Istra dhe Dinamo e Zagrebit kanë luajtur baras 2:2 në stadiumin “Aldo Drosina”, në javën e pestë të Kampionatit kroat. Ndeshja u mbyll me përmbysje të njëpasnjëshme, ku vendasit arritën të dilnin dy herë në epërsi, por “të kaltrit” ia dolën të gjenin golat e barazimit dhe të marrin një pikë të rëndësishme.
Vendasit e nisën mirë nga ana e rezultatit. I pari që gjeti rrugën e rrjetës ishte Hamza Jaganjac, i cili shënoi për 1:0 në minutën e 14-të. Pas këtij goli, Dinamo nuk u dorëzua dhe arriti të reagonte shpejt, duke e barazuar në minutën e 24-të me Dion Drena Beljo, pasi topi u devijua dhe përfundoi tek sulmuesi, i cili me kokë shënoi nga afërsia për 1:1.
Pavarësisht barazimit, avantazhi i Istrës u rikthye vetëm pak minuta më vonë. Vetëm pesë minuta pas golit të parë të Dinamos, Istra kaloi sërish në epërsi pas një kundërsulmi të shpejtë. Emil Frederiksen gjeti Dukan Ahmetin, i cili u shkëput nga mbrojtja e Dinamos, hyri në hapësirë dhe, me qetësi, e çoi rezultatin në 2:1 në minutën e 29-të.
Dinamo u rikthye me 84’ dhe siguroi barazimin 2:2
Ndeshja nisi nervoze, me tension në duelet e para. Qysh në minutën e pestë, Dion Drena Beljo pati një përplasje me lojtarët e Istrës. Në minutën e tretë, Dinamo krijoi rastin e saj të parë, por goditja e Arbër Hoxhës shkoi mbi portë. Ndërkohë, para se të mbyllej pjesa e parë, Dinamo pati një mundësi të madhe për barazim, por nuk ia doli të finalizonte siç duhej.
Në minutën e 36-të, Josip Mišić dha një pasim në thellësi për Beljon. Sulmuesi doli i vetëm përballë portierit Franko Koliq, megjithatë tentoi ta driblonte portierin në vend që të godiste menjëherë. Ky vendim i dha mundësinë Koliqit të kapte topin dhe të mbante avantazhin e Istrës deri në pushim. Në pjesën e parë, trajneri i Dinamos bëri edhe një zëvendësim: Scott McKennan u aktivizua në vend të Sergio Dominguezit.
Pjesa e dytë nisi me një Dinamo më kërkuese. Mysafirët ushtruan presion të vazhdueshëm, ndërsa Istra kërkonte mundësi përmes kundërsulmeve. Në minutën e 79-të, Istra pati një rast të artë për ta çuar rezultatin në 3:1. Pas një kundërsulmi dy kundër një, Antonio Mauriq doli i vetëm përballë Ivan Nevistiqit, por portieri i Dinamos e priti goditjen dhe e mbajti ndeshjen të hapur.
Edhe një minutë më pas, Dinamo humbi një mundësi të madhe. Orshiq pasoi te Prevljak, por sulmuesi nuk arriti ta godiste siç duhet nga një pozitë e mirë. Gjithsesi, në minutën e 84-t, gjithçka u rregullua për Dinamon. Pas një harkimi nga krahu i djathtë, Beljo e uli topin me kokë për Prevljakun, i cili nga afërsia shënoi për 2:2, duke barazuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Në minutën e 90-të, Orshiq pati edhe një shans për t’ia siguruar Dinamos fitoren, por pasimi i Beljos nuk u shndërrua në gol, pasi topi nuk u godit mirë përballë portës së Istrës.
Ky barazim ishte i pari i Dinamos në sezonin e ri të SHNL-së, pasi më parë skuadra kishte shënuar tre fitore radhazi. Për Istrën, ky ishte barazimi i dytë në pesë ndeshjet e para të kampionatit, duke e lënë ekipin ende në kërkim të qëndrueshmërisë në rezultatet e deritanishme.
Botuar fillimisht në Bota Sot


