Federata Shqiptare e Futbollit vijon angazhimin për mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Luginën e Preshevës përmes një projekti konkret: ndërtimin e dy fushave moderne të futbollit. Projekti parashikon një fushë në Komunën e Preshevës dhe një tjetër në Komunën e Bujanocit, me synim krijimin e kushteve më të përshtatshme për të gjithë ata që duan të merren me futboll.
Nisma vjen si vazhdim i një bashkëpunimi që FSHF e ka ndërtuar prej vitesh me komunitetin e futbollit në këtë zonë. Federata është angazhuar për ta mbështetur aktivitetin sportiv në terren përmes dërgimit të materialeve sportive, uniformave dhe organizimit të aktiviteteve të ndryshme për fëmijët. Një prej këtyre aktiviteteve ishte edhe turneu i organizuar vitin e kaluar, ku morën pjesë futbollistë të vegjël nga Lugina e Preshevës dhe diaspora e saj.
Gjatë kontakteve të vazhdueshme me komunitetin e futbollit dhe përfaqësuesit e dy komunave, u evidentua një nevojë e qartë: përmirësimi i infrastrukturës sportive. Sipas të dhënave që lidhen me projektin, u vu re se kushtet ekzistuese për ushtrimin e futbollit ishin të papërshtatshme për objektivin e edukimit sportiv të të rinjve dhe fëmijëve. Kjo situatë i dha shtysë idesë për të nisur ndërtimin e dy fushave moderne, që aktualisht është në fazën e përgatitjeve për realizim.
Dy fusha moderne për më shumë mundësi në futboll
Në një prononcim për FSHF.org, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, thekson se ky projekt nuk shihet vetëm si një punë ndërtimore. Ai e përshkruan nismën si një mënyrë për t’u krijuar fëmijëve shqiptarë në Luginën e Preshevës më shumë mundësi për t’u marrë me futboll dhe për të zhvilluar talentin e tyre. Duka thekson se iniciativa ka nisur prej kohësh në funksion të mbështetjes së vazhdueshme që federata ka ofruar, dhe se ndërtimi i fushave është një hap i mëtejshëm brenda këtij misioni.
Presidenti Duka shpjegon edhe si ka evoluar projekti. Ai thotë se federata ka marrë iniciativë për të ndërtuar dy fusha: një në Bujanoc dhe një në Komunën e Preshevës. Sipas tij, nisma nuk lindi “sot”, por u mbështet nga bashkëpunimi dhe ndihma e vazhdueshme për fëmijët në Luginën e Preshevës, të cilët kanë marrë materiale sportive dhe uniforma. Në diskutimet me komunitetin dhe me komunat e Preshevës dhe Bujanocit, u vu re se infrastruktura sportive ishte në nivele të padëshirueshme. Për këtë arsye, në Komitetin Ekzekutiv u mendua fillimisht mbështetja për ndërtimin e një fushe, por më pas vendimi u ndryshua dhe projekti u zgjerua në dy fusha.
Zgjerimi i projektit solli edhe nevojën për më shumë mbështetje financiare. Për këtë arsye, FSHF iu drejtua bizneseve dhe donatorëve për t’u bërë pjesë e kësaj nisme dhe për të kontribuar në realizimin e saj. Presidenti Duka falënderon bizneset që kanë shfaqur interes dhe kanë dhënë mbështetje konkrete, duke përmendur edhe familjen Türker, e cila është bërë donatori i parë. Ai vlerëson gjithashtu bashkëpunimin me komunat dhe mbështetjen e komunitetit në Luginën e Preshevës.
Armand Duka thekson se kjo është edhe një çështje e rëndësishme për të gjithë ata që ndjekin futbollin edhe jashtë kufijve. Sipas tij, projekti nuk përbën një detyrë institucionale të federatës, pasi FSHF duhet të organizojë dhe të mbështesë futbollin brenda kufijve shtetërorë shqiptarë. Megjithatë, ai e cilëson nismën si një detyrë morale për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve, duke u shprehur se ekziston një obligim për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë sa më pranë futbollit. Projekti synon kështu krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit të moshave në Preshevë dhe Bujanoc, duke u dhënë fëmijëve dhe të rinjve më shumë hapësirë për të ushtruar sportin dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre përmes futbollit.
Për realizimin e projektit, FSHF do të financojë ndërtimin e bazamentit, vendosjen e tapetit sintetik sipas standardeve të FIFA-s dhe pajisjen e fushave me porta. Ndërsa, komunat do të mbulojnë ndërtimin e ambienteve të zhveshjeve dhe hapësirave mbështetëse. Në këtë kuadër, federata ka bërë edhe një ftesë të hapur për bizneset, donatorët dhe të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, me qëllim t’u ofrojë fëmijëve shqiptarë në Luginën e Preshevës një mundësi më shumë për të luajtur, për t’u zhvilluar dhe për t’iu qëndruar sa më afër futbollit.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres






