Një studim i publikuar në vitin 2025 ka hedhur dritë mbi një fenomen që deri më tani ishte vështirë të shpjegohej: prodhimin dhe çlirimin natyror të hidrogjenit në galeritë e minierës së kromit të Bulqizës, në Shqipëri. Rezultatet e analizave, të mbështetura edhe nga studime izotopike, tregojnë se hidrogjeni ka një origjinë abiotike dhe se ai qëndron i bllokuar në strukturat nëntokësore, duke u liruar gradualisht në mjedisin e minierës.
Sipas të dhënave të raportuara në studim, reagimet mes mineraleve të pasura me hekur dhe ujit, të kombinuara me kushtet e brendshme të nëntokës, kanë prodhuar një gaz të lehtë që më pas ka qëndruar i “izoluar”. Më pas, ky hidrogjen del nga thellësitë nëntokësore, ndërkohë që në këtë proces nuk luan rolin kryesor ajri i minierës apo atmosfera. Pikërisht kjo logjikë shpjegon pse studiuesit theksojnë se gazi i matur ishte i izoluar, pra pa kontakt të drejtpërdrejtë me rrethin ku do të ndikonte oksigjeni i ajrit.
Matjet tregojnë hidrogjen deri në 84% në minierën e Bulqizës
Gaz i izoluar dhe analiza të shumta laboratorike kanë qenë pjesë e punës kërkimore. Në studim theksohet se përmbajtja e gazit të marrë, duke mos qenë në kontakt me ajrin e minierës apo me atmosferën, është analizuar në gati 17 laboratorë të ndryshëm në të gjithë botën. Përveç analizave kimike, janë kryer edhe analiza izotopike, të cilat i janë bërë vetë hidrogjenit, duke e konfirmuar edhe më tej origjinën abiotike të tij.
Një nga gjetjet më të rëndësishme lidhet me përqendrimin e hidrogjenit në gazin që del nga nëntoka. Studimi i publikuar në revistën shkencore “Science” konfirmon se në galeritë e minierës çlirohet një sasi e konsiderueshme hidrogjeni natyror. Matjet tregojnë se gazi që del nga nëntoka përmban deri në 84% hidrogjen. Ky nivel, sipas studimit, konsiderohet i pazakontë dhe e rendit Bulqizën mes rasteve më të rëndësishme të dokumentuara deri më sot.
Gjatë raportimit të matjeve, studiuesit kanë raportuar “matje të drejtpërdrejta të një shkalle të lartë të nxjerrjes së gazrave prej 84% të hidrogjenit” nga miniera e thellë nëntokësore e kromit të Bulqizës në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, studimi thekson se një minimum prej 200 tonësh hidrogjen nxirret çdo vit nga galeritë e minierës. Kjo sasi e pozicionon Bulqizën ndër shkallët më të mëdha të rrjedhjes së hidrogjenit të regjistruara deri më sot.
Një element tjetër që i jep peshë rezultateve është qëndrueshmëria e fenomenit. Gjatë rreth 10 viteve, raportet e metanit me hidrogjenin kanë dalë pothuajse të njëjta, pa ndryshime të dukshme në sasinë e gazit që çlirohet. Studiuesi Bardhyl Muceku thekson se çdo vit janë bërë analiza dhe se, pavarësisht kohës, sasia prej rreth 200 tonësh në vit ka mbetur e ngjashme. Megjithatë, ai shton se kjo sasi nuk është aq e madhe sa të konsiderohet automatikisht me leverdi ekonomike për momentin.
Ndryshe nga mënyrat tradicionale ku hidrogjeni lidhet me energjinë e së ardhmes, por prodhohet me kosto të lartë dhe me ndotje, në Bulqizë ai shfaqet natyrshëm, pa ndërhyrje industriale. Për të shpjeguar këtë, studimi ofron një interpretim që lidhet me praninë e një rezervuari të thellë dhe me lidhjen e tij me një zonë çarjesh tektonike. Janë shqyrtuar tre skenarë të ndryshëm: dekrepitimi i hidrogjenit të bllokuar në shkëmb, serpentinizimi aktiv në temperaturë të ulët, si dhe çlirimi i hidrogjenit të bllokuar brenda zonës së çarjes, e cila funksionon si rezervuar.
Autorët arrijnë në një përfundim se rrjedhja aktuale nuk shpjegohet vetëm nga proceset aktive. Kjo e çon interpretimin drejt idesë së ekzistencës së një depozite të akumuluar ndër vite, ku miniera e kromit nuk shihet si burimi i gazit, por si vendi ku hidrogjeni ka dalë në sipërfaqe. Muceku thotë se ia vlen të studiohet ky rast në masivin e Bulqizës, pasi studiuesit mund të hyjnë deri në thellësi rreth 1 mijë metra. Në vijim, studimi ngre edhe kufizime të qarta: nuk dihet sa shpejt rigjenerohet gazi, sa e gjatë mund të jetë jetëgjatësia e rezervuarit dhe si do të ndikonte ndërhyrja njerëzore në sistemin delikat.
Ndërkohë, për shtrirjen e mundshme të procesit dhe kohëzgjatjen e tij, studimi jep një vlerësim të diapazonit të rrjedhjes. Duke marrë parasysh diapazonin e vlerësuar të vëllimit të çarjes dhe të njëjtin porozitet, shkalla e matur e rrjedhjes mund të mbahet për 25 deri në 238 vjet. Me fjalë të tjera, sasia totale e hidrogjenit e ruajtur në zonën e çarjes do të varionte nga 5000 deri në 50,000 ton. Ky interval i gjerë nënkupton skenarë të ndryshëm për mundësinë e shfrytëzimit në të ardhmen: nëse sasia do të ishte në fund të intervalit, përfitimi do të ishte më i kufizuar, ndërsa nëse do të afrohej me vlerat më të larta, potenciali ekonomik do të ishte më i konsiderueshëm.
Botuar fillimisht në Bota Sot


