Në padinë 2.7 trilion dollarëshe, SHBA-ja argumenton se prodhuesi i iPhone ka dëmtuar rivalët më të vegjël dhe ka rritur çmimet.
Por, sipas Apple, padia kërcënon kompaninë dhe parimet që i veçojnë produktet e saj në një treg konkurrues, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se në Evropë konsumatorët kanë përfituar nga një sërë rregullash të cilat e detyruan gjigantin teknologjik të bënte ndryshime në telefonin e saj të njohur.
Disa prej fushave ku Apple ka ndryshuar produktet e saj janë:
Kabllot karikuese
Kalimi në karikuesin USB-C i cili është standard për pajisjet Android. Ky hap vjen pasi në vitin 2022 BE-ja miratoi një ligj që e bën portin e karikimit standard të detyrueshëm në të gjithë bllokun deri në fund të vitit 2024.
App Store
Rregullat e reja në Evropë kanë krijuar alternativa të ndryshme që do të thotë se përdoruesit do të mund të shkarkojnë aplikacione edhe nga burime rivale duke përfshirë faqet e internetit. Kjo i lejon ata të shmangin tarifën prej 30 për qind të kompanisë.
Kryerja e pagesave përmes faqeve të internetit
Si në BE ashtu edhe në SHBA, zhvilluesit e aplikacioneve mund t’i drejtojnë përdoruesit në faqet e tyre të internetit për të blerë artikuj, në vend që të përdorin sistemin e blerjeve brenda aplikacionit të Apple. Ndryshimi u bë në përputhje me Aktin e Tregjeve Dixhitale.
Shfletuesit
Një tjetër ndryshim në përputhje me Aktin e Tregjeve Dixhitale ka të bëjë me shfletuesit e internetit. Safari ka qenë shfletuesi i paracaktuar i iPhone që nga prezantimi i produktit. Ndërsa përdoruesit e iPhone tashmë mund të ndryshojnë parazgjedhjen e tyre duke kaluar në Chrome ose Opera, atyre do t’u jepet automatikisht zgjedhja për të kaluar kur e hapin Safarin. /Telegrafi/