mjekësore, sigurisht duke ruajtur të gjitha normat e konfidencialitetit sipas ligjit në fuqi, ku specifikohen edhe detajet për marrjen e terapisë së përmendur”, ka deklaruar Ilir Kurtishi. Në fund të reagimit, ai ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes dhe ka kritikuar publikimin e pretendimeve që, sipas tij, mund të krijojnë pasiguri dhe shqetësim te pacientët onkologjikë dhe te familjarët e tyre. Kurtishi ka theksuar gjithashtu se Klinika e Onkologjisë mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse për të ofruar sqarime lidhur me trajtimin e pacientëve.
Botuar fillimisht në Bota Sot





