Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi lidhur me incidentin që ndodhi në shtator të vitit 2024, ku u shkrepën armë mes pjesëtarëve të familjes Gashi, të njohur me nofkën “Capat”, dhe pjesëtarëve të familjes Sekiraqa. Për ngjarjen në fjalë janë në proces edhe të akuzuarit: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Sali Sekiraqa, Fatos Abazi, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Erd Marevci.
Sipas aktakuzës, të pandehurit përballen me akuza të rënda penale, përfshirë vrasje të rëndë, vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Sot në seancën e zhvilluar para trupit gjykues, dëshminë e tyre e kanë dhënë dy dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria: Nderim Halimi dhe Sabri Llapashtica.
Halimi ka thënë para gjykatës se atë ditë kritike ka qenë dy herë në lokalin “From”. Ai ka treguar se mbrëmjen e incidentit e ka thirrur në telefon Vesel Bunjaku dhe se pas kësaj janë takuar fillimisht te Xhamia e Vogël në Breg të Diellit. Më pas, sipas tij, kanë vazhduar te lokali “From”, i cili lidhet me kafeterinë e Sali Sekiraqës.
Kur është pyetur për rrjedhën e ngjarjes, Nderim Halimi ka deklaruar se pasi janë futur në lokal, aty kanë qenë edhe Sali Sekiraqa me djalin e tij dhe shokë të tjerë. Halimi ka theksuar se pas përafërsisht pesë minutave ka ardhur një makinë nga ana tjetër e rrugës. Ai ka shtuar se pas dy minutave i ka parë dy persona të maskuar, të armatosur me armë të gjata “AK-47”, duke kaluar rrugën në drejtim të lokalit.
“AK-47” dhe të shtëna në rrugë: dëshmia e Nderim Halimit në Gjykatë
Halimi ka vazhduar më tej duke treguar se ndërsa personat e maskuar po i afroheshin lokalit, kanë filluar të shtënat. Ai ka shtuar se pasi këta persona e kryen misionin, ka parë edhe dy apo tre persona të tjerë duke ikur nga vendi i ngjarjes. Sipas tij, pas përfundimit të të shtënave ai ka bërë thirrje për ndihmë duke e kontaktuar Policinë tri herë dhe Ndihmën e Shpejtë katër herë.
Nderim Halimi ka treguar edhe për atë që ka ndodhur pas ngjarjes brenda dhe jashtë lokalit. Ai ka deklaruar se ka dalë jashtë lokalit, ku ka parë të akuzuarin Robert Llumnica të shtrirë në tokë, i plagosur, dhe se ka kërkuar ndihmë. Halimi ka thënë se, kur e ka kuptuar se Llumnica ishte i lënduar në bark, nuk ka guxuar t’i ofrojë ndihmë, por ka njoftuar se Ndihma e Shpejtë po vjen. Më pas, ai është rikthyer brenda lokalit dhe ka thënë se i është afruar Sali Sekiraqës, të cilin e ka parë edhe atë të shtrirë dhe të plagosur.
Gjatë dëshmisë, Halimi ka përmendur një moment kur i është drejtuar Sali Sekiraqës. Ai ka thënë se në ato çaste i kishte thënë “’Ndek’, pshtum” – duke sqaruar se “Ndek” është nofka e tij. Më tej, avokati Kadri Mjekiqi, mbrojtës i palës së dëmtuar, e ka pyetur Halimin lidhur me atë se si ishte i maskuar tani i ndjeri Premtim Gashi. Halimi ka treguar se ai ishte me një xhaketë të zezë, me një kapele të lëshar deri te sytë, por se fytyra nuk i ka dalë.
Pyetje Halimit i kanë parashtruar edhe avokatët e të pandehurve. Avokati Kujtim Kërveshi, që mbron Korab Gashi, e ka pyetur dëshmitarin si e ka konstatuar që Sekiraqa ka qenë cak i sulmit, dhe Halimi ka dhënë përgjigje se, pasi Sekiraqa kishte mbetur i plagosur, normalisht ai do të ishte objekt i sulmit. Për raportet e tij me Vesel Bunjakun, Halimi ka thënë se e ka njohur babanë e Bunjakut dhe se kanë rastisur të takohen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Në këtë pjesë, mbrojtja e të pandehurit Llumnica, avokatja Kosovare Kelmendi, e ka kundërshtuar tentativën për pyetje të tjera, duke ritheksuar se për Vesel Bunjakun në këtë procedurë është çështje që është gjykuar tashmë.
Avokati Driton Musliu, në emër të mbrojtjes së Valdrin Ademi, e ka pyetur Halimin nëse, përveç Sekiraqës, ka pasur edhe dikush tjetër të plagosur. Halimi ka thënë se i plagosur ka qenë edhe i pandehuri Fatos Abazi, por ka shtuar se këtë nuk e kishte ditur. Më pas, avokatja Kelmendi e ka pyetur Halimin lidhur me raportet mes Llumnicës dhe Sali Sekiraqës: Halimi ka deklaruar se ata kanë pasur shoqëri dhe se më pas Roberti ka qenë i punësuar si kamerier në kafeterinë e Sali Sekiraqës, duke e vënë në pah lidhjen e tyre si punëdhënës e i punësuar. Ai ka shtuar se gjatë ditës kritike nuk e ka parë Robert Llumnicën as në tavolina ulur e as në lokal.
Edhe mbrojtësi i Sali Sekiraqës, avokati Skender Musa, ka zhvilluar pyetje. Ai e ka pyetur dëshmitarin nëse ka biseduar ndonjëherë me Sekiraqën për iniciativën e tij për pajtim me grupin “Capat”. Halimi ka thënë se po ka pasur iniciativë nga ana e Sekiraqëve në këtë aspekt. Nga ana tjetër, i pandehuri Sali Sekiraqa e ka pyetur Halimin nëse, nga pozita ku ai ka qenë i ulur, ka pasur mundësi të shtijë me armë jashtë lokalit. Halimi ka dhënë përgjigjen “Jo, nuk ka shans”, duke rikonfirmuar se nga vendi ku ishte ulur Sekiraqa nuk kishte si ta shihte rrugën jashtë. Pas kësaj, seanca ka vazhduar me dëshminë e radhës nga dëshmitari i propozuar nga Prokuroria, Sadri Llapashtica, me të filluar dhënien e dëshmisë.
Botuar fillimisht në Telegrafi






