Eugene Shoemaker është emri i një prej figurave më të rëndësishme në historinë e studimeve hënore, një shkencëtar që ndihmoi drejtpërdrejt përgatitjen e astronautëve për misionet në Hënë. Ai nuk arriti të shkonte kurrë vetë në hapësirë gjatë jetës së tij, por rruga e tij u mbyll në një mënyrë të pazakontë: një pjesë e hirit të tij u dërgua në sipërfaqen hënore dhe përfundoi atje pas një fluturimi të programuar.
I lindur në Los Angeles më 1928, Shoemaker u orientua herët drejt gjeologjisë. Më vonë ai u bë një nga themeluesit e astrogeologjisë, një disiplinë që studion përbërjen, strukturën dhe historinë gjeologjike të planetëve, satelitëve dhe trupave të tjerë qiellorë. Pikërisht ky formim dhe pasioni e çuan atë të lidhej ngushtë me kërkimin shkencor për Hënën, në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara nisën programin Apollo.
Kur filloi puna për eksplorimin e Hënës përmes misioneve Apollo, Shoemaker u përfshi drejtpërdrejt në përgatitjet shkencore. Roli i tij u përqendrua në hartëzimin gjeologjik të sipërfaqes hënore dhe në përgatitjen e astronautëve që do të zbrisnin atje. Një nga vendet ku ai u mësonte praktikat ishte Meteor Crater në Arizona, ku ai ndihmonte astronautët të identifikonin formacionet gjeologjike dhe të zgjidhnin mostrat më të vlefshme për t’i sjellë më pas në Tokë.
Hiri i Eugene Shoemaker u dërgua në Hënë në vitin 1999
Edhe pse puna e tij lidhej gjithnjë me përgatitjen për misionet në hapësirë, Shoemaker kishte edhe një ëndërr personale: të bëhej astronaut. Megjithatë, një problem shëndetësor ia pamundësoi përzgjedhjen për fluturim në hapësirë. Ai e kishte përjetuar këtë si një zhgënjim të madh personal, pavarësisht kontributit që vazhdonte të jepte nga toka për përpjekjet që do të dërgonin të tjerët drejt Hënës.
Familja e tij dhe bashkëpunimet shkencore e forcuan më tej emrin e tij në botën astronomike. Bashkëshortja e tij, Carolyn Shoemaker, ishte gjithashtu e përfshirë fuqishëm në kërkimet astronomike. Në vitin 1993, Eugene dhe Carolyn Shoemaker së bashku me astronomin David Levy zbuluan kometën Shoemaker-Levy 9. Një vit më vonë, zbulimi u kthye në një ngjarje historike: fragmentet e kometës u përplasën me Jupiterin, duke ofruar për herë të parë mundësinë që shkencëtarët të vëzhgonin drejtpërdrejt një përplasje të tillë mes trupave të mëdhenj të Sistemit Diellor.
Për kontributin e tij, Shoemaker mori një sërë çmimesh dhe nderimesh. Ndër to përmendet edhe Medalja Kombëtare e Shkencës e SHBA-së. Edhe në vitet e mëvonshme të jetës, ai vijoi të studionte krateret e krijuara nga goditjet e meteorëve. Në verën e vitit 1997, Eugene dhe Carolyn udhëtuan në Australi për kërkime shkencore. Më 18 korrik, pranë Alice Springs, automjeti i tyre u përplas me një tjetër. Eugene Shoemaker humbi jetën në moshën 69-vjeçare, ndërsa bashkëshortja e tij mbijetoi me lëndime të rënda.
Historia e udhëtimit drejt Hënës u shkrua pas vdekjes së tij. U vendos që një pjesë e hirit të Shoemakerit të udhëtonte atje ku ai kishte ëndërruar gjithmonë të shkonte. Në vitin 1998, një sasi e vogël e hirit të tij u vendos në sondën hapësinore Lunar Prospector, e cila kishte për detyrë të studionte sipërfaqen dhe përbërjen e Hënës. Pas përfundimit të misionit, më 31 korrik 1999, sonda u drejtua qëllimisht drejt sipërfaqes hënore dhe u përplas me të. Në të njëjtën rrugë përfundoi edhe kapsula që përmbante hirin e Shoemakerit. Deri më sot, Eugene Shoemaker mbetet i vetmi njeri, hiri i të cilit prehet në Hënë.
Botuar fillimisht në Telegrafi





